Sa nje kafe nga Iva

“I have a dream”. Obamat nuk janë asgjë përpara revolucionit që po bën Disney

“I have a dream”. Obamat nuk janë asgjë përpara

Nga Iva Tiço/ Vetëm pak ditë më parë vajza e vogël mikeshës sime festoi ditëlindjen dhe te ftesa për party shkruhej se do të ishte një festë me princesha. E bindur se ky detaj do të më ndihmonte t’i gjeja të voglës dhuratën e duhur, pyeta mikeshën në telefon se cilën princeshë donte më shumë e bija. “Të gjitha”, më tha, “ështe ende e vogël për ta ndarë se cila i pëlqen më shumë”.

Në fakt nuk ka se si t’i ndajë, edhe po të jetë më e madhe. A nuk janë të gjitha njëlloj: të bukura, me lëkurën si qumësht, flokët e gjatë me shkëlqim, me kështjella e pallate, të përgjumura, të burgosura, të brengosura apo të lodhura nga punët e tepërta, në prije të një princi që do i puthë, do i marrë me vete dhe do të jetojnë të lumtura përgjithmonë?! Kështu ka qenë jetë e mot, derisa Disney, prodhuesi më i madh botëror i gjithë vizatimorëve apo filmave musical dhe jo, që magjeps vit pas viti me miliona shikues, ka vendosur që ky shekull i ri ka nevojë për princesha të reja. Dhe lajmi i sapodalë ka thyer shumë tabu: flokëkuqja Ariel, princesha e botës nënujore nuk do ketë floknajën e kuqërremtë me të cilën jemi mësuar nga filmi vizatimor, por do të jetë një vajzë me ngjyrë. Regjisori Rob Marshall ka zgjedhur një këngëtare të re Halle Bailey (por me 1.9 milionë ndjekës në Insta) si “Sirenën e vogël”, duke ngritur mjaft polemika që nisin me mungesën e përvojës së saj dhe përfundojnë me ndryshimin e ngjyrës së flokëve të personazhit, ngulitur në mendjen e të gjithëve nga filmi vizatimor.

“Endërr e bërë realitet”, ka shkruar Halle Bailey në Instagramin e saj. Një frazë që na kujtoi kohën kur Barak dhe Michele Obama u bënë banorët e parë me ngjyrë të Shtëpisë së Bardhë: e kush e kishte menduar atë skenë?! Edhe Hollivudi kishte guxuar madje të “emëronte” presidente grua në krye të SHBA-së, por fantazia e asnjë regjisori nuk kishte vizatuar ndonjë çift si Obamat. “Ia dolëm”, thuhet se i ka thënë Obama të shoqes Michele, sapo ka mbaruar balloja e parë presidenciale dhe kanë nisur të kërcejnë në apartamentin privat brenda Shtëpisë së Bardhë. “Dream come true”, ka shkruar këngëtarja adoleshente, që sapo i është besuar roli, për të cilin kanë bërë kinoprovën me dhjetëra vajza, pa bërë komente politike, dhe pa mbajtur fjalime që të të kujtojnë frazën e famshme “I have a dream”, të Martin Luther Kingut. Thjesht është mjaftuar me ëndrrën që i ka dalë dhe ka postuar vizatimin e një Arieli që këndon mbi shkëmb me lëkurën ngjyrë ulliri dhe floknajën e zezë në vend të asaj të kuqe. As vetë Martin Luther King nuk do kishte guxuar të ëndërronte një të këtillë imazh.

Për të ardhur deri tek sirena e vogël me ngjyrë Disney ka bërë jo pak kthesa gjatë rrugës. Vetëm pesë vitet e fundit së paku ka bërë për feminizmin dhe për gratë e vajzat sa për një shekull bashkë. E keni parë Aladinin në kinema? Muajin e fundit ka thyer rekorde në shitje biletash, jo vetëm sepse rolin e xhindit e luan Will Smith, por sepse për herë të parë kemi një Princeshë Jasmine që këndon me zë të lartë se ajo “ka zë dhe askush nuk mund ta bëjë të heshtë”, duke mësuar me mijëra vajza të vogla anembanë botës që duhet të ndjekin rrugën e tyre, ëndrrat e tyre, se askush nuk mund t’i ndalë dhe se ato të vetme mund t’ja dalin të bëhen udhëheqëse të botës, ndërsa “princin” kur e gjejnë, e kanë thjesht një partner me të cilin mund të shohin bukuritë e botës, teksa shëtisin mbi qilima magjikë. Eshtë pastaj dhe Elsa dhe Ana, dy motrat e “Frozen”, princeshat kaq atipike, që dashurinë e vërtetë e gjejnë tek njëra tjetra, tek lidhja e gjakut dhe që mund të hedhin poshtë një princ apo një mbretëri, nëse bien në dashuri me një njeri të thjeshtë. Eshtë dhe Aurora, bukuroshja e fjetur, që nga gjumi nuk zgjohet nga dashuria e një princi pa lidhje që e ka takuar një herë ndanë një liqeni, por nga dashuria e kumbarës së saj, që e ka parë të rritet… Fiks sepse vajzat e sotme janë ndryshe nga ato të “Një mijë e një netëve”, Andersenit apo vëllezërve Grim edhe Disney ka ndërruar komplet kurs dhe ka nisur të ndërtojë ëndrra të reja. Kështu dhe vajza e shoqes sime do ketë kohë të zgjedhë princeshën e saj që, të cilës do të dojë t’i ngjajë apo me sytë e së cilës të mësojë që kjo botë është kaq e bukur pikërisht sepse është kaq e ndryshme dhe se princeshat e vërteta janë vajza si të gjitha ne, edhe pse ndojëherë me rroba apo flokë më të bukura.