Sa nje kafe nga Iva

Hirushja doli në pension. Princeshat e vërteta janë si Meghan

Nga Iva Tiço / Miqtë e mi që punojnë me organizime dasmash dhe me fustane nusesh, e kanë ndoshta fjalinë që dëgjojnë më shpesh: “Si princeshë”. Çdo vit, me qindra vajza, të shoqëruara nga mama, vjehrra, motra, shoqet apo kushërira, sapo dalin nga dhoma e provës shohin përpara vetes buzëqeshje, përlotje dhe shprehjen “si princeshë”.

Sa herë kam qenë në grupin e shoqërueseve kam bërë rregullisht buzëqeshjen dhe më shpesh përlotjen, por fjala “princeshë” nuk më ka dalë kurrë nga buzët. Asnjëherë. As kur isha e vogël dhe fustanet e fryra të tetëqindës më magjepsnin bashkë me Sisin (modeli i fustanit, që kanë parasysh gjithë vajzat e sotme kur thonë “princeshë”), kurrë nuk kam pasur ëndrra me princër dhe princesha. Nga Borëbardha dhe Hirushja ajo pjesa e princit më dukej thjesht një garniturë e bukur, përpara makthit që më jepnin këto përralla me frikën se mos mbetesha jetime dhe do më duhej të përballoja një njerkë të keqe. Ndoshta sepse kisha të tjera përralla të preferuara, pa princesha dhe frikën e të mbeturit pa mami e kisha më të madhe se shpresën e gjetjes së një princi, unë kurrë nuk kam pasur ëndrra princeshash dhe duke më njohur mirë, asnjë nga shoqërueset e mia nuk do më thotë kurrë “dukesh si princeshë”. Përlotja më mjafton.

Gjithsesi unë nuk jam klientja e mundshme (edhe për ca kohë) e sallonit të miqve të mi. Qindra vajza të tjera që i vizitojnë thurin çdo ditë ëndrra princeshash. Dhe jo të pakta kanë qenë ato që dje janë zhgënjyer: Meghan Markle, një  Hirushe, po martohej me një princ prej vërteti dhe fustani i saj nuk kishte asnjë gjë prej princeshe. Së paku jo prej princeshës që kishin ndër mend ato. Aq sa dhe veshja e Kate Midleton, në 2011, pa lidhje gjithashtu me imazhin e ëndërruar, mund t'u jetë dukur shumë më shumë princeshë.

E megjithatë, në gjithë thjeshtësinë e saj, tualetin nga ku duken qukat dhe papërsosmëritë e vogla, në fustanin e thjeshtë dhe aspak seksi, në ecjen e vetme nëpër navatë drejt princit, në mungesën e aksesorëve e në gjithçka të vetën, Meghan ka dhënë disa leksione të mëdha. Jo thjesht për atë se si janë princeshat e këtij shekulli, por edhe për mënyrën se si të kesh një dasmë magjike, që përlot me miliarda njerëz.

-Sisi ka ikur nga moda bashkë me rënien e Austro-Hungarisë. Po ashtu dhe Hirushja dhe Borëbardha. Princeshat kanë ndryshuar, bashkë me vajzat e këtij shekulli. Nuk flenë tek hiri, as nuk shkojnë fshehurazi në ballo, as nuk janë naive që të gënjehen nga njerka, as nuk i hanë mollët e helmatisura. Janë si Elsa dhe Ana, të pavarura ose që i lënë princat për një çun më cool, ose si Wonder Woman, që ia del e vetme të shpëtojë botën. Janë si Meghan, që nuk kanë nevojë për lidhje të stisura familjare, që të duken bukur në sytë e botës. Nuk ka triumf më të madh të të gjitha grave të pavarura, kudo qofshin, sesa ecja e saj e vetme drejt altarit! Ajo ia doli vetëm, ndërtoi suksesin, pasurinë e saj dhe pastaj gjeti dhe dashurinë e jetës. Nuk ishte viktima që priti princin ta shpëtonte. Përrallat me princesha të ditëve të sotme nuk kanë nevojë për shpëtimtarë.

