• Shqip
  • English
  • E enjte, 22 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Kronikë e zezë Të gjitha

    I jepet lamtumira e fundit 20-vjeçares Sabrina që u vra nga babai. Nëna dhe vëllai kujtojnë momentet e bukura me të


    Një pikëllim i thellë u pa në fytyrat e gjithë të pranishmëve në funeralin e 20-vjeçares Sabrina Lekajt, që u qëllua për vdekje nga babai i saj, në Flinders Park të Australisë

    Rreth 300 njerëz nga Shqipëria morën pjesë në ceremoni mortore të mërkurën, ndërsa vëllai i saj i vogël dhe nëna mbajtën fjalimin prekës. I veshur me një kostum të zi dhe duke u munduar që të mbante lotët vëllai i saj 11-vjeçar, Pirro Lekaj, kujtoi: “Sabrina ka ndikuar në çdo gjë që kam bërë, nuk do ta harroj kurrë. Ajo shkëlqente në çdo gjë që bënte”.

    Pavarësisht ngjarjes së tmerrshme, ai dhe nëna e tij Romina donin të kujtonin kohërat e bukura që kaluan bashkë:

    “Gjëja e fundit që më tha ishte ‘të dua, shihemi më vonë. Ajo ishte shumë e zgjuar dhe ka ndikuar që unë të bëhem më i mirë se ç’jam. Më ndihmonte me studimet që të bëhem i suksesshëm në jetë. Motra ime ishte shumë e dashur dhe kujdesej për mua, kudo shkonim bashkë. Flisnim gjithmonë për çdo problem tonin”.

    “Vajza ime e dashur, ti nuk na ke lënë, do të jesh gjithmonë këtu me ne. Ishe aq e bukur, aq e zgjuar dhe ke prekur kaq shumë njerëz. Jemi të pikëlluar nga humbja e Sabrinës, por ne duam që të kujtojmë kohët e bukura që kemi kaluar. Dua të kujtoj natën e parë që kaluam bashkë pasi të mora nga spitali. Dua të kujtoj ditën e parë kur të mora nga kopshti kur më the: Mos eja të më marrësh para orës 3. Dua të kujtoj të gjithë ditët e bukura, kujtimet e këndshme. Sot, është mundësia për t’i dhënë lamtumirë, por nuk do të ketë kurrë lamtumirë e dashur vajza ime, derisa ne të takohemi sërish bashkë. Do të mbaj gjithmonë në zemrën time. Më kujtohet kur për herë të parë të dërgova në kursin e pianos dhe i the mësueses: A mund të vij dhe nesër? Më kujtohet diplomimi yt, kur kalove orë të tëra për të rregulluar flokët”, tha nëna e të ndjerës.

    Arkivoli i 20-vjeçares ishte ngjyrë rozë, ndërsa në fund të ceremonisë mortore u lëshuan 20 tullumbace të bardhë në kujtim të saj.

    Studentja u gjet e vrarë në sedilen e përparme të makinës “Mercedes-Benz” rreth 250 metra larg banesës së tyre dhe bashkë me të u gjet edhe babai i saj Petrit Lekaj, i plagosur në stomak pasi kishte tentuar të vetëvritej. Ngjarja e ndodhur më 22 korrik, dyshohet se ndodhi pasi 20-vjeçarja kishte dalë në pub. Mesazhet dhe dëshmitë e miqve kanë zbuluar se marrëdhënia mes viktimës dhe prindërve ishte e tensionuar, pasi ata donin të kishin nën kontroll jetën e vajzës, duke i ndaluar edhe telefonin në darkë. I akuzuar ndodhet në burg dhe gjyqi për çështjen vijon. / Tiranapost.al