Kryesore Politikë Te gjitha

Implikimi i Tahirit/ Basha-Kryemadhi: Të largohet Rama, kemi fakte se është i lidhur me krimin


Pas përfundimit të mbledhjes së partive opozitare në vend, kanë dhënë nganjë prononcim për mediat kreu i PD-së dhe kryetarja e LSI-së. Në fokus të takimit, sipas të dyve, ishte luftimi i krimit qeveritar dhe krijimi i një Fronti të Bashkuar Opozitar për këtë gjë.

Edhe Basha edhe Kryemadhi thanë se implikimi i Tahirit ishte vetëm maja e ajsbergut, duke theksuar se për ta është “kryeministri Rama, përfaqësuesi kryesor i narkoshtetit”.

Basha tha se ai ka prova e fakte që Rama është i lidhur me krimin.

“Kemi dalë me një qëndrim të përbashkët nga mbledhja. Ne do të krijojmë një front të ri opozitar kundër krimit. Pjesë e saj janë të gjitha partitë të cilat ju përgjigjën ftesës sime. Shqipëria ndodhet përpara një gremine të vërtetë,” tha Basha.

Ndërsa Kryemadhi u shpreh se kjo ishte vetëm tryeza e parë e opozitës, duke paralajmëruar se do të ketë edhe mbledhje të tjera të këtij lloji.

Çdo ditë e më shumë po i marrin frymën Shqipërisë. Mbledhja e sotme ishte një sinjal pozitiv. Ky front do të nisë të gjithë angazhimin e tij për të nisur luftën ndaj narko-shtetit që drejtohet nga Edi Rama. Protestat vijnë nga populli. Populli duhet të besojë tek ata që e drejtojnë. Fronti do të jetë më inspiruesi që kanë pasur shqiptarët këto 27 vjet. Të rizgjojmë ndërgjegjen kombëtare. Ka ardhur momenti, të bëjmë një gjë të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët,” tha Kryemadhi.

Foto nga mbledhja e iniciuar nga PD-LSI.

Mbledhja e opozitës zgjati për rreth 40 minuta. Takimi u zhvillua pa praninë e mediave. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe kreu i Republikanëve, Fatmir Mediu, i LZHK-së Dashamir Shehu, i PAA-së, Agron Duka, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kryetari i PDK-së Nard Ndoka, si edhe kryetari i “Zgjidhjes”, Koço Kokëdhima.

Deklarata e plotë me shkrim e partive opozitare: 

Kriminalizimi i zgjedhjeve të 25 qershorit përmes parave të drogës dhe përfshirjes së kriminelëve dhe bandave është provuar tërësisht me faktet tronditëse të ditëve të fundit, të cilat janë asgjesuese dhe pa asnjë ekuivok.

Demokracia në Shqipëri ndodhet në një moment kritik dhe në një udhëkryq tepër të rrezikshëm pasi qeveria është bërë frymëzuese dhe mbështetëse kryesore e trafiqeve dhe veprimtarisë kriminale duke tronditur nga themelet sigurinë individuale të çdo qytetari dhe të shtetit në tërësi.

Ky moment shumë i vështirë që po kalon vendi dhe qytetarët shqiptarë na imponon:

Krijimin e një Fronti të Bashkuar Opozitar kundër Krimit me të gjithë partitë politike, që kanë këtë vetëdije për rrezikun madhor që po kalon vendi.

Jemi të bindur se drejtuesi dhe përgjegjësi kryesor i lidhjeve të krimit e narkotrafiqeve me kupolën e lartë të shtetit dhe përfaqësuesi kryesor i narkoshtetit, interesave të oligarkisë dhe të korrupsionit është kryeministri Edi Rama.

Ky Front kërkon:

Largimin e kryeministrit nga drejtimi i qeverisë si përgjegjësi kryesor i lidhjeve të krimit me kupolën qeverisëse, si përfaqësuesi i interesave të korrupsionit dhe oligarkisë, si ideatori dhe realizuesi i blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve.

Krijimin e një qeverie të antimafias dhe reformës zgjedhore me mandat të përcaktuar që të cojë vendin drejt zgjedhjeve për të rivendosur legjitimitetin.

Fronti shprehet i vendosur që së bashku me qytetarët do ta realizojë me të gjithë mjetet demokratike këtë kërkesë.

Ky Front i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë urgjent dhe të kryejë me shpejtësi, në përputhje me dispozitat kushtetuese e ligjore, hetimin për ish-Ministrin Sajmir Tahiri dhe në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane dhe te tjere, të kryejë të gjithë veprimet e nevojshme për të vënë para drejtësisë të gjithë individët e implikuar në trafikun e drogës dhe të armëve, të zbuluar së fundmi.

Të hetojë edhe lidhjet e ministrave të tjerë të kesaj qeverie me trafiqet dhe implikimin e tyre në bashkëpunimin kriminal për blerjen e votës në 25 qershor 2017.

Ky Front i bën thirrje cdo organizimi qytetar, apo të shoqerisë civile si dhe cdo qytetari të ndershëm të bëhet pjesë e kësaj beteje historike me krimin për të mbrojtur sistemin tonë demokratik, sigurine kombetare dhe të ardhmen e fëmijve tanë.

Fronti do të mbeshtese me vendosmeri:

Zbatimin e Reformës në Drejtësi për të siguruar DEKRIMINALIZIMIN E POLITIKES ndëshkimin e drejtuesve të lartë të shtetit të implikuar në afera korruptive, pasuruar në mënyrë të paligjshme, të lidhur me krimin e narkotrafiqet si dhe Realizimin e një Reforme Zgjedhore gjithpërfshirëse që garanton shpërbërjen e lidhjeve të krimit me politikën, eleminimin e përdorimit të parave të korrupsionit, krimit e narkotrafiqeve për blerjen e votës, me objektivin e zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.E.D/Copyright Tiranapost.al/ Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]

 

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *