Aktualitet

Institucionet e drejtësisë në ngërç/ Kuvendi i përgjigjet Presidentit Meta: Shorti do hidhet më 7 dhjetor

Ngritja e institucioneve të drejtësisë, po pengojnë zinxhir njëri-tjetrin dhe kështu ka një ngërç, ka thënë Presidenti Ilir Meta.

Institucioni i radhës i rrezikuar është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Ligji i ri parashikon që Presidenti duhet të hedhë shortin deri në datë 5 dhjetor, por ka vakum, pasi institucionet e KLGJ dhe KLP që duhet të sjellin kandidaturat për KED ende nuk janë ngritur.

Kështu Presidenti, Ilir Meta i ka nisur një letër Kuvendit pasi është konsultuar më aprë për këtë ngërç me Euralius.

Sipas Report TV në letër Presidenti Meta kërkon nga Kuvendi që të zgjidhet boshllëku ligjor, “duhet të hedh shortin deri në 5 dhjetor për KED, por ka vakum. Kandidaturat i sjell KLGJ e KLP, por këto dy institucione nuk janë formuar. Kuvendi bëri ligjin për institucionet e reja, kërkoj të zgjidhni boshllëkun ligjor”.

Ndërsa Kuvendi i ka kthyer përgjigje Presidentit Meta, duke zyrtarizuar datën 7 dhjetor për hedhjen e shortit për KED.

"Në mbështetje të pikës 3 të nenit 149/d dhe pikës 11 të nenit 179 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 284 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në datë 7 dhjetor 2017 ora 10:00, do të hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Hedhja e shortit do të zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë.

Shorti është i hapur dhe zhvillohet në prani të: -përfaqësuesve të dërguar nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë

-përfaqësuesve të grupeve parlamentare

-përfaqësuesve të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë dhe organizatave partnere ndërkombëtare

-medias"./ Copyright Tiranapost.al