Aktualitet

Hidet e Di Himës

Nga Loreta Berhami / Me gjithë zhurmën mediatike, deri diku të dëshiruar, që u krijua rreth identitetit të vërtetë të autorit Tom Kuka, “Hide mbi kalldrëm” duhet lexuar për arsye krejt të ndryshme.

Kur fillova të lexoja dorëshkrimin për herë të parë, m’u desh ta mbaroja brenda ditës:e fillova dhe nuk arrita t’i ndahesha më. Stili i përshkrimit babaxhan, popullor, më tingëlloi thellësisht i vërtetë. Më tërhoqën personazhet, deri diku ”ekzotike“ për mua, lindur e rritur në qendër të Tiranës, emigrante që në moshë të re. Aspiratat e thjeshta të këtyre njerëzve, jeta e tyre sa e mundimshme, por po aq e plotë dhe e qenësishme, vuajtjet dhe gëzimet, qenë një zbulim. Shijet, kundërmimet dhe ngjyrat më mahnitën, sikur të kisha udhëtuar në kohë dhe të gjendesha vërtet në Tiranën e viteve të Zogut. Mbi të gjitha, më tërhoqi personazhi kryesor, Di Hima, ky hetues idealist, që mbron jetën dhe dinjitetin e njerëzve, në një kohë e vend ku jeta vlen shumë pak. Di Hima është një hero romantik: ai i kundërvihet padrejtësive që u bëhen të vobektëve, jetimëve e të nënshtruarve.

[caption id="attachment_250215" align="aligncenter" width="450"] Kopertina e librit Hide mbi kalldrem[/caption]

Prandaj dhe u dashurova me Di Himën, me mënyrën se si arrin të gjejë të bukurën te e zakonshmja, se si arrin t’u gëzohet shijeve të thjeshta, se si arrin të jetë një burrë i fortë dhe i ëmbël, njëkohësisht. Ky njeri me kulturë europiane, që ka jetuar jashtë Shqipërisë për një kohë të gjatë, ndien dashuri për popullin dhe vendin e tij, ua njeh mirë zakonet, kulturën dhe i çmon ato. Ai arrin të ulet në minderet modeste, të ndajë sofrat e varfra, t’i shtrëngojë dorën e t’u japë besën njerëzve të thjeshtë. Di Hima është një nga ato personazhe që do të donim të na udhëhiqte, një nga të paktët që, po të jetonte sot, do ta shtynim të angazhohej në politikë, të kandidohej në zgjedhje... Natyrisht, nuk do të fitonte kurrë. Di Hima nuk pranon të bëjë kompromise.

Kështu që hidet e tij, këto copëza historie të një populli të vogël e të përhumbur mes maleve dhe historisë, siç jemi ne, janë si xhevahire të vogla. Të marra veç e veç nuk të bëjnë shumë përshtypje, por të gjitha bashkë, të lejojnë të zhytësh dorënnë një tas që kuqëlon dhe të mendosh: “Kaq mjafton: pesë minuta paqe dhe kënaqësi.”