Aktualitet

Zbulohen detajet e vrasjes makabër të shqiptarit në Spanjë

Zbulohen detajet e vrasjes makabër të shqiptarit në Spanjë

Shqiptari i vrarë në Spanjë dyshohet se ishte i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Media spanjolle “La Verdad” shkruan se, 46-vjeçari Deda është ekzekutuar nga një e shtënë pas kokës. Por, para se ta qëllonin me armë ai është torturuar nga disa persona, që i kanë prerë fillimisht gishtin e njërës dorë, i kishin prerë një copë të veshit dhe i kishin hequr të gjithë thonjtë.

Sipas të dhënave të Gardës Civile mësohet se, ishte një krim i mafies vendase. Media sqaron më tej se, fakti që viktima është torturuar për orë të tëra, tregon se vrasësit e kishin dërguar në një zonë të sigurtë, ndoshta në një banesë në ndonjë vend të izoluar.

Viktima u gjet të mërkurën pasdite në Totana brenda makinës së tij, ku duket se autorët e kanë transportuar pasi kryen krimin. Një banor i zonës lajmëroi autoritetet se kishte parë një makinë që nuk kishte lëvizur që prej të hënës së kaluar.

Burimet kanë treguar se më parë ai punonte si roje sigurie në klube nate, ndërsa kohët e fundit punonte si truprojë.  Veçanërisht kohët e fundit, ai kishte punuar në zonën Marbella në Malaga.

Autoritetet dyshojnë se 46-vjeçari është ekzekutuar për shkak të prishjeve të pazareve të drogës ose për shkak të ndonjë konflikti që mund të ketë pasur si pasojë e profesionit që ushtronte./ La Verdad/ Tiranapost.al