Aktualitet

Guvernatori i BSH raporton në Kuvend: Rritja ekonomike 4.1%, por kemi sfida përpara

Guvernatori i BSH raporton në Kuvend: Rritja ekonomike 4.1%, por kemi sfida

Guvernatori Gent Sejko prezantoi sot në Kuvend, Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2018. Sejko tha se viti 2018 ishte një vit progresi për ekonomine dhe sistemin financiar

“Banka e Shqipërisë vlerëson se viti 2018 ishte një vit progresi për ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar. Aktiviteti ekonomik dhe punësimi vijuan të zgjerohen, pagat dhe presionet e brendshme inflacioniste erdhën në rritje, treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar shënuan përmirësim, dhe një sërë treguesish të balancave të brendshme dhe të jashtme ekonomike erdhën drejt forcimit”, deklaroi Guvernatori i BSH para deputetëve.

Sejko tha se ritmi i rritjes ekonomike u përshpejtua në 4.1% gjatë vitit 2018, ndërsa norma e papunësisë në fund të vitit u ul në nivelin 12.3%, nga 13.4% një vit më parë.

“Sipas të dhënave të INSTAT-it, ritmi i rritjes ekonomike u përshpejtua në 4.1% gjatë vitit 2018. Rritja ekonomike pati bazë të gjerë. Ajo pasqyroi kontribute pozitive nga zgjerimi i konsumit familjar, investimeve të biznesit dhe eksporteve.

Po sipas të dhënave të INSTAT-it, punësimi në ekonomi u rrit me 1.6% gjatë vitit të shkuar, ndërsa norma e papunësisë në fund të vitit u ul në nivelin 12.3%, nga 13.4% një vit më parë”, tha Guvernatori.

Sejko foli edhe për sfidat që ekonomia ka përpara.

“Perspektivat e zhvillimit të vendit mbeten pozitive, por sfidat që kemi përpara nuk mungojnë. Adresimi i tyre kërkon vëmendjen dhe angazhimin e të gjithë politikëbërësve dhe agjencive rregullatore në vend. Në veçanti, në opinionin e Bankës së Shqipërisë, garantimi i rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë kërkon ruajtjen e fokusit mbi politika monetare dhe fiskale të orientuara drejt stabilitetit, duke përdorur në mënyrë të zgjuar dhe eficiente hapësirat e disponueshme për stimulimin e ekonomisë, pa cenuar qëndrueshmërinë e financave publike dhe atë të sektorit financiar. Paralelisht me to, politikat zhvillimore të vendit duhet të kujdesen për uljen e rreziqeve, si dhe për zbutjen e dobësive strukturore të ekonomisë”, tha Guvernatori në Kuvend./Tiranapost/A.C