Aktualitet

Hong Kong/ 3 vite burg për atë që tallet me himnin e Kinës

Qeveria gjysëm-autonome e Hong-Kongut ka shpallur ditën e djeshme planet për të bërë talljen me himnin kombëtar të Kinës, një vepër penale e dënueshme kjo me 3 vite burg.

Në rast se do të vihej në jetë ky plan do të ishte më i rrepti në botë, pasi askund tjetër nuk është e sanksionuar në ligj që dikush mund të hyjë në burg vetëm për mungesë respekti ndaj himnit. Kjo mase vjen si pasojë e një sentimenti në rritje mes popullsisë së Hong Kong-ut për pavarësi të plotë dhe ndarje nga Kina. Në shumë evente sportive dhe mbledhje të tjera publike në momentin që vendosej himni kombëtar, njerëzit shpalosnin banera që bënin thirrje për pavarësi, kthenin kurrizin ose bënin zhurma për të mos u dëgjuar himni.

Sipas forcave opozitare në Hong Kong në rast se një ligj i tillë do të vihej në fuqi do të përbënte një shkelje të hapur të të drejtave të njeriut. Kjo është një përpjekje për t’i bërë artificialisht njerëzit në Hong Kong të ndihen kinezë dhe të pranojnë status-quo se janë pjesë e një shoqërie diktatoriale dhe paçka autonomisë së gjerë që gëzojnë në fund të ditës janë nën sundimin e Pekinit. K.H/ tiranapost.al