• Shqip
  • English
  • E martë, 18 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Ide Profil Të gjitha

    Historia e patreguar e Frojdit: Kur shtyu drejt vetëvrasjes mikun gjenial, për një grua


    Lou-Andreas Salome kishte refuzuar propozimin për martesë nga Niçja, ndërsa kishte qenë muza e Rilkes dhe adhurohej nga Frojdi. Por ishte edhe e dashura e Victor Tausk, nxënësit më të mirë të Frojdit që në vitet më të vështira u braktis nga ky i fundit duke e çuar drejt vetvrasjes. Një histori dashurie, idesh dhe rivaliteti mes mjeshtrit dhe nxënësit.

    Në fillim të shekullit XX Zigmund Frojdi themeloi psikoanalizën duke propozuar mitin e Edipit, vrasjen e Babait, si një prej komplekseve themelore të kulturës perëndimore. Por në fakt, në biografinë e tij ekziston një episod që e përgënjeshtron atë mit, e madje e kthen përmbys: Babai vret të Birin.

    Victor Tausk
    Victor Tausk

    Bëhet fjalë për një histori shumë pak të njohur që lidhet me nxënësin e tij, ndoshta më të mirin, Victor Tausk. Tausk u vetëvra në moshën 51 vjeçare në vitin 1919 dhe nga ai nuk ka asnjë gjurmë në biografitë e Frojdit. Mësuesi e fshiu nga historia e jetës së tij, megjithëse e mbështeti për dhjetë vjet duke i paguar studimet për mjekësi dhe duke e bërë antar special të Shoqërisë së Psikoanalizës në Vjenë. Nga ana e tij Tausk ia kishte shpërblyer duke mbajtur anën e Frojdit në përballjet me Adler dhe Karl Jungun. Në 54 vitet që pasuan vdekjen e tij, Tausk ka qenë një fantazmë në historinë e shkencës së re të shpirtit, deri sa në vitin 1973 një studiues i Harvardit, Paul Roazen, shkroi një libër për të treguar historinë e tij, që ka shumë pikëtakime me jetën e Lou Andreas-Salome, një prej grave fatale që kanë jetuar mes shekullit XIX dhe XX.

    Me Lou Salomenë, Tausk kishte një lidhje dashurie.

    Por le t’i marrim gjërat me radhë. Tausk lindi më 1879 në Zsilina të Slovakisë, një krahinë e Perandorisë Austro-Hungareze. U martua i ri, studioi juridik dhe kishte dy fëmijë. Pas divorcit, karrierën e nisi si shkrimtar, komedian dhe gazetar në Berlin, por shumë shpejt nisi të vuante nga depresioni dhe u shtrua në spital. Zbuloi tekstet e Frojdit dhe vendosi t’i shkruante. Ky i fundit, duke kujtuar se bëhej fjalë për një mjek, e fton në Vjenë ku shumë shpejt regjistrohet në fakultetin e mjekësisë dhe bëhet psikiatër. Nisi të merrte pjesë në mbledhjet e Shoqërisë së Psikoanalizës, ndërsa në të njëjtin vit, më 1909, prezanton edhe punimin e tij të parë: Teoria e njohjes dhe psikoanaliza. Paul Roazen në librin e tij tashmë të harruar tregon në mënyrë të detajuar historinë e Tausk, duke nxjerrë në pah marrëdhëniet mes këtij personazhi brilant dhe Frojdit. Frymëzohet nga një tjetër libër, i shkruar në formën e një ditari nga Lou Andreas-Salome me titull “Vitet e mia me Frojdin”. Nga vlerësimi dhe admirimi për Tauskun, burrë i gjatë, i bukur, sharmant, Frojdi shumë shpejt kaloi në padurim.

