Art dhe Kulturë

“Hide mbi kalldrëm”, Tirana e homoseksualizmit e pedofilisë

“Hide mbi kalldrëm”, Tirana e homoseksualizmit e

Nga Xheni Shehaj

I botuar në vitin 2016, libri në fjalë bëri bujë të madhe pjesërisht dhe për faktin se autori ka zgjedhur të përdorë një pseudonim dhe jo emrin e tij të vërtetë. Libri është shkruar në dialektin tiranas dhe ngërthen në vetvete një sërë problematikash. Për ata që nuk e kanë lexuar, po japim shkurtimisht përmbajtjen e tij:

“Janë vitet ’30. Vitet e një Shqipërie që më në fund ka një emër, një qeveri dhe një kryeqytet. Tirana na shpaloset me tonalitetet e një fotografie bardhezi. Di Hima, kryehetuesi i qytetit heton vrasjen e Andon grekut, tregtarit të njohur në qytet. Autori ravijëzon karaktere të ndryshme, sjell në vëmendje problematika të spikatura si: feja, incesti, pedofilia etj. Gjatë hetimit mbi vrasësin, Diu gjen shumë detaje mbi personazhet që e rrethojnë derisa në fund arrin të qartësojë enigmën.”

Siç vërehet, libri është tejet i ngarkuar me situata dhe karaktere që hap pas hapi zbulohen e zbërthehen. Ajo që bën më shumë përshtypje është fakti se pjesa më e madhe e kritikëve që janë shprehur në lidhje me romanin e kanë vënë theksin në përshkrimin e Tiranës së viteve ’30; pusi, caraca, budallai i fisit, dialekti karakteristik etj.

Sigurisht që këto janë të rëndësishme, të dukshme dhe të shprehura këndshëm në vepër, por s’duhen lënë pas dore situata apo pasazhe që kanë të njëjtën peshë në mos më tepër. Pikërisht për njërën nga këto situata do të flasim. Është fjala për pedofilinë të cilën autori e njëson me homoseksualizmin.Vepra në fjalë është e mbushur fund e krye me akte seksi, përdhunime, dhunime seksuale, “pallosha si shpatë turku” e “sisë të varura grash”. Por të “ngatërrosh” pedofilinë me të qenit homoseksual është diçka që s’mund të kalojë pa u vënë re.

Por le të shohim se si pasqyrohen këto dy kahe. Andoni, tregtar grek që jetonte e punonte në Tiranë, i martuar, babai i një vajze dhe një djali të adoptuar gjendet i vdekur në shtëpinë e tij. Të gjithë e njihnin për burrë të mirë e tregtar të zotin. Vdekja e tij nxori në pah shumë anë të errëta që pak kush i njihte. Il qosja nga ana tjetër, tregtar dhe ky, lidhet me personazhin e Andonit përmes shegertit Fitim. Djaloshi është ura lidhëse mes dy burrave. Në pamje të parë, autori na e paraqet Andonin si një njeri të urtë e të dashur, të paktën ndaj Fitimit, për të cilin duket se ushqen një dashuri të pastër dhe të dhembshur.

Por çfare lidhje dashurie mund të ketë mes një burri dhe një fëmije? Për më tepër kur Andoni këtë fëmijë e ka blerë në një shtëpi publike.

Nga ana tjetër, vetë djaloshi është me të vërtetë i përkushtuar në këtë lidhje, siç na e rrëfen autori, apo është thjesht një fëmijë i trembur, që kënaqet me qetësinë dhe përkëdheljet e ndyra të një pedofili, që të mos rikthehet në ferrin ku jetonte përditë?!

Sesi është  jeta e tij në “biznesin e Ilit” përshkruhet qartë kur, pas vdekjes së Andonit atij i duhet të kthehet aty.

Por le t’i marrim me radhë sekuencat e shkëputura nga hetimet e Di Himës (kryehetuesit) dhe rrëfimet e personazheve si fillim për Andonin dhe më pas do të fokusohemi te personazhi i Il Qoses, një tjetër karakter spikatës.

Rrëfimi i gruas së Andonit

“Andoni ishte palo njeri. Na e nxiu jetën vite më parë. E gjeta teksa i futej në shtrat Mihalit. Për fat nuk mundi. Deshi Zoti dhe e kapa pa i hequr brekët. Nuk e lashë më kurrë t’i afrohej çunit. E mbajta larg Mihalit, sepse e vija re si ja ngulte sytë bythëve, teksa i gjori djalë luante nëpër shtëpi.”

