Showbiz

Intervistë/Të vërtetat e bukura të Claudia Cardinale-s. Pa dorashka, me shumë të qeshura

Intervistë/Të vërtetat e bukura të Claudia Cardinale-s. Pa

Për rrënjët e saj, për pagesat e këqija të Hollivudit, për burrat e që e dashuruan, për marrëdhëniet e tanishme me aktorët e gjeneratës së saj në Paris, për veshjet dhe çmendurinë që e karakterizon akoma. Claudia Cardinale, aktorja 81-vjeçare, nga më të bukurat në botë, në një intervistë plot të qeshura për Corriere della Sera

“E di që sapo kam kërkuar të marr pasaportën tuniziane?” Poshtë shtëpisë së Claudia Cardinale, përgjatë Senës, ambientalistët protestojnë dhe policia i ndjek duke iu hedhur gaz lotsjellës. Sirenat tani janë një zakon parizian – mitingje jeshile apo jelekë të verdhë, flamuj të zinj apo çisterna të kuqe - dhe Claudia të jep të qeshurën e parë të kësaj interviste plot me të qeshura. Ulur në një brasserie, me lëngje frutash dhe cigare, Claudia hyjnore është e çlirët dhe qesh aq shumë ("mamaja ime më thoshte se kjo është arsyeja pse mua nuk duken rrudhat!"), kurse vajza e saj Claudia ("Unë në të vërtetë doja ta quaja Ania, por Pasquale Squitieri tha jo: ajo do të quhet Claudia... ") është më e zhytur në mendime dhe qesh më pak, shpeshherë duke korrigjuar apo duke zëvendësuar nënën e saj në përgjigje: "Në Tunizi apo Paris mësohesh me sirenat. Po kurrë nuk mërzitem më këto gjëra, gjithmonë kam qenë pak e çmendur… (qesh). Babai im ishte një inxhinier hekurudhsh. Kur isha e vogël qëndroja pranë shinave dhe prisja që të kalonte treni që të kaloja mbi to. Atëherë makinistët i thoshin babait: vajza jote është e çmendur ...! (Qesh). Zjarri i Notre-Dame ndodhi për ditëlindjen time: do dilja të darkoja jashtë, dola në dritare dhe pashë zjarrin. Pastaj shkova atje dhe ndenja duke parë flakët gjatë gjithë mbrëmjes. Një imazh apokaliptik. Urat u bllokuan, një turmë e çmendur, njerëzit qanin.

Ndiheni më shumë pariziene, siçiliane apo tuniziane?

Gjysma tuniziane dhe gjysma italiane. Si vajzë e re duhej të mësoja italisht, në Tunizi isha frankofone, anglishtja studiohej në shkollë dhe në familje prindërit flisnin në dialektin siçilian, në mënyrë që të mos kuptoheshin nga ne fëmijët. Këtu në Paris jam ndier gjithmonë mirë, njerëzit më përshëndesin në rrugë. Por, pa harruar se marrëdhënia me të famshmit këtu është shumë ndryshme: në Itali kam ndryshuar tre adresa, thjesht për të hequr qafe paparacët. Të gjithë e dinin se ku isha, çfarë bëja. Një herë një djalë, që erdhi nga Nju Jorku, më trokiti në derë dhe më propozoi të jetonte me mua: i dhashë 50 mijë lireta taksistit dhe e dërgova përsëri në aeroport (qesh). Këtu njerëzit janë më të matur: një ditë, një zotëri m’u afrua i trembur për të më thënë se kur ishte i ri ishte i dashuruar me mua, por meqenëse nuk mund të shpresonte kot, kishte kërkuar në të gjithë Francën dikë që të me ngjante dhe ishte martuar...! (Qesh). Kjo shtëpi pariziene më ka kushtuar një djall e gjysmë: i përkiste familjes mbretërore, në fillim unë as nuk mund ta paguaja. Por ka kolona dhe a e dini se çfarë bëj unë? Vendos muzikë dhe kërcej rreth tyre! Pastaj ka Senën përpara: nganjëherë shoh meshkuj gjysmë të zhveshur nën urë, ata mendojnë se askush nuk i sheh, nuk e dinë që unë jetoj këtu lart, kështu që unë marr dylbitë dhe i shikoj nga pak ... (Qesh) Po, më pëlqen kjo zonë, sepse shoh ujë. Si në Tunizi kur isha vajzë e re

Me pasaportën tuniziane, do të jetonit përsëri atje?

Sapo kam xhiruar një film ku luaj rolin e gjyshes. Kisha frikë se mos më donin me flokë të bardhë. Por jo! (Qesh). Qëllimi është të tregojmë se si myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë dikur jetonin së bashku në Tunizi. Dhe ne italianëve na quanin Siçili të vogël. Familja ime vinte nga Ishulli i Femrave – atje ende të gjithë quhen Cardinale - dhe fqinjët tanë ishin rusë të arratisur nga revolucioni, maltezë, grekë. A e dini se në Goulette ende bëjnë ceremoni me Shën Mërinë dhe myslimanët marrin pjesë? Kjo është origjina ime. Kur shkoj atje, ndihem shumë mirë. Unë jam vajza e të gjithëve, kurrë nuk paguaj asgjë. Shkova edhe për të parë shtëpinë time përsëri.

