YouPost

Isa Boletini-sulltanit Abdul Hamid (1903): Unë s’kuptoj haldupishte! Dhe një mesazh për rusët

Isa Boletini-sulltanit Abdul Hamid (1903): Unë s’kuptoj haldupishte!

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Mars 2017/ Shkrimi në vijim, i 15 prillit 1903, botuar në gjuhën frënge nga gazeta armene, « Pro Armenia », ilustron bisedën mes patriotit shqiptar, Isa Boletini, dhe, sulltanit turk, Abdul Hamid.

Ky shkëmbim është marrë asokohe në gazetën shqiptare, « L’Albanie », me vendodhje në Gjenevë (Zvicërr). Kjo e fundit e ka siguruar atë nëpërmjet korrespondentit të saj në Turqi.

Biseda vë në dukje atdhedashurinë e Isa Boletinit, si dhe vizionin e tij ndaj influencës ruse në Ballkan. Edhe sot e kësaj dite, fjalët e patriotit shqiptar për rusët janë mëse aktuale.

Ja biseda në vijim :

Abdul Hamid : Mirësevini Isa Beu.

Isa Beu : Unë s’kuptoj haldupishte ! (Unë s’kuptoj turqisht).

Abdul Hamid (i drejtohet eunukut të tij) : Sill Tahir pashën (ky është një shqiptar shumë injorant, besnik i tiranit, drejtues i garnizonit shqiptar në pallat).

Tahir pasha hyn.

Abdul Hamid : Tahir pasha, uroni Isa beut mirëseardhjen nga ana ime.

Tahir pasha : Isa beu, Lart Madhnia e Tij thotë mirëserdhe.

Abdul Hamid : Tahir pasha pyesni Isa beun përse ai është kundra kaurëve (shprehje me të cilin turqit quanin me përbuzje ata që nuk ishin të fesë myslimane, pra një fyerje e Sulltanit ndaj të krishterëve).

Isa Beu : Tahir pasha, i thoni Madhërisë së Tij se nuk e kuptoj fare këtë fjalë « kaur » ; unë kuptoj fjalët mysliman dhe katolik.

Abdul Hamid : Kaur do të thotë armik i fesë sonë ; të gjithë të krishterët janë armiqtë tanë.

Isa Beu : Ne, ne jemi shqiptarët, ne kemi një atdhe ku populli shqiptar përbëhet nga tri fe. Pra, si mundet që shqiptarët katolikë të jenë armiqtë tanë ? Gjatë luftës dhe pas luftës ruso – turke, shqiptarët, pa dallim feje, morën armët kundra armiqve. Ne kemi luftuar së bashku me njëri – tjetrin kundër të gjithëve.

Abdul Hamid : Le ta mbyllim këtë diskutim të pavlerë. Përse Isa bej nuk e dëshiron konsullin rus të vendoset në Mitrovicë ?

Isa Beu : Çështja e konsullit rus është një çështje tërësisht politike. Ne, shqiptarët, nuk duam të kemi në zemër të atdheut shqiptar një fole sllave, aty ku nuk ekziston qoftë edhe një rus. Vendosja e konsullatës ruse në Shqipërinë veriore, si në rastin e Mitrovicës do të shkaktojë me kalimin e kohës trazira të mëdha mes shqiptarëve të krishterë dhe myslimanë. Rusia dëshiron të shkaktojë gjithmonë trazira në Ballkan, dhe jo të kontribuojë për paqen. Në qoftë se Madhëria e Tij dëshiron të na trembë me kozakët e rusisë, të cilët thuhet së do të vijnë me konsullin në Mitrovicë, shqiptarët do t’i shporrin me qëllim për të mbrojtur të drejtat e tyre kombëtare.

Abdul Hamid : Kjo nuk është e vërtetë. Ju lutem, Isa bej, të paktën, lëreni konsullin të vijë i vetëm, që të mos kemi probleme me moskovitët (term ofendues në turqisht ndaj rusëve).

Isa Beu : Ne e pranojmë konsullin me qëllim për të përmbushur dëshirën e sovranit tonë (komunikim diplomatik) ; por ne nuk duam të shohim tek ne kozakët ; rojet e konsullatës do të jenë bashkatdhetarët tanë.

Abdul Hamid : Shumë mirë, shumë mirë, shumë mirë ! Ne do t’i shkruajmë menjëherë ambasadorit rus. Unë jam shumë i kënaqur prej jush. A dëshironi që të ju bëj pasha në pallatin tim, pranë meje ? Do të keni të holla, shërbëtorë, etj.

Isa Beu : Jo Madhëri. Unë preferoj të qëndroj pranë fëmijëve, prindërve dhe bashkombasve të mi, duke punuar me ndërshmëri në vendin tim për të siguruar jetesën e familjes sime. Ju falenderoj për bujarinë ndaj shërbëtorit tuaj (Dihet shkëmbim diplomatik).

Abdul Hamid : Ju lutem edhe një herë, Isa Beu, mos krijoni trazira dhe demostrata kundër rusëve. Udhë e mbarë, Isa Beu. Përshëndetni nga ana ime të gjithë shqiptarët e mi që i dua shumë ?!!!

Isa Beu, pas një nderimi mjaft urryes, largohet nga pallati./ Tiranapost.al.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France