Rrëfimi i Ilit

“Andon grekut i pëlqenin njomëzakët. Me pak uzo të mirë, dy kokrra ullinj, gjysmë veze të zier dhe një çun të njomë e çoje në xhenetin e vet.”

Rrëfimi për Llambron, konsullin grek në Tiranë

“Llambro Stamatisin, konsullin e Greqisë në Tiranë, e përshkoi një valë ngazëllimi. I gëzohej butësisë së kësaj shqerre që kishte hyrë në stanin e tij të shkretë. Ajo vinte e hajthme në bel, por kishte ca mollaqe kryeneçe dhe kupa gjuri të gjera. Kyçet e këmbës i kishte të vogla, por të forta për të mbajtur atë shtat vajze, e cila nuk ishte më shumë se 16 vjeçe. Andoni e pat sjellë njëherë në konsullatë. Dy burrat folën në gjuhën e tyre. Ishte një bisedë e qetë, e cila u hesht pasi Llambro çeli kuletën e lëkurës. Më pas Andoni i rrahu krahët dhe u tret pas derës së hekurt.”

Llambro jep dëshmi të tjera për të treguar se tregtari është manjak seksual dhe pedofil. “Andoni ishte saraf, nuk jepte asgjë pa marrë në fillim paratë. Edhe kur shkonte të hazdisej nëpër mejhane bënte përherë pazar, sa çingijet nga inati i linin shenja të mëdha në shpinë.”

Nga sa përmendëm ajo çka vërehet te personazhi i tij është fakti se ai parapëlqen djem e vajza të njomë, të vegjël, çka e bën atë pedofil. Shihet qartë se Andoni është pedofil dhe maniak seksual pasi i avitet edhe birit të tij të adoptuar. Figura e Andonit është komplekse dhe fort mirë e ravijëzuar. Tek ai pasqyrohet njeriu i sëmurë pasi pedofilia është sëmundje. Çunat njomëzakë apo çunat e vegjël, të parritur mirë i shkonin për shtat tregtarit.

Le të kalojmë te një tjetër personazh në libër, tek Ili ose i quajtur ndryshe Il qosja. Ili ishte tregtar, në fillim Fitimi, shegerti i ri që bëhet pre e pedofilisë, punonte për Ilin. Më pas Andoni arrin t’ja blejë Fitimin qoses dhe e mban për vete aq sa e thërrisnin “kuçka e vogël”. Pas vdekjes së Andonit, Ili e rimerr djaloshin që të punojë sërish për të.

“Tani që Andoni na la, unë bëj plane. Ty, të kam ja, mu këtu në zemër. Më pëlqen se je djalë i urtë, punon pa bërë zë. Ja ku po ta them që miqtë e mi të duan fort. Zyli i Petrelës sa herë e lag gurmazin emrin tënd zë në gojë. Çoji unë Mynyren, atë gocën me bythë të mëdha, se ajo e ha edhe ashtu si e ha ti, hiç ai.”

Nga fjalët e Ilit kuptohet se djaloshi përdoret për të kënaqur epshet e miqve të qoses. Fakti që kemi dhe një vajzë në mes, Mynyren dhe që i kënaq klientët edhe me seks anal tregon se nuk kemi të bëjmë me homoseksualë por me maniakë seksualë. Figura e Fitimit ravijëzohet e brishtë, në fund të fundit ai është një djalosh shumë i ri, jetim, që ka nevojë për punë e që shfrytëzohet nga pronarët e tij. Ajo që vihet re në vepër është ngjasimi i këtyrë situatave dhe personazheve me fenomenin “bacha bazi”. “Bacha bazit” janë djem të vegjël, të papërvojë, të papjekur (si Fitimi), të cilët u nënshtrohen burrave të pjekur, të rritur dhe përdoren seksualisht prej tyre.

Ky fenomen është i përhapur në vendet e Lindjes, pra është kulturë lindore dhe duhet nënvizuar që ne jetuam rreth 500 vjet nën ndikimin e kësaj kulture. Kultura lindore i ka tejet të përhapura fenomenin e bacha bazit dhe  fenomenin e haremeve, dhe ajo çka dihet për dy çështjet në fjalë është se mosha e individëve që shfrytëzohen seksualisht nuk merret parasysh fare, në asnjë moment nuk merret parasysh të qenit minoren. Duket gati e natyrshme që në shoqërinë shqiptare të atyre viteve të mos bëhej dallimi mes pedofilisë dhe homoseksualizmit, që janë dy realitete katërcipërisht të ndryshme./  Xheni Shehaj për 27.al. Postuar për Tiranapost.al Elisa Bajrami.