Aktualitet

Indro Montanelli, gazetari që refuzoi të ishte politikisht korrekt

Një përsiatje në jetën e gazetarit të madh italian të “Corriere della Sera” i cili nuk pranoi kurrë të bënte kompromise në kurriz të së vërtetës. Nga raportimi i luftës në Shqipëri, te bashkëpunimi dhe ndarja me Silvio Berlusconin, kjo është jeta kontroverse e gazetarit që ka shkruar postulatin më të mirë për çdo gazetar: Kush dëshiron të bëhet gazetar, duhet të zgjedhë pronarin e tij, Lexuesin!

Indro Montanelli gjithmonë  e quante veten si “i dënuar me gazetarinë”, duke parë tek ajo një vokacion, një nevojë të patjetërsueshme të përcaktuar nga fati. Ai e praktikoi gazetarinë me art dhe pasion, ndërsa gjatë gjithë jetës së tij nuk mungojnë edhe veprimet e pamatura që i shkojnë për shtat një aventurieri të një kohe tjetër, por gjithmonë në emër të së vërtetës.

Në planin politik Montanelli ishte një konservator-liberal, kundërshtar i ashpër i socializmit, por pa hezituar që të shkruajë kritika për sistemi kapitalist. Asnjëherë nuk u përfshi në politikën aktive, sepse besonte fort se detyra e gazetarit ishte vetëm ajo e tregimit të së vërtetës. Por jeta e tij u kryqëzua shpesh herë me politikë, pasi vendosmëria dhe shpirti i lirë ndeshej me burrat e pushtetshëm të kohës. Ai nuk pranoi kurrë të ishte “politikisht korrekt”.

“Shteti ju jep një pozicion. Sipërmarrja ju jep një punë.”

Indro Alessandro Raffaello Schizogene Montanelli lindi në Fucecchio më 22 prill të vitit 1909. Rininë e kaloi në provincën toskane, ndërsa në moshën 11 vjeçare tek ai u vu re një formë e lehtë depresioni. Kjo sëmundje e pengoi për një vit të tërë që të mos frekuentonte shkollën, ndërsa shpesh herë natën e kapnin kriza paniku. Ky shqetësim do ta ndiqte për gjithë jetën.

220px-IndroMontanelli

I riu Montanelli u rrit me idealet e fashizmit, ashtu si çdo moshatar i tij, por duke mbajtur gjithnjë një sy kritik. Pas mbarimit të gjimnazit, u diplomua fillimisht në Drejtësi e më pas në Shkenca Politike dhe Sociale. Bashkëpunimin e parë e pati me revistën Frontespizio. Në ato vite mori edhe një lavdërim nga vetë Benito Mussolini, i cili kërkoi takim për ta përgëzuar për shkrimin e një artikulli mbi racizmin. “Ke bërë shumë mirë që e shkruajte këtë artikull, racizmi është diçka që i përket biondëve”, i tha diktatori fashist.

Më pas u transferua në Paris ku shkruante për Paris-soir, ndërsa aftësitë e tij prej kronisti u vlerësuan edhe matanë oqeanit ku pati bashkëpunime me gazeta njujorkeze. Kur Italia pushtoi Etiopinë, Montanelli u fut në radhët e ushtrisë në Afrikë ndërsa në vitin 1938 u rikthye në Itali duke filluar punë si gazetar në Corriere della sera e për më tepër duke marrë përsipër vullnetarisht raportimin e luftës në Shqipëri. Ishte gjithashtu në Poloni, Estoni dhe Finlandë. Më pas u dërgua në Francë, Greqi e sërish në Shqipëri, duke lënë një dëshmi të çmuar për luftën italiane në vitet 1939-1943. Gjithmonë arrinte të ishte në vendin e duhur, në momentin e duhur për të dokumentuar eventet më të rëndësishme historike.

“Kush dëshiron të bëhet gazetar, duhet të zgjedhë pronarin e tij: Lexuesin!”

Për shumë kohë punoi në Corriere della Sera, ndërsa në vitet ’70 marrëdhëniet e tij me të majtën u tensionuan aq shumë sa që u largua nga kjo gazetë për shkak të orientimit majtas të linjës editoriale. Në vitin 1974 me mbështetjen financiare të shoqërisë Montedison themeloi Il Giornale nuovo. Në krye të kësaj gazete tregoi një frymë kontroverse, duke thyer konformizimin. I famshëm është sllogani “Të mbyllim hundët” duke i ftuar italianët për të votuar Demokracinë Sociale. Kjo frazë është përdorur më pas nga shumë politikanë në shumë vende të botës, për të treguar votën e sforcuar për një ligj apo një kauzë.

Indro_Montanelli_con_Berlusconi

Pasi marrëdhëniet financiare me Motedison u prishën, Il Giornale do të gjente mbështetje te sipërmarrësi i ri nga Milano, Silvio Berlusconi. Raportet mes të dyve në fillim do të bazoheshin te përfitimi i ndërsjelltë, ku Berlusconi ishte pronari dhe Montanelli drejtuesi i vetëm i gazetës. Por në vitin 1994 pas skandalit të “Duarve të Pastra” të Berlusconit, kërkesat e bosit milanez ndryshuan aq shumë sa që Montanellit iu kërkua të mbështeste hapur në gazetë partinë e tij “Forca Italia”. Ai, që kishte refuzuar të hynte vetë në politikë, nuk e pranoi diçka të tillë duke u larguar nga drejtimi i gazetës.

Vitet e fundit i kaloi në Il Corriere della sera, duke shkruar rubrikën “Dhoma e Montanellit”. Në korrik të vitit 2001, pak ditë para vdekjes në moshën 92-vjeçare (si sot, më 22 korrik) pas një jete të gjatë dhe plot eksperienca, shkroi artikullin e fundit, një lloj testamenti ideologjik. Në të mbështeste idenë e një socializmi të reformuar, të moderuar dhe jo ekstremist. Pasi mendonte se njerëzimit do t’i duhet të gjejë të mesmen e artë mes kapitalizmit dhe sistemit socialist dhe se në të ardhmen do të ketë pa asnjë diskutim reforma në dobi të të drejtave sociale./Përgatiti Erjon Uka për Tiranapost.al