Blogu i Rërës Botë Te gjitha

Italia, stacioni i fundit europian


Një analizë e plotë për zgjedhjet italiane të katër marsit: Cilët janë kadidatët për kryeministër, kush është 32-vjeçari nga “Lëvizja Pesë Yjet” që kërkon të drejtojë vendin dhe si Silvio Berlusconi po përgatit rikthimin për herë të pestë në pushtet. Lexoni në Tiranapost.al

Nga Erjon Uka/ Italia është stacioni i fundit europian. Pas zgjedhjeve në Holandë, në Francë, Gjermani e Austri, tani është radha e italianëve të shkojnë në kutitë e votimit. Por nëse në Francë dy partitë tradicionale si republikanët dhe socialistët mbetën jashtë balotazhit; në Gjermani socialdemokratët dhe demokristianët prekën fundin historik, në Itali po ndodh krejt e kundërta.

Askujt nuk do t’ia priste mendja se pas katër mandatesh në krye të vendit, pas krizës së rëndë financiare e pas largimit me turp në vitin 2011, Silvio Berlusconi do të rikthehej në politikën italiane si faktor kyç. Qendra e djathtë e bashkuar rreth 82-vjeçarit ka kryesimin absolut në këto zgjedhje, megjithëse ligji i ri elektoral kërkon 40% për të siguruar qeverisjen. Për këtë rikthim të gjithë fajësojnë Matteo Renzin, ish-kryeministrin dhe kreun e Partisë Demokratike, i cili nuk diti të mbajë të bashkuar të majtët dhe nuk menaxhoi krizën e refugjatëve, duke i dhënë zë neofashitëve të djathtë.

Por cilat janë formacionet politike që shkojnë në zgjedhjet e 4 marsit dhe sa shanse kanë për të qeverisur?

Lëvizja Pesë Yjet – E themeluar në vitin 2009 si një parti populiste me ide të qarta kundër Bashkimit Europian dhe monedhës së përbashkët euro, “Movimento 5 Stelle” është më afër se kurrë pushtetit. Themeluesi i saj Beppe Grillo nuk mund të ketë asnjë post publik për shkak të një dënimi, ndaj prej më shumë se një vitit kandidati për kryeministër i kësaj force është shpallur Luigi Di Maio.

Grillo dhe Di Maio
Grillo dhe Di Maio

I lindur në Avellino, pranë Napolit, Di Maio është vetëm 32 vjeç. Mandatin e parë të deputetit e fitoi në vitin 2013 dhe ka mbajtur postin e nënkryetarit të Dhomës së Deputetëve. Megjithëse Lëvizja Pesë Yjet ishte partia e vetme që aplikoi primaret online për të zgjedhur kandidatët për deputetë, Di Maio është akuzuar përgjatë këtyre javëve nga opinioni italian se ka korrigjuar listat sipas klaneve që e mbështesin brenda partisë, ndërsa Beppe Grillo është distancuar nga aktiviteti politik i forcës që themeloi vetë duke i lënë dorë të lirë Di Maios. Lëvizja Pesë Yjet projektohet si parti e parë në këto zgjedhje në kufijtë e 29%, por për shkak të ligjit të ri elektoral nuk mund ta bëjë qeverinë e vetme pa fituar të paktën 40%, gjë që duket e pamundur. Di Maio është larguar paksa nga pozicioni radikal i partisë, duke pranuar se është i hapur të dialogojë për formimin e koalicionit qeveritar.

Pietro Grasso dhe Laura Boldrini.
Pietro Grasso dhe Laura Boldrini.

Qendra e majtë – Kriza për Partinë Demokratike në pushtet është e qartë. Fituese absolute e zgjedhjeve të vitit 2013, PD tashmë rezulton si parti e dytë apo e tretë në sondazhet parazgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm dhe ish-kryeministri Matteo Renzi është akuzuar hapur se ka hartuar listat personale të kandidatëve për deputetë, ndërsa shumë figura janë lënë jashtë garës ose nuk kanë pranuar pozicionet e ofruara. Interesante do të jetë situata pas zgjedhjeve, pasi kritikët kanë thënë se “Hesapet me Renzin do t’i lajmë pas 4 marsit”. Ndërkohë më 3 dhjetor Presidenti i Senatit Pietro Grasso, ndër figurat më të rëndësishme të së majtës dhe të Partisë Demokratike, u shkëput nga kjo forcë duke krijuar partinë “Liberi e uguali”. Atij i është bashkuar edhe Laura Boldrini, kryetare e parlamentit. Në fund të muajit janar sondazhet e projektonin këtë parti të re mes 6,5% dhe 7,4% në nivel kombëtar, me rreth 29 mandate në Dhomën e Deputetëve.

Qendra e djathtë – Askush nuk do ta besonte se pas krizës së rëndë financiare të Italisë në vitin 2011 dhe skandaleve financiare e seksuale, Silvio Berlusconi do të rikthehej faktor përcaktues në politikën italiane. Megjithëse vetë nuk mund të marrë asnjë post publik për shkak të dënimit nga gjykata, ai ka arritur të bashkojë partitë e djathta në një koalicion të vetëm. “Forza Italia” garon në koalicion me partnerin historik “Lega Nord”, tashmë të drejtuar nga Matteo Salvini dhe “Fratelli d’Italia” nga Giorgia Meloni. Kjo e fundit, 41-vjeçare, ka mbajtur postin e Ministres së Rinisë në qeverinë e fundit të Berlusconit 2008-2011 dhe ka qenë kandidate për kryebashkiake në Romë në zgjedhjet e vitit 2016 ku u rendit e treta.

Meloni, Salvini dhe Berlusconi
Meloni, Salvini dhe Berlusconi

Në çdo drejtim katalizatori i këtij koalicioni është Silvio Berlusconi, i cili herë pas herë ka provokuar edhe me emrat e kandidatëve të mundshëm për kryeministër. Fillimisht në media hodhi emrin e Leonardo Gallitellit, ish komandant i karabinierëve. Atë e pasuan emrat e Franco Frattinit, dy herë Ministër i Jashtëm në qeveritë e Berlusconit dhe Antonio Tajanit, President i Parlamentit Europian. Por më shumë se diçka serioze, kjo duket si një strategji e Berlusconit për të luajtur me nervat e partnerit të koalicionit, Matteo Salvini, i cili ka synime të qarta për të marrë postin e kryeministrit. Koalicioni me tre partitë e qendrës së djathtë projektohet mes 34-39% sipas sondazheve të fillim shkurtit, duke siguruar mazhorancën absolute në parlament por ende jo të drejtën për të formuar qeverinë. Lega Nord projektohet në shifrat e 13,5% kundrejt 16% të Forza Italia të Berlusconit. Dy shtyllat e fushatës së të djathtëve janë politikat ekonomike liberale me në qendër taksën e sheshtë dhe ashpërsimin e rregullave për emigrantët, ku Salvini ka premtuar dëbimin e 600,000 të tillëve.

Italianët shkojnë të ndarë në këto zgjedhje, ku me shumë mundësi dy do të jenë rezultatet pas katër marsit: Ose një qeveri e djathtë në kufijtë e 40% që do të ketë krizën e vazhdueshme të numrave të Parlament ose një qeveri me koalicion të gjerë. Në të dyja rastet, qëndrueshmëria e saj do të jetë shumë e brishtë./Tiranapost.al