• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 21 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Blogu i një vajze single, ose aty rrotull Lifestyle Të gjitha TIP top

    Hajde pra, ju daltë një fat i mirë!


    Nga Iva Tiço/ Kështu më thotë një gjyshe gojëmbël poshtë pallatit, që bashkë me “si u gdhive” e “si u ngryse”, shoqëruar me “e mira e nënës”, ka një merak të madh në jetë: të më dalë fati.

    Po hë pra, të më dalë, pse mos të më dalë?! Sipas asaj dhe shumëkujt rreth e rrotull, i paskam të gjitha të mirat, po ja që ai çik fat nuk po më del, që nuk po më del akoma. Dhe meqë i kam të gjitha, kam tashmë edhe pjekurinë sa të them një “rrofsh” duke buzëqeshur e duke mbledhur shpatullat si e zënë në faj, meqë fati nuk po më del dhe të mos ndaloj që t’i shpjegoj as asaj dhe as dashamirësve të tjerë, se ç’është private dhe ç‘është për t’u ndarë me të njohur e të panjohur, ç’janë zgjedhjet dhe ç’janë zgjidhjet në jetë dhe mbi të gjitha ç’është fati për mua dhe ç’është për to.

    Nuk ke se si t’i shpjegosh një gjysheje të ëmbël tek të tetëdhjetat se si është kjo puna e fatit. Ajo vjen nga ajo koha, kur lindja e vajzave në familje nuk ishte e njëjtë me lindjen e djemve dhe vajzave, qysh bebe, u uronin që kur të rriteshin, t’u dilte një fat i mirë. Domethënë t’u qëllonte një burrë i mirë, që t’u mbushte barkun me bukë ndërsa ajo atij shtëpinë me fëmijë, që të mos vinte dorë mbi të dhe të dy së bashku ta shpinin jetën në harmoni deri në fund… Pak a shumë kështu qe në shumicën e familjeve, qytet a fshat, të shkolluar apo jo: për vajzat pritej një fat i mirë  dhe ky fat quhet thjesht “burrë”.  Madje nuk quhet fat i mirë thjesht të gjeje burrë. Të vjetrat e dinë mirë si të urojnë: fat i mirë do të thotë të të bjerë në pjesë një burrë i mirë (jam kurioze ta pyes ndonjërën se si e përfytyron këtë fatin – burrë për mua a ndonjë shoqen time, po druaj të futem në të tilla argumente).

    Të na dalë fati i mirë pra! Apo të na bjerë! Thuhet se fati shkruhet qëkur lind. Dikush beson se shkruhet në yje, në orën e lindjes. Dikush thotë se fati varet nga vullneti i Krijuesit. Dikush e shpjegon me ca ligje të Universit, diçka si e mbinatyrshme që na udhëheq në jetë: “kismet”. E kemi ose nuk e kemi kismet. Pra, çfarëdolloj gjëje që të bëjmë, do bëhet ajo që kemi kismet… Por janë pastaj dhe zgjedhjet që bëjmë: të shkollohemi shumë apo pak; të bëjmë punën që na pëlqen apo edhe punën që na jep më shumë para; të ndërtojmë vetë jetën tonë apo t’i themi dikujt të na mbajë; të lidhemi kur e ndjejmë dhe të ndahemi kur gjërat nuk shkojnë; të zhytemi kokë e këmbë në pasion apo t’u rrimë larg lidhjeve të rrezikshme; të kërkojmë njeriun e përsosur, apo të mendojmë që një burrë do ta ndryshojmë gjatë rrugës; të mos heqim dorë nga ëndrrat apo të themi “varja, u rrita, tani do sistemohem…”.

    Ka kaq shumë zgjedhje, të mira apo të gabuara, që i bëjmë vetë në jetë, sa zor se fati hyn këtu… Ose hyn deri në atë pikë sa të të udhëheqë, të të hapë sytë e të të tregojë, që ato që duken si gjërat më të mira në botë, mund të jenë krejt e kundërta. Apo se ato ngjarje që të duken si fundi i botës, janë fillimi i një diçkaje të re. Apo se fati është thjesht ajo lëvizje energjie, që të mban gjallë, që të mban larg katastrofave, aksidenteve, që të sjell goglën me fat të lotarisë ose që të sjell përpara një njeri interesant, në një ditë fare të zakonshme… Po të tjerat? Të tjerat i bëjmë të gjitha vetë. Edhe burrin. Ose mungesën e tij.

    Nuk mund t’ia shpjegoj të gjitha asaj gjyshes së ëmbël poshtë pallatit, se nuk do të më kuptonte. Dhe sepse e di që më do të mirën. Në fund të fundit e di dhe vetë që një burrë më duhet në jetë, ndër të tjera sepse kam gjithë verës që po mendohem si t’ia bëj për të lyer shtëpinë dhe se pas një muaji do duhet të bëj po vetë kolaudimin e makinës… Një burrë do më duhej për këto, ndoshta dhe për ca gjëra të tjera. Por ai s’ka sesi të jetë fati im i vetëm.