Aktualitet

Ish-ministri teknik: Arrestime të tjera do të bëhen prej përgjimeve në dosjen Habilaj

Ish-ministri teknik i brendshëm  Dritan Demiraj ka komentuar çështjen e dekonspirimeve të operacioneve policore që janë përfolur në media dhe në opinionin publik, përgjatë ditëve të fundit pas dështimit të policisë për të arrestuar 3 ish-zyrtarë të saj të dyshuar si bashkëpunëtorë me Habilajt në rrjetin e tyre ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike.

Duke folur për emisionin “Kjo Javë”, Demiraj është shprehur se përgjegjës për këto dekonspirime mund të  jetë ose prokuroria ose SHÇBA, si dhe ka thënë se vetë ministri i brendshëm Xhafa duhet të mbaj përgjegjësinë e tij, pasi dekonspirimet bëhen në institucionin që është në varësi të tij.

Ish-ministri teknik, gjithashtu ka shtuar se edhe persona të tjerë do të kërkohen nga prokuroria për t’u arrestuar në ditët në vazhdim pas zbardhjes së mëtejshme të përgjimeve nga dosja “Habilaj”. K.H/ tiranapost.al