• Shqip
  • English
  • E enjte, 5 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Diaspora Kudo Shqiptarë Të gjitha

    Habibja, e vetmja grua shqiptare me postin më të lartë politik në Bruksel… dhe jo vetëm kaq!


    Nga Klaudeta Skënderasi/Pasi të drejton nëpër shkallët dhe korridoret e ndërtesës së vjetër e të bukur të komunës Evere, Habibja të fton në zyrën e saj të pastër e gjithë dritë, me saksi të gjelbra e vizatime fëmijësh ngjitur mur dhe të qeras me çokollata…çokollata belge, sigurisht. Por veç ato janë të tilla. Se për të ëmbëlsuar bisedën Habibja të qeras vetëm me fjalë shqip, histori 100 për qind shqiptare dhe personazhe gjithaq të tillë, edhe pse ndodhemi në një prej komunave të mëdha të Brukselit dhe zonja në fjalë është nënkryetarja. Ka vetëm pak kohë që është zgjedhur me 472 vota, një nga kandidatet gra më të votuara të zgjedhjeve komunale që u zhvilluan në tetor të vitit të shkuar në Belgjikë. Habibe Duraki, shqiptarja nga Shkupi, që ka emigruar bashkë me familjen që në vitet ’90, ishte një ndër 30 e ca shqiptarët që kandiduan në këto zgjedhje. Ishin vërtet shumë, aq shumë sa të na mjaftojnë për t’u bindur se imazhi i shqiptarëve nëpër botë po ndryshon dhe sa mirë që përballë shqiptarëve që kanë kaq vite që bëhen lajm për kronikë të zezë, është edhe Habibja e të tjerët si ajo, për të cilët mund të shkruash kronika të bardha nga mëngjesi në darkë. “Gjatë kandidimit për zgjedhje jam ndërgjegjësuar edhe më shumë për peshën që shqiptarët kanë. Nuk flasim më për histori paragjykimesh, edhe pse unë mendoj se nevojitet një evoluim i mentalitetit shqiptar. Por unë jam shumë optimiste për pozitën tonë nëpër botë e sidomos të grave shqiptare”, thotë Habibja, që nuk ndjen as edhe fijen më të hollë të kompleksit që shumëkujt mund t’i shkaktojë prejardhja “albanaise”. Asaj, kurrë! Përkundrazi! Por nuk të tregon historira me refrenin “jam krenar që jam shqiptar”. Ama, Habibja është krenare se gjithçka që është bërë e ka arritur veç falë forcës së saj dhe mbështetjes së atyre që e duan fort.

    Posteri i fushatës së zgjedhjeve komunale, ku Habibe Duraki u zgjodh nënkryetare e komunës Evere

    Le të mos lëkundim flamuj me xixa supergrash. Nuk janë të paarritshme, nuk janë të mbinatyrshme e as qenie unike. Janë fare të prekshme, si Habibja, që në mëngjes është zgjuar herët me pengun e përhershëm që nuk u nginj dot kurrë me gjumë, që është përkujdesur për tre fëmijët, bashkëshortin, shtëpinë, që mbase pak minuta i kanë mbetur për veten, që buzëkuqin e vendos nxitimthi dhe që shumë pak çaste e ndajnë nga të qenit mami tek të qenit nënkryetarja e komunës Evere, post që nuk i ra aspak nga qielli. “Jam bërë pjesë e politikës që në vitin 2012 kur Amet Gjana (një nga shqiptarët më të suksesshëm të angazhuar në politikën belge) kontaktoi me babain tim dhe i kërkoi përfshirjen tim në degën e Partisë Socialistë të komunës Evere. Jam angazhuar në këshillin administrativ, kam qenë pjesë e organizimeve, shoqatave të grave, të aktiviteteve kulturore, j0am marrë me publikimin e revistës së Partisë Socialiste të degës sonë dhe kandidimi erdhi natyrshëm”.

