Aktualitet

Holanda “bën kthesë”: E pamundur rivendosja e vizave për Shqipërinë

Holanda “bën kthesë”: E pamundur rivendosja e vizave

Deputetët e Komisionit për Çështjet e BE-së në Parlamentin e Holandës, pranojnë se janë të vetëdijshëm se rezoluta e Parlamentit holandez për rivendosjen e vizave për Shqipërinë nuk mund të realizohet. Këtë fakt e deklaruan gjatë një seance, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, kryetarja e Grupit Parlamentar opozitar në Parlament, Rudina Hajdari, dhe ambasadorja e Shqipërisë në Holandë, Adia Sakiqi.

Rezolutën e përfolur pak kohë më parë, ata e interpretuan si një veprim sensibilizues për nxitjen e luftës kundër krimit.

“Të mos demonizohen padrejtësisht shqiptarët. Pozitive që reformat bëhen se kërkohen nga qytetarët. Vlerësojmë bashkëpunimin midis dy qeverive. Vlerësojmë bashkëpunimin kundër korrupsionit e krimit. Të vetëdijshëm që Rezoluta për vizat e parealizueshme”, shprehen deputetët e Holandës.

Kjo seancë dëgjimore u vlerësua nga kryetari i Komisionit Weldman, si e hapur dhe mjaft e dobishme për vazhdimin e dialogut dhe për të informuar mbi përpjekjet reale që po bën Shqipërisë për realizimin e prioriteteve kyçe të integrimit dhe meritën e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. /Tiranapost.al/