• Shqip
  • English
  • E hënë, 18 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    INSTAT: Familjet e reja shpenzojnë pak për ushqime në shtëpi, por shumë në restorante


    Më shumë se një e pesta e shpenzimeve nga familjet e reja shkon për të siguruar shtëpinë. Sipas të dhënave të INSTAT të publikuara në Anketën e Buxhetit të Familjeve 2018, rreth 22.6% e shpenzimeve e familjeve me kryefamiljar deri në 24 vjeç, ishin për shtëpi, duke mbajtur kështu rekord krahasuar me familjet, ku kryefamiljari ka një moshë më të madhe. Në të njëjtën kohë familjet me kryefamiljar të ri kanë shënuar peshën më të ulët të shpenzimeve për sa i përket ushqimeve, me vetëm 26.9%. Ndërkohë që në vend të tretë për nga pesha renditen shpenzimet për arsim, ku sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, pesha e tyre gjatë 2018-s ishte 15%.

    Monitor, në analizën e publikuar shkruan se një peshë të konsiderueshme kanë edhe shpenzimet për restorante, ku rreth 9.6 të totalit të shpenzimeve familjet me kryefamiljarë të rinj i kanë pasur për këtë kategori. Ndërkohë që kanë shënuar shpenzimet më të ulëta për shëndet me vetëm 0.5% të totalit, për transport me një peshë prej 2.5%, pije alkoolike dhe duhan me 2.8%.

    Në ndryshim nga të rinjtë, familjet me kryefamiljarët më të rritur kanë një peshë më të lartë të shpenzimeve për ushqim, ndërsa shpenzimet për shtëpi, arsim dhe restorante janë më të ulëta.

    Kështu, një familje me kryefamiljarin me moshë 35-44 vjeç, shpenzon për ushqime 43.5% të totalit të shpenzimeve për ushqime, rreth 11.1% të tyre për shtëpi,, rreth 2.7% për arsim, dhe 5.1% për restorante. (shiko tabelën) Ndërsa shpenzimet më të ulëta i kanë pasur për shëndetësi, ku në 2018-n zinin rreth 3% të totalit të shpenzimeve.

    Anketa e Buxhetit të Familjes 2018 u krye nga INSTAT përgjatë gjithë vitit, me një kampion prej 9.384 NjEF. Në përfundim të vrojtimit u intervistuan rreth 7.559 NjEF të shpërndara në mënyrë uniforme në të gjithë territorin e Shqipërisë./ Referuar Monitor/ Tiranapost.al. 

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post