Aktualitet

Holanda parajsë dhe ferr, pse e kemi kaq të vështirë me të

Sot lajmi se shteti holadez mund të rikthejë regjimin e vizave për shqiptarët ka marrë shumë vëmendje dhe klikime. Nuk është hera e parë që Holanda tregon rezerva të dukshme për lëvizjen e lirë dhe proceset integruese të shqiptarëve.

Mjafton të kujtojmë se në vitin 2013 kur shteti shqiptar kishte marrë aprovimin e të gjithë vendeve anëtare të Komisionit Europian për të marrë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në BE, shteti holandez ende nuk  ishte bindur dhe bllokonte procesin e integrimin për Shqipërinë. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në atë kohë drejtoi një delegacion negocimi për të bindur  homologun holandez se Shqipëria ka arritur standartet e nevojshme dhe vetëm pas një viti lobimi Shqipëria në Qershor të vitit 2014 mori statusin.

Megjithatë, shqetësimet e shtetit holandez nuk janë të pabazuara. Holanda është një nga vendet ku zhvillohet më së shumti aktiviteti kriminal i kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, ku grupet kriminale shqiptare kanë një rol qëndror. Sipas një raporti të Prillit 2016 nga Interpol, Holanda pas liberalizimit të vizave është bërë një vend ku shumë trafikantë grupohen dhe organizojnë tregtinë ndërkombëtare të narkotikëve në Europë.

Kjo ndodh kryesisht për shkakun se në këtë shtet narkotikët janë të legalizuar dhe është shumë më e thjeshtë që magazinohen sasi të mëdha drogërash që përgatiten për tregun europian. Raporti i Interpol dëshmon se 38% e kanabisit që konsumohet në Europë ka vend origjine ose është transportuar nga Holanda.

Kjo është arsyeja primare pse shteti holandez është shumë i rezervuar në pranimin e anëtarëve të rinj qoftë në zonën Shengen apo në BE, sepse grupet kriminale të narkotikëve, por edhe të prostitucionit e kanë epiqendër të aktiviteteve të tyre që shfrytëzon liberalizmin e shteti holandez. Kristofor Hasko/ tiranapost.al