Aktualitet

Hap i rëndësishëm për në BE. Arrihet marrëveshja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi

Ratifikohet marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi. Ky është lajmi i fundit që po qarkullon në mediat e Kosovës që tregon se përmes një deklarate të përbashkët dy presidentët, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç kanë njoftuar se kanë arritur marrëveshjen, që do të thotë do gjejnë zgjidhjen për shenjimin e kufirit mes dy vendeve. Sot u vendos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen.

Thaçi citohet të ketë thënë: “Në këtë 10-vjetor të Pavarësisë, Kosova po shënon progres të rëndësishëm, që po përshëndetet nga të gjithë. Duke vlerësuar edhe vullnetin e mirë të shtetit të Malit të Zi dhe udhëheqësisë kosovare në 48 orët e fundit, por edhe përpjekjet tona për dy vite e gjysmë, unë si President i Kosovës dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç nxorëm një deklaratë të përbashkët, që të inkurajojmë Kuvendin e Kosovës të ratifikojë marrëveshjen e Demarkacionit”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook uron qytetarët e Kosovës.

“Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, jam i lumtur që sot u arrit marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen. Deklarata e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç, në formën e marrëveshjes si instrument ligjor detyrues ndërkombëtar, i jep fund një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë. Me këtë po përfundojmë detyrimin e fundit për liberalizimin e vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë”.

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen për kufirin shtetëror në Vjenë në vitin 2015. Mali i Zi e ka ratifikuar marrëveshjen në Parlament, ndërsa Kosova nuk ka pasur dy të tretat e votave të deputetëve, të domosdoshme për ratifikim. Demarkacioni i kufirit, në anën tjetër, është kusht për Kosovën që të integrohet në Europë. Tiranapost.al E.B

Statusi i Ramush Haradinaj në Facebook