Ekonomia

H&M me të ardhura rekord, por Zara mbetet e para në bursë: E ardhmja është e gjitha online

H&M me të ardhura rekord, por Zara mbetet e para në bursë: E

H&M habit me rezultatet e fundit ekonomike duke kaluar pritshmërinë, por Zara – e cila në bilancin e fundit kishte zhgënjyer investitorët – në bursë vlen katër herë më shumë se grupi suedez me 81,7 miliardë euro.

Disa vite më parë dy kompanitë sfidoheshin me njëra-tjetrën duke bërë revolucion në sektorin e veshjeve, e kështu duke shpikur të ashtuquajturin “fast fashion”. Me prodhimin e veshjeve të reja çdo dhjetë ditë, Zara dhe H&M kanë bërë konkurrencë të fortë duke vënë në vështirësi serioze marka të shumta, ndër të cilat Benetton dhe Stefanel.

Njëra spanjolle e tjetra suedeze, dy firmat europiane u karakterizuan menjëherë nga dy stile të ndryshme me formula tregtare të veçanta, por me një karakteristikë të përbashkët: ofrimin e veshjeve në modë me çmime të ulëta, duke u bazuar te sasia. Jo pa shkak industria e “fast fashion” është e dyta në botë pas asaj të naftës dhe hidrokarbureve, si për sasinë e mbetjeve të prodhimit që duhen hedhur si për përdorimin e ujit dhe dioksidit të karbonit.

Pasi krijuan nevoja që nuk ekzistonin, sepse sot konsumatori mesatar blen 60% më shumë veshje se sa ai i vitit 2000, Zara dhe H&M u kthyen në fenomen mode edhe mes fashës konsumatore më të lartë. Përballë një konsumatori më të gjerë, edhe formula është rinovuar disa herë. Nga njëra anë Zara ka zgjeruar gamën e produkteve duke investuar më shumë tek oferta përmes krijimit të markave të reja si Massimo Dutti, Oysho, Stradivarius dhe Bersha, ndërsa H&M ka synuar qëndrueshmërinë e proceseve dhe të materialeve, duke bashkëpunuar me stilistë të njohur e vetëm një moment të dytë ka vendosur të investojë në linja të reja apo në kategori të tjera si për shembull shtëpia.

Morali është se H&M ka avulluar paksa, ndërsa Zara ka vijuar rinovimin duke investuar te këpucët, çantat, veshjet e burrave e të fëmijëve, aksesorët e shtëpisë dhe sigurisht veshjet e grave. Pikërisht këtu ka ndodhur edhe kthesa e madhe, ku Zara synoi prodhimin e artikujve më luksozë ashtu sikundër edhe arredimin e dyqaneve të saj, ndërsa H&M gjithmonë ka parë si më të rëndësishme konkurrencën në bazë të çmimit.

Në fund të vitit 2017 Zara numëronte 7475 pika shitjeje, ndër të cilat 1688 në Spanjë, ose ndryshe 2700 më shumë se H&M (e ndalur në 4739 dyqane), por diferencën e ka bërë shërbimi online. Në këtë pikë, firma si H&M që kanë synuar gjithmonë çmimin në një shkallë më të vogël shpërndarjeje hasën vështirësi në mbulimin e kostove të logjistikës dhe sigurisht mbetën prapa në sfidën ndaj amerikanes Amazon apo kinezes Alibaba. Prandaj modeli tradicional i biznesit për këto rrjete dyqanesh është vënë sërish në dyshim, sepse të paguash mijëra punonjës dhe të shpenzosh për mijëra pika shitjesh, kur gjithmonë e më shumë konsumatorë po kërkojnë blerjet online, ngre mjaft pikëpyetje për të ardhmen./Tiranapost.al