    Gjatë momentit të betimit

    Jo më kot e përmend të atin. Vullnetar i vjetër i Kryqit të Kuq, babai i Habibes ishte shtylla e një shtëpie ku cilido shqiptar që kishte nevojë për ndihmë mund të trokiste pa kurrfarë droje në derën e tyre. E sigurt që jo vetëm do t’iu hapej, por do t’iu ofrohej edhe çfarëdo ndihme. “Që kur mësova të shkruaj kam plotësuar e përkthyer formularë e shkresa që u nevojiteshin shqiptarëve të njohur e të panjohur. Në shtëpinë tonë kishte përherë njerëz që trokisnin dhe babai im para se t’u hapte derën iu hapte zemrën: “Urdhëroni, ejani. Habibeeeee, ndihmoji!”. Mund të ndodhte që ndonjëherë edhe të përgjigjesha: O ba, kam provim nesër, por merrja si përgjigje: S’ka gjë, se mëson edhe më vonë, kurse ata kanë takim me avokatin, duhen ndihmuar”. Dhe ja kështu u formova unë, veç shkollës për shkenca sociale e masterit për kriminologji, kam doktoraturë për plotësimin e shkresave dhe orientimin e shqiptarëve në kërkim të dokumenteve”, tregon me shaka Habibja, po aq sa rrëfen me seriozitet se tani edhe dera e zyrës së saj është e hapur për këdo prej tyre që kanë nevojë për ndihmën e saj. Por shumë shpejt mund të ketë një tjetër zyrë edhe më të rëndësishme se detyra e tanishme, sepse më e bukura ka vetëm dy ditë që ka ndodhur. Habibja ka lajmëruar suksesin e radhës, suksesin e rrallë të radhës: “Është zyrtare! Jam kandidate në vendin e 35-të për zgjedhjet rajonale të Brukselit të 26 majit”, ka lajmëruar në faqen e saj në Facebook.

    Posteri i ri i zgjedhjeve për Parlamentin Rajonal të Brukselit

    Në listën e kandidatëve për deputetë të rajonit të Brukselit është edhe Habibja. Dhe fushata fillon nga e para. Dhe angazhimi fillon nga e para, krahas detyrës si nënkryetare komune, një tjetër periudhë e ngjeshur me fushatë, aktivitete, ditë të lodhshme e angazhime kohë e pa kohë. “Do të jem një përfaqësuese e denjë në këtë detyrë dhe do të jem e gatshme çdo herë që të punoj për të mirën e qytetarëve si dhe zëri im në kuvendin rajonal do të jetë zëri i qytetarëve të Brukselit si dhe i bashkëkombasve tanë!”. A mund të kenë më shumë fat se kaq shqiptarët që jetojnë e punojnë në Bruksel? Një prej tyre në një prej institucioneve politike më të rëndësishme. Një grua po arrin kaq shumë në kaq pak kohë.

    Gjatë manifestimit për të drejtat e grave, 8 Mars

     

    Veç, kur të jeni duke lexuar këto rreshta, mos imagjinoni një grua që vë karrierën të parën, që flet veç për të, lë ca hapësira bosh e pastaj bën vend për të tjerët. Aspak! Ka qenë e vështirë, i është dashur kohë, por në fund ia ka dalë të gjejë një ekuilibër mes të gjithave. Si? Çelësi fshihet tek barazpesha dhe me raste tek përgjigjia “jo”. Të mësosh të thuash “jo”, gjë që për shumë prej nesh është mision i pamundur, për Habiben ka rezultuar asi nën mëngë. “Koha është ajo që kam sakrifikuar më shumë dhe kur thua kohën, i ke thënë të gjitha. Herë i merr gjumit herë kujdesit për veten por jam përpjekur me shpirt që vetëm familjes mos t’ia marr qoftë dhe një orë të vetme. Dhe e kam bërë vetëm pas një organizimi e planifikimi të mirë dhe duke thënë edhe “jo” atëherë kur duhet. Duhet të jem në një aktivitet, por mami im ka ditëlindjen? Atëherë jo, nuk mundem të vij. Familja është shtylla ime, pavarësisht ç’kam arritur unë në politikë e ç’do mund të arrij më vonë. Në fund të së gjithës fëmijët e mi janë mirë me shëndet. A mund të kërkoj më shumë se kaq?”. Vërtet, pavarësisht të gjithave, a mund të kërkojë më shumë se kaq?

    Ah, se harruam diçka të fundit: Habibja është vetëm 30 vjeç! /Tiranapost.al

     

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post