Aktualitet

Intensifikohen bisedimet për krizën

Jo vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe vetë Gjermania me në krye kancelarin Angela Merkel, vijojnë të jenë tepër të angazhuar për një shans të fundit që PD të dalë nga çadra.

Dhe kjo përpjekje e fundit e Merkel mban emrin e deputetit të CDU-së Andreas G. Lammel. Ky i fundit prej ditës së djeshme ndodhet në Tiranë, një vizitë kjo e pa bërë publike.

Mësohet se ai ka zhvilluar takim me kreun e PD Lulzim Basha dhe krerë të partive të vogla rreth tij, ku është njohur nga afër me kërkesat dhe qëndrimet e tyre. Por në të njëjtën kohë Lammel u ka parashtruar demokratëve edhe qëndrimin e Merkel.

Në këtë kuadër, deputeti gjerman mësohet t’I ketë paraqitur Bashës ofertën e fundit për të zgjidhur krizën.

“Të mos ketë kërkesa maksimaliste; që do të thotë se duhet shmangur ajo për dorëheqjen e kryministrit.” është kushti që Lammel i ka paraqitur Bashës, në një raund të fundit negociatash mes mazhorancës dhe opozitës.

Gjithashtu, i dërguari i radhës i Merkelit i ka qartësuar se kjo do jetë përpjekja e fundit.

Kjo është përpjekja e dytë që Gjermania dhe personalisht Angela Merkel bën për të zgjidhur krizën politike shqiptare. Pak javë më parë, mbërriti në Tiranë I besuari i Merkel, eurodeputeti MCallister, i cili pavarësisht ofertës bujare për opozitën, nuk arriti ta bindë Bashën të dilte nga çadra.

Ky shans i fundit që Merkel po i jep PD-së dhe Lulzim Bashës vjen në një kohë kur edhe SHBA është e angazhuar po për një mundësi të fundit. Të hënën vjen në Tiranë zv/ndihmës sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee, posaçërisht për të zgjidhur krizën politike.  E.C/Tiranapost.al