• Shqip
  • English
  • E martë, 15 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Diaspora Kudo Shqiptarë Të gjitha TIP top

    Historia e Alisës… që kurrë të mos thuash kurrë


    Në Durrësin e trazuar të fillimit të viteve ’90, Alisa Aliu jetonte brenda një flluske lumturie, sado e patakueshme të na duket ne lumturia në ato kohëra. Pavarësisht gjithçkaje jo të bukur që mund ta rrethonte në atë periudhë vështirësish, ajo kish botën e vet: Jepte mësime pianoje, shijonte çdo ditë qetësinë dhe kujdesin e dy prindërve që rreth tre fëmijëve të tyre kishin ngritur mure shumë të fortë dashurie dhe sidomos ishte çmendurisht e dashuruar me burrin e jetës. Aq e dashuruar sa asgjë përreth nuk ekzistonte nëse ai ishte pranë saj. Nuk ngjante fare ajo e tyrja me historitë e fshehura e të trembura të Shqipërisë të asaj kohe.

    E jetonin hapur, e shijonin çdo ditë dhe as që iu shkonte ndër mend se vetëm pak pas martese, kur sapo ishin bërë një familje e vockël e qeshur, fati pat plane të tjera për ta, pa pyetur fort për moshën e re, për jetën që sapo e kishin filluar, nuk desh t’ia dinte që ata e donin aq çmendurisht njëri-tjetrin e sidmos nuk u tut për një fëmijë që sapo erdhi në jetë. Po ai fat që i puqi bashkë, vendosi t’i ndante krejt papritur në mënyrën më të pabukur e sidomos shpejt, shumë shpejt. Veç katër vite qëndruan bashkë e pastaj, kur bashkëshorti i Alisës u diagnostikua me tumor, muret nisën të shemben një e nga një. “Kush e kishte menduar? Si mund të ikte ashtu një njeri që e donte jetën, që dashuronte aq fort, që qeshte aq shumë? Në fakt, ne të dy vazhduam të qeshnim si çdo ditë edhe në minutat më të vështira, që as e dinim se na ishin rezervuar. Edhe kur dhimbjet ishin të papërballueshme, edhe gjatë seancave të kimioterapisë, kur më kërkonte t’i bija pianos. Ne qeshnim e infermierja qante. Pastaj dilja nga dhoma për të qarë edhe unë fshehurazi. Ai po ashtu”, u kthehet Alisa viteve që i ka lënë pas, por jo harruar, se as do e as mundet. U gjend vejushë tek të njëzetat, me një vajzë fare të vogël e me jetën që iu këput në duar pa e filluar mirë akoma. U vesh me të zeza kokë e këmbë, fiku sytë, buzëqeshjen, ndau mendjen se kaq e pat dhe u përgatit për të shtyrë vitet e vetme, veç me të bijën ende dy vjeçe, me vendosmërinë për të mos u martuar më kurrë.

     

    Ndërkohë, në një univers paralel, një djalosh i ri nga Belgjika, me emrin Patrik, njeh fare rastësisht, gjatë një udhëtimi me mikun e tij, një vend të vogël e të sapohapur, që quhej Shqipëri, e që atij i pëlqeu çuditërisht aq shumë. Aq shumë njerëzit, aq shumë natyra, aq shumë ca veti që s’i pat ditur se ekzistonin, aq shumë gjithçka shqiptare, sa nuk iu duk as çudi e as habi dëshira për të njohur një vajzë të këtij vendi. Po ai fat që pat vulosur aq brutalisht jetën e Alisës, do vendoste se do të ishte pikërisht ajo vajza që ky djalosh i panjohur do ta njihte në shtëpinë e disa miqve të tij e që do ta godiste me një shikim. Veçse asaj iu desh kohë të ngrinte sytë drejt këtij të ftuari të huaj, të cilit ia shërbente me kokën ulur gotën e rakisë, karamelen, filxhanin e kafesë. E ç’i  interesonte? Ajo as që e mendonte një lidhje të re, kurrë.  “U desh të kalonte kohë e të takoheshim disa herë derisa unë dhe Patriku të bëheshim pak e nga pak miq të mirë. Kuptoheshim edhe pse as ai dinte shqip e as unë dija frëngjisht. Por ai më bënte të qeshja pas aq vitesh që qaja e dalëngadalë miqësia jonë u kthye në dashuri. Befas, një ditë ai më tha: nuk vij më. Dua që të vish ti me mua. E kështu unë u gjenda në Belgjikë bashkë me vajzën. U martuam në ’96-ën dhe fillova një jetë të re, çdo gjë nga e para”.

