25 Rreshtat e Mirës

Historitë që do ndjek çdo të diel tek Arditi. Dhe s'do qaj!

"25 rreshtat e Mirës" ...Në fakt, të shpresosh është të zhgënjehesh në shumicën e rasteve në jetë, por sot, si shumë herë të tjera, u dhashë dhe vetë pas Arditit.

Mira Kazhani/ Ardit Gjebrea është prej kohësh njeriu i shqiptarëve. Edhe pse personalisht mbetem një adhuruese e kantautorit dhe jo me çdo gjë që ka futur në modë kam qenë dakord, si p.sh. reklamat! Shijet tona personale janë një pikë uji në oqean përballë shumicës që do dikë dhe të ndjek. Të dielave, kur drekoj me prindërit, normal që kemi edhe Arditin për drekë, bashkë me biletat e Telebingos, prej të cilave mami im nuk heq që nuk heq dorë. Ka ndërruar stilolapsa, iu vendos emra biletave, vetëm nuk iu djeg kripë sipër, se të gjitha i ka provuar, edhe pse suspansa mbyllet me syzet që rrinë përbri stilolapsit në tavolinën e drurit, që qëndron si dëshmitare e shpresës dhe zhgënjimit. Në fakt, të shpresosh është të zhgënjehesh në shumicën e rasteve në jetë, por sot, si shumë herë të tjera, u dhashë dhe vetë pas Arditit.

Një vajzë e re, me sy të bukur, me një histori të komplikuar, të dhimbshme, me një sëmundje në trup, që nuk ishte habitshëm më e fortë sa ndjenja e detyrimit të saj ndaj botës e sidomos vjehrrit të saj. Shtjefni ishte burrë i mirë dhe e meritonte atë dashuri të ish-nuses së djalit. Historia ishte jo vetëm për lot e qyrre! Historia ishte ajo që kemi nevojë të dëgjojmë. Një grua, që nuk mallkoi askënd, edhe pse rrinte me javë shtrirë nga lufta me kancerin në atë gjumin e ilaçeve. Nuk kërkonte as para për kurimin e saj, as të bashkohej me burrin, as të ndahej edhe njëherë në televizion. Nuk donte nga këto historitë që jemi dehur dhe po na dalin edhe nga veshët!

Donte të ishte mirënjohëse ndaj ish-vjehrrit, tek i cili kishte gjetur fjalën e mirë edhe në ditën më të vështirë. Sa na mungon neve mirëkuptimi! Para disa javësh, po te Arditi, dëgjova historinë e  më një mësueseje, që kishte lënë jetën në Athinë dhe jetonte në Shqipëri, jepte mësim në një fshat, ecte 2 orë çdo ditë në këmbë dhe iu vizatonte fëmijëve të fshatit në klasë yje, kur ata e bënin mirë detyrën. Donte vetëm të dëgjonte fjalën mësuese dhe kishte lënë jetën e metropolit për të gjetur dashurinë në një cep të Shqipërisë. Po, se kështu është jeta, lumturinë e gjen secili sipas vetes së tij! Lumturia e të gjithëve nuk është e jotja, kurrë! Kështu, tani dhe atë ditë, harrova të shkruaj për historitë që Arditi po sjell në ekran dhe që janë më të mirat që ndodhin e mund të na ndodhin. Sepse ka disa vulgaritete që po bëjnë një fotografi të vendit, sikur jetojmë në epokën e gurit. Në këtë pikë dhe në këtë orar do ta ndjek edhe vetë Arditin. Chapeau!/Tiranapost.al