    Por çfarë nuk shkon me mjekun psikiatër Victor Tausk? Roazen shpjegon se teksa për Frojdin funksioni kreativ është një proces tretës, i avashtë dhe me plot mendime, për Tauskun është krejt e kundërta sepse ai është eksploziv. Shefi i psikoanalistëve kishte vënë re se sapo formulonte një ide, Tausku kishte arritur të parashikonte pasojat. I bekuar me një intuitë të mprehtë, duket sikur në shumë momente është një hap para mjeshtrit të tij. Frojdi bëhej shumë posesiv me idetë e tij, duke qenë se në atë kohë idetë nuk patentoheshin. Ndërkohë, i bukuri Victor kishte nisur edhe një marrëdhënie me Lou, më e madhe në moshë se ai, e ardhur në Vjenë pasi refuzoi Niçen dhe pas një marrëdhënie me Rilken. Edhe Frojdi e vlerëson shumë Loun, ashtu siç kuptohet nga letrat që shkëmbejnë. Marrëdhënia e saj me Victor Tausk zgjati nga viti 1912 deri më 1913, kur Tausk u dërgua në kampet e luftës si mjek në fillim të Luftës së Parë Botërore. Gjatë kësaj kohe shkroi shumë tregime, ndërsa me mbarimin e konfliktit më të madh ushtarak që bota kishte njohur deri në atë moment, gjendet në vështirësi të mëdha: Në Vjenën e mbërthyer nga kriza ekonomike është e vështirë të gjesh pacientë, ndërroi tre herë zanat por përsëri jetonte në kushte mjerane. I kërkoi ndihmë Frojdit, të punonte bashkë me të, por ai refuzoi dhe e dërgoi te një nxënësja e tij e quajtur Helene Deutsch, më e re se Tausk dhe jo prefesioniste.

    Lou-Andreas Salome
    Lou-Andreas Salome

    Por edhe gjendja sentimentale e Tausk nuk është shumë e qetë. Gjatë luftës braktisi një vejushë të bukur në Beograd, Kosa Lazarevic, ndërsa në pranverën e vitit 1919 u fejua me një prej pacienteve të tij, Hilde Loewi, me të cilën madje mendoi të martohej, por në atë kohë marrëdhëniet mes psikoanalistit dhe pacientes përbënin një skandal. Sipas asaj çfarë shkruan Roazen, Frojdi dhe Tausk e qortonin njëri-tjetrin pa pushim me pretendimin se asnjëri prej të dyve nuk i njihte meritën e ideve tjetrit. Madje Frojdi shkoi aq larg sa ishte i bindur se kishte të drejtën të përdorte idetë e Tauskut. Të dy druheshin se mund të shkatërroheshin nga tjetri, ndërsa për mjekun më të famshëm të Vjenës ishte një poshtërim nëse njihte meritën e ideve të nxënësit të tij.

    Nga fundi i marsit të vitit 1919, Frojdi detyroi Deutsch që të ndërpriste seancat me nxënësin e tij dhe këtu gjithçka përmbyset me një lëvizje. Tausk kupton se martesa nuk do t’i zgjidhë problemet e tij me gratë dhe se problemet ekonomike do ta ndiqnin nga pas gjithë jetën sepse Frojdi e kishte braktisur. Më tre korrik lidhet me litarin e tendës dhe duke përdorur pistoletën e shërbimit ushtarak qëllon veten në kokë, duke mbetur i varur. Ishte Frojdi ai që shkoi fjalimin vlerësues në varrimin e tij, megjithse në një prej letrave që i dërgoi ato ditë Lou-Salomesë thoshte se nuk i vinte aspak keq për atë vdekje. Nga ana e saj, në ditar, Lou shkruante se tek dashnori i saj adminironte pikërisht luftën e tmerrshme për të përdorur intelektin në dominimin e pasioneve. “Nga momenti i parë kuptova se ishte pikërisht kjo luftë e Tausk që ndizte tek unë emocionin më të fortë… Lufta e krijesës njerëzore”, shkruante ajo.

    A mund të quhet marrëdhënia mes Frojdit dhe Tausk si rasti emblematik i raporteve mësues-nxënës? Në një farë mënyre po. Kur nxënësi është në të njëjtin nivel me mësuesin – as pak më inferior, as pak më i fuqishëm por pikërisht në të njëjtin nivel – shpërthen një konflikt që në rastin e mjekëve psikiatër rezulton fatal./Përgatiti Erjon Uka për Tiranapost.al