• Shqip
  • English
  • E hënë, 23 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Kosova Kryesore Të gjitha

    Haradinaj: Zgjerojmë koalicionin, ushtria do të formohet


    Në një intervistë për Sokol Ballën në Top Channel, kandidati për kryeministër i koalicionit fitues Ramush Haradinaj tha se po punon për të formuar qeverinë dhe do të ketë koalicion edhe me partitë e tjera. “Unë po punoj për të formuar qeverinë. Qeveria “Haradinaj” do të ketë përkrahjen edhe të deputetëve të tjerë shqiptarë. Koalicioni me parti të tjerë është i mundur. Nuk kemi bërë ende konsulta, por është i mundur”, ka thënë Haradinaj. Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve, Haradinaj pranoi se Vetëvendosja ka një rritje të ndjeshme, ndërsa LDK ka rënë me 10%, rezultat ky që ka ndryshuar situatën politike në vend.

    Në Serbi zgjedhja e mundshme e Haradinajt kryeministër nuk u prit mirë. Vetë ai deklaroi mbrëmë se dialogu me Serbinë do të kryhet në parimet e reciprocitetit, pra vetëm nëse Serbia e njeh Kosovën. “Dialogu me Serbinë është vendosur në korniza të gabuar, pasi diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës. Jam i interesuar për dialog me Serbinë, por për njohje reciproke. Ne nuk pranojmë të bisdojmë për tema të brendshme të Kosovës. Nëse Serbia nuk rishqyrton vendimin e vet për njohjen, ne nuk vrapojmë pas një dialogu që flet për tema të brendshme të Kosovës. Ne jemi vend i pavarur, kemi Kushtetutë dhe nuk kemi të drejtë që të vendosim në pikëpyetje ekzistencën e vendit. Dialog për njohjen reciproke, marrëdhëniet dypalëshe, por jo për çështje të brendshme të Kosovës.”

    Ashtu si edhe Hashim Thaçi, kreu i AAK mendon për formimin e ushtrisë së Kosovës dhe thotë se nuk do të pengohet nga deputetët serbë në parlament. “Ata janë qytetarë të Kosovës dhe e respektojmë zgjedhjen e qytetarëve të Kosovës. Ajo që ka rëndësi është që axhenda e Kosovës nuk do të mbahet peng nga askush, as nga Beogradi. Do të punojmë me komunitetet, por jo që vendi të bëhet peng i votës penguese. Serbët nuk janë kundër ushtrisë. Ka një këmbëngulje nga Beogradi, por ne nuk na intereson se çfarë mendon Beogradi për këtë temë”, tha Haradinaj./E.U, Tiranapost.al

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690