Aktualitet

Instituti i Tony Blair ngre alarmin: Mos mendoni se është trend ikës, populizmi mund të pushtojë Europën

“Vala e populizmit” e cila ka përshkruar të gjithë kontinentin europian përgjatë viteve të fundit dhe që ka kulmuar në vitin 2016 me BREXIT dhe zgjedhjen e Donald Trump si president i SHBA-së, nuk është një fenomen politik drejt zhdukjes, apo në grahmat e fundit të tij, por një hov që ende nuk ka arritur pikën kulminante të fuqisë së saj.

Në këtë konkluzion ka dalë “think-tank” i ish-kryeministrit britanik Tony Blair në një raport të përpiluar nga një numër i madh politologësh dhe ekspertësh të ekonomisë dhe sigurisë. Në raport shkruhet se “kërcënimi populist” nuk duhet parë me eufori si diçka sporadike, apo një votë proteste që do të shuhet së shpejti, por të gjitha indikacionet dhe sondazhet tregojnë se do të ketë rritje elektorale të tyre si në lindje ashtu edhe në perëndim të kontinentin europian.

Aktualisht në fund të vitit 2017 populistët kanë marrë nën kontrollin e tyre politik Bosnjën, Bullgarinë, Republikën Çeke, Hungarinë, Poloninë, Serbinë dhe Sllovakinë, duke dominuar kështu lindjen e Europës. Raporti paralajmëron “normalizimin” e politikave të ekstrmeve teksa mbështetja e tyre elektorale rritet dhe arrijnë të hyjnë në koalicione qeverisëse si në rastin e Austrisë.

Gjermania dhe Suedia duhet të jenë dy shembujt më konkretë të këtij fakti, teksa ndonëse të dy shtetet nuk u goditën nga kriza ekonimike dhe  nuk ka shkak për të votuar “establishmentin” politik, përsëri anti-globalizmi, frika nga emigrantët dhe skepticizmi ndaj ndryshimeve ka bërë që partitë e esktremit të djathtë ndonëse nuk kalojnë 15% kanë arritur të shkaktojnë tërmet politik dhe të pamundësuar krijimin e koalicioneve qeveritare.

Raporti nënvizon dhe zhdukjen nga harta politike e socialistëve në Europë, teksa në Francë nga parti qeverisëse shkuan në 5%, në Gjermani morën rezultatin më të dobët që pas Luftës së Dytë Botërore, në Greqi kanë shkuar në 6% nga partia më e madhe në vend, në Holandë u renditën të katërtit nga partia qeverisësë dhe po ashtu në Austri qeveria e majtë u parakalua jo vetëm nga rivalët historikë të së djathtës, por edhe nga populistët duke marrë rezultatin më të dobët elektoral në histori.

Instituti për Ndryshime Globale, i Tony Blair identifikon si shkaktar primar të këtyre ndryshimeve frikën nga emigrantët, por edhe një nevojë për politika më liberale ekonomike, teksa klasa punëtore gjithnjë dhe më shumë i sheh interesat e saj të njëhësuara me interesat e punëdhënësve. Më tepër njerëz besojnë se shteti social është i paarritshëm në këto kushte dhe kërkojnë një rol më të pakët shtetëror në ekonminë e vendeve.

Sipas projeksionit të këtij instituti për vitet e ardhshme pritet që të ketë më shumë populizëm dhe rritje të numrit të qeverive të kontrolluara nga subjekte politike të ekstremit të djathtë. Pyetja që shtrohet është “A do të arrijë projekti europian dhe rendi botëror politik që ne njohim t’i mbijetojë kësaj vale populizmi, apo do të ketë rikonceptim të jetës politike dhe parimeve mbi të cilat shtetet operojnë?”. K.H/ tiranapost.al