Aktualitet

Iluzionet e humbura – Honore de Balzac

Burrat e përcollën aktoren deri te varreza Per – Lashez. Kamyzoi që qante me lot të hidhur iu betua madhërishëm Lysienit se do të blinte një varr përgjithmonë e do të ngrinte aty një shtyllëz me mbishkrimin: "Korali. Vdiq nëntëmbëdhjetë vjeç. Gusht, 1822." Lysieni mbeti vetëm gjersa perëndoi dielli në atë kodrinë nga mund të kapte me vështrim tërë Parisin.

"Kush do të më dojë?" – pyeti veten poeti. "Miqtë e mi vërtetë më përbuzin. Çfarëdo që të bëja i dukej e mirë dhe fisnike vetëm asaj që prehet këtu! Më kanë mbetur vetëm motra, Davidi dhe nëna. Ç'mendojnë ata për mua?"

Gjeniu i mjerë i provincës u kthye në rrugën "Dë la Lyn", por kur pa apartamentin e zbrazët u trondit e u pikëllua dhe shkoi të flinte në një hotel të po asaj rruge. Me të dy mijë frangat e zonjushës Dë Tush e me paratë nga shitja e mobiljeve ai mundi të paguante të gjitha borxhet. Mbetën njëqind franga për Berenisën dhe atë vetë, e ata rrojtën me to dy muaj, që Lysieni i kaloi i dërrmuar shpirtërisht e i dobësuar: as mendonte, as shkruante dot...