SPORT

Guardiola “fiksohet” me mbrojtësin e Interit, ofron Cancelon në këmbim

Guardiola “fiksohet” me mbrojtësin e Interit, ofron Cancelon

Alessandro Bastoni po i bind të gjithë te Interi dhe pas disa javësh në pankinë, tani ka ndërruar vendet me një emër të madh të futbollit si Diego Godin, i cili numëron beteja e suksese të shumta në jetën e tij sportive.

Djaloshi italian po luan me qetësinë dhe sigurinë e një veterani, ndërsa ka energjitë dhe dëshirën normale të moshës së tij, ndaj nga java në javë po bind Antonio COnten t’i japë një fanellë titullari në fushën e lojës.

Por paraqitjet e Bastonit kanë tërhequr vëmendjen edhe jashtë Italisë dhe është pikërisht Pep Guardiola që ka mbetur i mahnitur nga aftësitë e djaloshit italian, që përveçse mbron shumë mirë, shquhet edhe për aftësitë organizative dhe lojën e saktë me këmbë.

Pikërisht për këtë arsye drejtuesit e Manchester City-t kanë hedhur idenë e një shkëmbimi kokë më kokë mes Bastonit dhe mbrojtësit portugez Joao Cancelo, i cili shkëlqeu me Interin dy sezone më parë, por më pas zikaltrit nuk e blenë dot për shkak të Fair Play-t Financiar.

Cancelo iu bashkua “citizens” këtë verë për shifrën e 60 milionë eurove, por nuk ka arritur të bindë Guardiolën me lojën e tij dhe anglezët do të ishin gati ta jepnin në një shkëmbim kokë më kokë me mbrojtësin e talentuar të Interit.

Nga ana tjetër zikaltrit do të mirëprisnin Cancelon, një futbollist ideal për krahun e djathtë të mesfushës, pasi portugezi është mbrojtës roli, por që shtyn vazhdimisht përpara dhe ka cilësitë e duhura për skemën e Contes.

Megjithatë vështirë se tekniku italian do të pranonte të privohej nga Bastoni, për të cilin ka thënë vazhdimisht se është e tashmja, por edhe e ardhmja e mbrojtjes së Interit./XH.K