• Shqip
  • English
  • E martë, 18 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Bëje me arkitekt Të gjitha

    Imperfektja është më e bukura


    Ingrid Martini, Arkitekte/ Në numrin e fundit të edicionit të ElleDecor Italia, po lexoja për një arkitekt që e kam shumë përzemër, Axel Vervoordt.

    Axel Vervoordt është një interior designer belg, tregëtar antikuariatesh dhe koleksionues i tyre, dhe konsiderohet një ndër më origjinalët dhe influencuesit, në katër dekadat e fundit, në fushën e artit dhe design-it.

    Vervoordt ka një përqasje unike në mënyrën se si koncepton arkitekturën e brendshme, në përshtatje me kultura të ndryshme e periudha të ndryshme historike. Përveçse dy pasioneve kryesore. Të  merret me antikat dhe interior design, ai është gjithashtu një kurator, dizenjator mobiljesh, dhe scout talentesh, i cili ndihmon të marrin vëmendje artistë, këngëtarë, performues.

    U zgjata pak në përshkrimin e tij, për të treguar sesa diapazon të gjerë e multimedial, sa poliedrik është.

    Ndërkohë, ajo që tërheq vëmendjen në punët e tij është se Axel Vervoordt beson fort në bukurinë e të thjeshtës, e në harmoninë e imperfeksioneve. Ai e vendos theksin, në punët e tij, në material si druri i ricikluar, i ripërdorur, material me prejardhje e me histori, antika, ngjyra të mekura e gjithashtu pëlhura të pasura. Një ndër punët e tij më të spikatura është TriBeCa Penthouse, e shumëpërfolura New York’s Greenwich Hotel, porositësi i së cilës ishte pikërisht Robert De Niro.

    Foto nga TriBeCa Penthouse
    Foto nga TriBeCa Penthouse
    Foto nga TriBeCa Penthouse

    Një nga teoritë, e cila e bën unik këtë personazh kaq të rëndësishëm të botës së interierit dhe design-it, është pikërisht aplikimi i gjerë dhe admirimi që ka për Wabi-sabi.

    Po çfarë është Wabi-sabi?

    Në terminologjinë estetike japoneze, Wabi-sabi është një term i cili përqendrohet në pranimin e përkohshmes dhe të imperfektes. Ky term estetik në shumë raste përshkruhet si një lloj bukurie e cila është “e papërsosur, e paplotë, dhe e përkohshme”. Ky është një koncept, i cili vjen nga Budizmi, e që na mëson 3 shenjat e ekzistencës.

    Karakteristika të Wabi-sabi  janë tipare që përfshin asimetri, vrazhdësi, thjeshtësi, ashpërsi, leverdi, modesti, intimitet, si edhe vlerësimin e integritetit të mençur të objekteve dhe proceseve natyrore.

    Në fakt, është një filozofi apo stil jetese, por që padiskutim vjen edhe për ambientin e objektet që na rrethojnë.

    Në Japoni, objektet e thyera, por veçanërisht tasat e ceremonisë japoneze të çajit, nuk hidhen në mbeturina. Ato shpesh riparohen me ar. Kjo e metë konsiderohet si një tipar që e bën objektin unik e që i shton vlerë e bukuri. Ndaj mund ta konsideroni këtë edhe në rast kur ju thyhet zemra e ndjenjat.

    Foto të objektve të riparuara sipas filozofisë Wabi-sabi
    Foto të objektve të riparuara sipas filozofisë Wabi-sabi
    Foto të objektve të riparuara sipas filozofisë Wabi-sabi

    E sigurt është që këto parime gjejnë zbatim edhe në shume objekte, finitura e aspekte jetësore. Dhe thelbi ashtu si në rrugëtimin tonë në jetë, është që të shohim të bukurën përtej parimeve bazë që na mëson shoqëria, estetika, mentaliteti. Pasi është kaq qetësuese të heqësh dorë nga të qenurit perfekt, ose më saktë, nga obsesioni për të qenë perfekt (unë personalisht, nuk njoh ndonjë që e konsideron veten të tillë), dhe të përpiqesh të pranosh detaje e tipare ashtu siç janë. Niveli superior është t’i duash të ashtuquajturat “defekte”, e mandej t’i kthesh ato në pika force.

    E di që tingëllon utopike, por po t’ju sjell në vëmendje shembuj si vetullat e Cara Delevingne, nishani që Marylin Monroe e vizatonte vetë, format e kolme të Ashley Graham, ngjyrën çokollatë të lëkurës së Alek Wek, apo dhëmbët e ndarë në mes të Vanessa Paradis, besoj se e kuptoni se përse po flasim.

    E njëjta teori vlen për finitura, objekte, apo edhe interiere. Një mur i vjetër i papatinuar, por i riparuar në suva, në fino, i grimcuar, i granuluar, me shenjat e dorës e mistrisë së punëtorit që e ka punuar, është unik. Është i bukur pikërisht sepse është i papërsosur, është kaq i çlirët, i shpenguar.

    Foto ilustruese për muret e dyshemenë
    Foto ilustruese për muret e dyshemenë
    Foto ilustruese për muret e dyshemenë

    Në termat e interior design-it kjo do të thotë të pëlqesh e të vlerësosh prezencën e plasaritjeve, krisjeve, gërvishtjeve. Do të thotë të dashurohesh me simbolikën kohës që ka kaluar përmes tyre.

    Është si të duash një gjyshe , si ato që njohim ne, plot me rrudha, e gishta të shtrembëruar nga reumatizma. Nga ato që i sheh e të vjen t’i puthësh, se rrezatojnë fjalë të ëmbla. E imagjinoni dot se si do t’ju dukej një gjyshe e “hekurosur”? E patinuar? Si Donatella Versace?

    E për ta mbyllur, po ia marr hua disa fjalë, Axel Vervoordt:

    “Simplicity is the ultimate sophistication”.

    Paçi një fundjavë të thjeshtë!/ Blogu – Bëje me Arkitekt/ Copyright Tiranapost.al