Aktualitet

Histori kurvash të trishta, etyd për pleqërinë dhe dashurinë e vërtetë

Në rreth 100 faqe, Marquez bën një analizë të plotë të nostalgjisë dhe pleqësirë, një restrospektivë mbi zvetënimin gradual të jetës, që shpesh kalon pa e kuptuar. Një reflektim për zinxhirët që na rrethojnë dhe nuk kemi fuqinë për t’u shkëputur. Një fabul e bukur që na fton për t’i dhënë ditëve jetë, e jo jetës ditë.

Nga Erjon Uka/ Ç’mund të kërkojë njeriu në të nëntëdhjetat e tij? Me siguri gjërat më të zakonshme: Një drekë me familjarët, kohë me nipërit e mbesat, një lojë shah apo domino me miqtë, e ata që pleqëria nuk i ka pushtuar ende shpirtin e këllqet ndoshta do të kërkojnë një udhëtim. Por kjo nuk është e vërtetë. Jo gjithmonë.

“Vitin e nëntëdhjetëvjetorit tim doja t’i dhuroja vetes një natë dashuri të çmendur me një adoleshente të virgjër.” Kështu nis romani “Kujtim kurvash të trishta” i Gabriel Garcia Marquezit. Por ai që e tregon këtë histori nuk është shkrimtari, por një gazetar, në kufijtë e mediokritetit, që sapo ka mbushur të 90-at. I çuditshëm e i vetmuar, i apasionuar pas muzikës klasike, nuk është martuar kurrë ndërsa gjithnjë ka preferuar seksin kundrejt dashurisë. Kjo ishte gjithçka që i kish ofruar jeta dhe që ai kurrë nuk ishte munduar për t’i marrë më shumë.

Por deri në një moment: Deri kur në dhomën e bordellos, aty ku për vite me radhë kishte shkuar për të kërkuar shfryrjen e epshit, njohu dashurinë e vërtetë. Po, në moshën 90-vjeçare.

"Shoferi më paralajmëroi: Kujdes, i ditur, në këtë shtëpi vrasin. Iu përgjigja: Nëse është nga dashuria, nuk prish punë."

Me një stil brilant që vetëm Marquez mund ta arrijë, mes erotikës më të kulluar dhe satirës së hollë, romani që u shkrua në vitin 2004 nuk është një rekuiem, por një etyd për dashurinë dhe për kohën. Sepse dashuria e përjetuar për herë të parë në të nëntëdhjetat është njësoj si ajo e përjetuar nga shumëkush në adoleshencë, me të njëjtat emocione por me diçka më shumë. Me vetëdijen se e shkuara na rëndon me mundësitë e humbura dhe me bindjen se edhe në perëndim të jetës, kurrë nuk është tepër vonë.

"Ah more i dituri im trishtan, je plak vërtetë, por mos u bëj edhe trap, - tha Rosa Cabarasi duke qeshur me lot."

Në rreth 100 faqe, Marquez bën një analizë të plotë të nostalgjisë dhe pleqësirë, një restrospektivë mbi zvetënimin gradual të jetës, që shpesh kalon pa e kuptuar. Një reflektim për zinxhirët që na rrethojnë dhe nuk kemi fuqinë për t’u shkëputur. Një fabul e bukur që na fton për t’i dhënë ditëve jetë, e jo jetës ditë.

“Ishte më në fund jeta e vërtetë, e kisha shpëtuar zemrën dhe isha dënuar të vdisja nga dashuria e vërtetë...”

“Kujtim kurvash të trishta” është një roman i zhveshur nga ai realizmi magjik që i njohim Marquezit. Sigurisht që nuk është boshti kryesor i veprës së tij, nëse këtu kemi parasysh “100 vjet vetmi” apo “Dashuri në kohët e kolerës”, por sidomos për adhuruesit e Gabos është një ndër pjesët më të bukura të mozaikut të tij letrar./Tiranapost.al