-              Less is more. Sa më pak aq më mirë. Coco Chanel këshillonte që përpara se të dalësh nga shtëpia, të shihesh në pasqyrë dhe të heqësh diçka. Princeshat e sotme janë reflektim i kësaj këshille. Askush nuk ka nevojë për një kinkaleri mbi vete, sidomos në ditën e dasmës. Mungesa e aksesorëve, përveçse do spikasë bukurinë e nuses, do bëjë të vezullojë më shumë unaza e sapovënë në gisht. Në fund të fundit kjo është dita që i kushtohet asaj unaze, apo jo? Le ta bëjmë të duket pra!

-              “Sa e bukur nusja, sa paska ndryshuar” është një shprehje e shekullit të kaluar dhe i ka ikur moda bashkë me bojërat dramatike në flokë, llaçin që mbulon çdo por të lëkurës dhe çdo shkëlqim vaji. Princeshat e sotme nuk janë si Hirushja që Zana-kumbarë e bëri të mos e njihte askush.

Princeshat e sotme dinë të bëjnë atë tualetin “ujë e sapun”, që të duken sikur janë aq të bukura edhe kur hapin sytë, jo sikur me ta është marrë një ushtri grimierësh. Kjo do mjeshtëri shumë, do madje dhe të njëjtën ushtri grimierësh, por këtë nuk kemi pse e themi me zë të lartë. Mund të ndjekim shembullin e Meghan Markle dhe të themi se e kemi bërë vetë apo na ka lyer një shoqe. Sepse princeshat e sotme janë dhe modeste, edhe pse harxhojnë paratë e veta dhe jo të burrave, ato qëndrojnë me këmbë në tokë dhe nuk merren me kotësira të tilla si bisedat për tualetet.

-Dasma e vërtetë është kurorëzmi. Domethënë ajo pjesa ku nusja dhe dhëndri thonë se do ta duan dhe mbështesin njëri-tjetrin në ditë të mira dhe të këqija, derisa vdekja t’i ndajë. Ky është thelbi i së gjithës. Nuk është lokali e orkestra, tezja dhe halla dhe gjithë kushërinjtë që nuk i ke parë kurrë dhe nuk do t'i shohësh më, por që i fton aty patjetër se të thonë prindërit, që kanë harruar se kjo është dasma jote dhe jo vendi ku ata bëjnë qokat e tyre… Nuk është dasma, as mishi i qinjgjit, që futet në qeska apo hidhet, as vallet dhe as lekët që hidhen në tokë apo në zarfa… Kjo është thjesht festa pas kurorëzimit, bëhet si bëhet, punë e madhe. Ajo bëhet vetëm sepse dy njerëz po zotohen që do duhen deri në fund të jetës… Ndaj gjithçka duhet bërë që ai moment zotimi të jetë sa më i bukur. Dhe të shijohet sa më shumë, si ceremonia e djeshme e Meghan-it.

-Dhe mbi të gjitha dasma bëhet për dashurinë, ndaj vetëm dashuria që nuk duhet harruar në asnjë moment. Princesha nuk është aty sepse e kanë shpëtuar, është aty sepse është e dashuruar. Dhe ndryshe nga fustanet dhe kinkaleritë e dasmës, dashuria është e vetmja modë që nuk ndryshon kurrë. Nuk ka pikë rëndësie nëse ai që pret në fund të navatës është princ si Harry apo djalë pa asgjë princërore, nuk ka pikën e rëndësisë nëse je princesha e thjeshtë si Meghan apo je veshur në stil Kardashian. E rëndësishme është që ashtu si Harry, ai të të thotë që je e mrekullueshme, pastaj të kafshojë pak buzën (a ka më seksi se kaq?!) dhe pastaj të pëshpërisë që është me shumë fat… Kjo vlen më shumë se çdo mbretëri.