    A ishte e lehtë ajo bashkëjetesë? Aspak. Njohja e thellë dhe e vërtetë filloi tamam aty dhe Alisa tregon se iu deshën 10 vjet derisa plagët e së shkuarës të zinin koracë të fortë. “U mësova me atë jetë të re, por sa shumë më mungonte Shqipëria. Duhet të jesh larg vendit tënd për të kuptuar se sa e do. Më dhimbte fakti që vajza pak nga pak po harronte shqipen. Dhe sa shumë më mungonte pianoja. Nuk e harroj kurrë, kur në vitet e para punoja si pastruese në Konservatorin e Brukselit, ku kishte piano të mrekullueshme. Shoqja që punonte me mua, më ndihmonte që të mbaronim punët shpejt e shpejt, që unë të kisha kohë t’i bija pianos e ajo të dëgjonte. Sa mirë e sa keq ndihesha! Një mëngjes iu betova vetes: sot po i merr pluhurat, por një ditë do t’i biesh përsëri». Pianos iu desh të priste gjatë për gishtat e hollë të Alisës. Vitet e para i takuan rritjes së vajzës dhe ishte momenti për të bërë shtëpiaken. Me kalimin e viteve, Alisa vuri në Bruksel ishte një komunitet shqiptarësh të palidhur me njëri-tjetrin dhe atë s’e mbante vendi se si të organizoheshin, si të tregonte se Shqipëria nuk ishte as mafia e as krimi, siç ia përshkruanin shpesh të huajt vendin e saj. «Një ditë mora vesh se kërkoheshin nga Ministria e Arsimit e Kosovës mësues të diasporës për t’u dhënë mësim fëmijëve shqiptarë këtu në Bruksel. Ishte rasti im. U formua një grup mësuesish, një klasë, pastaj një tjetër e një tjetër e kështu u hodhën themelet e para të shkollës shqipe. Shkonim derë më derë që të sensibilizonim prindërit të sillnin fëmijët në shkollë shqiptare.

    Në vitin 2003 u organizua festivali i parë i ditëve shqiptare në diasporë. Duhej një grup vallesh dhe unë e mikeshat e mia shqiptare e krijuam me vajzat tona, që valltare nuk ishin por valltare u bënë. Madje edhe unë u bëra këngëtare pa kënduar kurrë. I vumë emrin grupit “Nënë Tereza” dhe fituam çmimin e parë në Berlin. Ç’kohë të arta kanë qenë ato! Ishim një grup i madh shqiptarësh që i jepnin frymë Shqipërisë që e kishim larg, të gjithë pa punë e ende pa dokumente, por qepnim me duart tona kostumet popullore shqiptare, bënim prova nëpër shtëpitë tona, derisa patëm ndihmën e çmuar të Ahmet Gjanës, që punonte në komunë e na lironte zyrat që ne të bënim prova e të shkëlqenim nëpër festivale. Bënim 13 aktivitete në vit. Unë isha udhëheqëse artistike e grupit që më pas u quajt Shqipet e Diasporës”.

    Alisa i rrëfen me aq nostalgji ato kohë kur Shqipëria po i lidhte me njëri-tjetrin dhe një grusht shqiptarësh krijuan pak e nga pak një imazh të mirë. Alisa u angazhua edhe në shoqatën Konica, ku tani është zv.presidente, por nuk mund të harronte se kishte diçka ende të lënë pezull.

    Duhet të mbante premtimin që i pati bërë vetes, që pianove të mos u merrte më pluhurat por t’u ndjente tingujt nën mollëza. “Lexova diku se në komunën ku unë jetoja kërkonin muzikantë për të formuar një grup instrumentistësh. U paraqita, kalova provën dhe u bëra pjesë e grupit që organizonin aktivitete për komunën. Pak nga pak rashë në sy si pianiste dhe befas më erdhi një kërkesë nëse doja të punoja si mësuese pianoje në komunë”. A donte të punonte? Pyetje ishte kjo? Ajo të po priste për vite e vite të tërë. Kështu, Alisa u bë mësuesja e një grupi prej 15 vetësh që tani ka shkuar në 50.

    Jep shpesh recital dhe publiku i saj është kryesisht belg. Ata e pëlqejnë zonjën me flokë të kuqërremta e me sy të qeshur, që i bie aq bukur pianos, ndaj edhe e kandiduan si këshilltare për çështjes social-kulturore në Komunën e Kokelbergut, ku ajo jeton prej 23 vitesh. “Jemi gjithsej 27 kandidatë, 5 të pavarur, një prej të cilëve jam edhe unë, nën moton “Mes notes pour votre harmonie” (notat e mia për harmoninë tuaj). Si mund të ishte ndryshe motoja e saj, veçse me muzikë brenda…

    Në 14 tetor priten zgjedhjet dhe komuniteti do vendosë nëse Alisa do jetë një prej të përzgjedhurve. A ia kishte marrë mendja se jeta e saj do të rridhte kështu? Nuk di të thotë se ç’do kishte ndodhur me të dhe vajzën nëse do kishte mbetur gjithë jetën e vetme, e ve, me një fëmijë. Nuk di të thotë as se ç’do ishte bërë me jetën e saj nëse do kishte parë veç punën e saj aty në Bruksel, pas martesës me Patrikun e saj (kështu e quan gjatë gjithë bisedës) dhe nuk do kishte tundur gjithkund ku mundi flamurin shqiptar. Me shqipen rruazë, që nuk i ka lëvizur asnjë bashkëtingëllore edhe pse ka aq shumë vite që flet frëngjisht, me elegancën e një gruaje që ka provuar shumë, duaruar shumë, dashuruar shumë, Alisa thotë se nuk është penduar për asgjë. Tani është gjyshe e tre mbesave të vogla që ia kanë zbukuruar jetën.

    Pas vitesh të tërë me Patrikun, burrin që e ka mbështetur, duruar, ia ka dashur Shqipërinë e madje ka kërcyer në mes të Brukselit me kostum shqiptar veshur, Alisa thotë se në fund të ditës ai dhe ajo kanë gjithmonë diçka për të thënë. A nuk është kjo dashuria? “Unë jam e kënaqur dhe e lumtur”. Ja pra që nuk i dihet asnjëherë. Prandaj, kurrë mos thuaj kurrë!

     

     

     

     

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690