Çfarë gjetët aty?

Trokita. Një grua u përgjigj në arabisht: Nuk mund ta hap, po bëj dush. Dhe unë: hë taniiii, më lër të hyj... Dhe ishte gjithçka njësoj, nuk kishin lëvizur asgjë, nuk kishin bërë kurrë asnjë punë! Dhoma ime, banjat, kuzhina: të njëjtat gjëra. Mora disa objekte. Ajo që ka ndryshuar është katedralja e Kartagjenës: e përdhosur. Kam shkuar aty me nënën time - sepse babai im Francesco kurrë nuk pranoi të kthehej në Tunizi - dhe zbulova se ata bënin kurse vallëzimi aty brenda. Nuk ka as varreza, ku janë varrosur gjyshërit: Nuk e di ku i kanë vendosur eshtrat.

Në vitet '70, ju nuk punonit më: producenti Franco Cristaldi donte t’ju ndëshkonte për largimin me regjisorin Squitieri. Dhe ringjallja ishte gjithnjë në Tunizinë tuaj...

Zeffirelli po xhironte "Jezusin" dhe ishte i pari që më dha një rol: rastësisht, kurorëshkelësen! (Qesh). Ishte kthimi im pas dy vjetësh në kinema. Cristaldi kishte bllokuar gjithçka, vendosi një veto në emrin tim. Ishte një moment shumë delikat. Kisha zbuluar që nuk kisha asnjë qindarkë në bankë, prindërit e mi ishin skandalizuar: po si, me të gjithë filmat që ke bërë? ... Zbulova që unë isha paguar si një punonjëse e thjeshtë, katër tituj në vit, me pagë mujore. Cristaldi planifikoi gjithçka. Ai ishte i dashuruar me mua, edhe pse unë kurrë nuk u tundova. Shtëpitë, bizhutëritë i kisha por nuk i pashë gjëkundi paratë që fitoja. Është e qartë që më kanë shfrytëzuar. Nëse sot aktoret akoma nuk paguhen mirë në krahasim me meshkujt, atëherë ishte edhe më keq. Unë ua theva lodrën. Sot, me fëmijët e Cristaldit, marrëdhëniet janë... ç'ka: u bë një dokumentar për mua, ata nuk më dhanë të drejtat ... Durim!

Ndërkohë ju keni një shtëpi plot me trofe, ju ftojnë atë kudo ...

Unë jam 81 vjeç dhe kam bërë 181 filma. Më shumë sesa Sophia Loren dhe Gina Lollobrigida. Dhe kam kam një jetë të mbushur. Në Amerikë, nuk e di se sa. Në Tunizi bënë një ekspozitë për mua. Jam Ambasadore e UNESCO-s, angazhohem me Amnesty, me fëmijët në Kamboxhia, homofobinë, SIDA-n ... Më ftojnë kudo. Ndonjëherë ndodhin gjëra të çuditshme. Një muze i vogël në 2013 më huazoi Davidin që e kisha fituar për filmin “Il giorno della civetta”. Dhe nuk ma kthyen kurrë! (Qesh). Më është dashur angazhoj avokatët.

Po ankandi me 130 veshjeve tuaja?

Ma organizoi Sotheby's, këtu në Paris. Të gjitha veshjet e viteve '60, kur vishja Capucci, Balestra, Nina Ricci ... i mbaja aty në Romë, nuk më interesonin më. Unë vesh Armani që në kohën kur ai quhej thjesht Mani. Por pastaj fëmijët e mi menduan që ato veshje kishte rrezik të shkatërroheshin: aty është xhaketa me temina që kam veshur për Çmimet Oscar, rrobat e skenës së Magnifico cornuto... Një fustan nga filmi Gattopardo: shumë i rëndë, më bënte copë. Më shtrëngonte aq shumë sa Alain Delon rrethonte pëllëmbët rreth belit tim. Një mbrëmje Visconti hyri në dhomën time të zhveshjes dhe pa që isha gjakosur. "Claudia, pse nuk më the që po vuan?" "Sepse nuk jam unë që vuaj, është Angelica", personazhi im ... (një e qeshur e madhe).

A takoheni ndonjëherë me Delon, Belmondo, Bardot?

Pak. Kur Delon mori çmimin në Kanë, ai ishte në Zvicër dhe më telefonoi për të më thënë: Unë dua që ti të vish me mua. Brigitte Bardot e adhuroja. Më parë takoheshim shpesh, por tani është me një simpatizant të Le Pen. Epo jo, më vjen keq, nuk mundem më: sa herë e telefonoj përgjigjet ai! Në fakt mua për botën e kinemasë as që më bëhet vonë fare. Kur isha vajzë e re kam dashur të eksploroj. Në fakt, ishte motra ime Blanche ajo që shpresonte të bëhej aktore. Unë qëndroja larg, sepse nuk doja të vidhja ëndrrën tuaj. Sot rri larg për të qëndruar me vajzën, nipërit dhe mbesat.

Në Hollywood kishit plot miq ...

Më i madhi, Rock Hudson. Atëherë kishte shumë urrejtje ndaj homoseksualëve, unë bëra sikur isha e dashura e tij. Ai mori SIDA nga një anglez. Më thirri para se të vdiste, donte të më kishte pranë.

Marlon Brando më vinte rrotull. Një natë trokiti në derën time dhe më tha: "Unë jam Dashi, njësoj si ti. Do bëjmë dashuri?" E flaka jashtë. Po pastaj i thashë vetes: budallaqe! Pse duhet ta përzija?... (qesh).

Rita Hayworth më bëri njëherë të qaja: erdhi në rolotin tim, më vështroi gjatë dhe më tha se edhe ajo kishte qenë e bukur kur ishte e re. Ajo nuk pranonte të plakej. Unë po. Unë u mësova me rrudhat e mia…

John Wayne, nga ana tjetër, ishte gjigande, e çmendur dhe kishte një zemër e madhe. Në set ajo kishte një karrige të madhe, me emrin e saj të shkruar me gërma të mëdha, ndërsa unë isha një vajzë e re akoma dhe kisha një karrige anonime. Ajo më dhuroi një si e saja me mbishkrimin "Claudia Cardinale". E kam akoma.

A mund të thuhet sot se me Marcello Mastroianin ishte dashuri?

"Jo, jo! Njëherë na ftuan në një transmetim televiziv. Kur shkova ai ishte me Katerina Deneuve. Ai ngrihet dhe më thotë: "Shiko, unë isha i dashuruar me ty, por ti kurrë nuk e besove" ... Nga ajo ditë Deneuve më urren. E takoj këtu në Paris dhe ajo ende nuk më përshëndet. Por unë kurrë nuk kam pasur një histori me të. Në filmin tonë të parë, "Il bell'Antonio", ai më puthte e më puthte. Por ku ta dija unë se ishte i dashuruar? Unë kam dashur vetëm një njeri në jetë: Pasqualen.

Si shkoi me Carlo Cassola-n për çmimin “Strega”? Ishit shumë e re, i tronditët të gjithë duke e puthur në publik ...

Sapo më kanë kërkuar një dëshmi, për një libër që po bëjnë për të dhe për “Bebo’s Girl”. A e di që Cassola-n s’e kujtoj dhe aq mirë? (Qesh).

Po Macron-in?

E kam takuar para se të bëhej president. Në një festë ai më tha që kishte parë të gjitha filmat e mi, se unë kisha qenë ëndrra e tij. Pastaj më prezantoi me mësuesen që u bë gruaja e tij: Isha 12 vjeç, më tha, dhe isha i dashuruar me të...

Pse u zutë me Bob Dylan?

Ai bëri një disk dhe vendosi një fotografinë time në kopertinë. Por nuk kishte kërkuar autorizim. Ishte thjesht një kënaqësi për mua të imagjinoja një fitues të ardhshëm të çmimit Nobel ... Ishte Cristaldi ai që e paditi. Dylan duhej t'i tërhiqte, por disa nga ato disqe janë akoma vërdallë.

Ju kanë intervistuar me qindra herë...

Moravia ishte më i miri: Unë e takova rastësisht në Romë. Ai më kërkoi që të shkoja tek ai dhe më pyeti vetëm për trupin tim. Unë nuk e kuptoja që ishte një intervistë. Pasolini foli për këndin e syve të mi. Pastaj Enzo Biagi ... Mbaj mend shumë pak intervistën me Oriana Fallacin. Por gjënë më të bukur për mua e ka thënë David Niven: "Bashkë me makaronat, Claudia është shpikja më e mirë e italianëve". Disa muaj më parë bëra një intervistë në Rai, por ishte një gabim: pyetjet duhej të ishin të tjera. Mara Venier po kërkonte vetëm të bënte shoë. Më pyeti për përdhunimin kur isha vajzë e re dhe për djalin që vendosa ta mbaja. Është një temë që unë nuk dua ta prek kurrë: Unë thjesht i thashë që djali im tani jeton në shtëpinë time me gruan e tij, kemi një marrëdhënie të bukur.

A është e vërtetë që keni shkuar për vizitë tek Papa dhe keni veshur minifund?

E bleva në Londër, tek Mary Quant. Duhet të them që ato ishin vite më të lira se sot, pavarësisht aparencës. Edhe në Tunizi, madje. A e dini se bikini u vesh atje më parë në Kanë? Në filmin tim të parë, me Omar Sharif, unë isha fëmijë dhe Jacques Baratier më vuri të aktroja mbuluar me vello sepse luaja rolin e një arabeje. Pastaj më shihte dhe thoshte: po pse ta vura atë vello? Pastaj më bëri ca fotografi me bikini që përfunduan nëpër kopertina (qesh). Kur shkova në Vatikan me këmbët zbuluar, paparacët më thanë: Je çmendur? Ku shkon e veshur kështu?

Po minifundin e nxorrët në andand?

Nuk munda ta gjej më. Ndoshta e ka mbajtur Papa. (një e qeshur e madhe)!/Tiranapost.al