• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Anti-Politika Opinion Të gjitha

    “Gjysma më e mirë” e Parlamentit!


    Nga Alfred Peza*

    ANTIpolitika

    Prania e femrës në jetën politike, shoqërore dhe të drejtimit administrativ të shtetit e pushtetit, tashmë është një mënyrë jetese në Shqipëri. Të paktën nga pikëpamja statistikore, formale dhe e përfaqësimit të ekuilibruar gjinor, ajo është në nivele si asnjëherë më parë në historinë tonë. Kanë mbetur tabu ende vetëm dy postet më të larta të vendit që nuk janë drejtuar ndonjëherë nga “gjysma jonë më e mirë”: Presidenti dhe Kryeministri. Por asgjë ende për tu shqetësuar. Po të kemi parasysh se kjo gjë ka qenë tabu jo më larg se 30 vjet më parë edhe për Britaninë e Madhe dhe para 10 vjetësh për Gjermaninë. Sikundër Presidenca femërore, është ende një tabu edhe për vetë SHBA-të. Jam i bindur se në Shqipëri, ardhja e kësaj dite, është vetëm çështje vitesh… Unë besoj shumë se një femër do ta drejtojë zyrën e sotme të Edi Ramës, më shpejt se një amerikane, do të ulet në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë.

    Ndërkohë që të gjitha postet dhe funksionet e tjera, në çdo nivel dhe në çdo fushë të jetës, jo vetëm në qeverisjen qendrore dhe lokale por edhe në arsim, art, kulturë e marrëdhëniet e biznesit privat, janë një dukuri rutinore që të drejtohen tashmë nga femrat. Ndaj, kjo gjë nuk përbën më lajm, për askënd. Sikundër nuk përbën më lajm, që në zgjedhjet e 25 qershorit, PS ka në listat e saj për deputetë 57 vajza dhe gra, nga 160 kandidatët në total. LSI, 62 nga 146 kandidatët dhe PD, 39 nga 194 të përzgjedhurit që garojnë për 140 vendet e Parlamentit të ri që konstituohet në shtator. Ndërkohë që edhe partitë e tjera parlamentare ose jo, e më të vogla se tri të parat, kanë pak a shumë të njëjtat përqindje kandidimi në listat e tyre. Aktualisht Parlamenti “i vjetër” numëron 32 deputete femra, ndërkohë që një numër i përafërt me aktualin, pritet të përfaqësojë zgjedhësit shqiptarë edhe në të “riun”.

    Sa herë që bie fjala për këtë temë, ligjërimi i liderëve politikë, nuk lë pa rrokur jo vetëm faktin se ligji elektoral shqiptar përcakton se një ndër tri kandidatët e parë të listave të partive për deputetë, kanë detyrimin për të patur një femër, sikundër e gjithë lista duhet të ketë një përfaqësim në nivelin e 1/3 të totalit. Por as faktin se kemi tashmë detyrimin që në zgjedhjet për pushtetin vendor, 50% e listave të kandidatëve për këshilltarë të parlamentit lokal nëpër bashki, të jenë femra, gjithashtu. Nga ana tjetër, është vërtetë historike që qeveria Rama, arriti për herë të parë që gjysmën e anëtarëve të kabinetit, ti kishte sërisht gjithashtu nga ajo që kemi qejf tashmë të gjithë ta quajmë si “gjysma jonë me e mirë”.

    Probleme të tilla në shoqëri si ajo shqiptare, nuk janë shifrat dhe përqindjet e detyrueshme me ligj. Sepse edhe kjo gjë në vetvete, është një “diskrimin”. Pavarësisht se pozitiv në këtë rast. Problemi ynë real nuk lidhet me sasinë, por me cilësinë e përfaqësimit të grave dhe vajzave ne jetën politike dhe shoqërore të vendit. Sepse këtu fillon dhe çedon e gjithë çështja. Për aq kohë sa vetë liderët politikë dhe partitë, e shohin këtë përfaqësim jo si një përpjekje reale e të vërtetë për civilizim, për emancipim dhe barazi gjinore, por thjeshtë si një çështje shifrash dhe statistikash. Pra jo si një proces dinamik, vetërregullues dhe vetpërsosës për një vend me histori të largët e të afërt, shumë të vështirë në këtë drejtim, siç e ka patur Shqipëria. Duke u ngritur të gjithën këtë, në lartësinë e një misioni sa shoqëror, aq edhe kulturor e jetik, për ngritjen e vendit në standardet e qytetërimit që i përkasim dhe ku duam të integrohemi edhe zyrtarisht.

    Nuk ka aspak lidhje se unë jam pjesë e PS dhe as që dua të bëj politikë, e aq më pak propogandë me këtë temë. Por është fakt se PS dhe LSI, i kanë dhënë më shumë hapësira reale, peshë dhe rëndësi përfaqësimit real e të balancuar gjinor në politikë dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes së vendit. Eshtë ndoshta kjo arsyeja se në sondazhe femrat rezultojnë në pothuajse çdo rast, me një përiqindje më të lartë mbështetje për të majtën sesa për të djathtën. Kjo qasje, reflektohet edhe në listat e kandidatëve për deputetë të këtyre zgjedhjeve.

    Po të shohësh listat e kandidatëve për deputetë të PD, të dorëzuara zyrtarisht në KQZ, kupton se qarqet e Beratit, Elbasanit, Fierit, Gjirokastrës dhe Kukësit nuk do të kenë përfaqësim femëror në Parlamentin e ardhshëm. Sikundër numri i zonjave dhe zonjushave në grupin e saj të ardhshëm parlamentar, do të jetë dukshëm më i ulët se numri i deputeteve aktuale. Sepse renditja në listat e qarqeve Dibër, Durrës, Korçë, Lezhë, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë i pozicionon më së shumti ato, në pjesët jo fituese. Pra, edhe pse PD ka futur vetëm 20% nga 33% të detyrimit formal që ka për gratë dhe vajzat, përfundimi do të jetë që në sallën e përfaqësuesve të popullit, do të arrijnë të futen vetëm 10- 15% e totalit të grupit të ardhshëm parlamentar të saj. E parë me syrin e vetë zonjave të politikës këtë problematikë, dallon një dukuri tjetër. Që vjen jo për faj të maskilizmit të lidershipeve politike, sesa për faj të vetë protagonisteve që i është dhënë shansi e mundësia për të përfaqësuar gratë dhe vajzat shqiptare në politikë.

    Mimi Kodheli pak ditë më parë, e pyetur nëse ishte bërë Parlamenti shqiptar pak a shumë si paradë mode, u shpreh: “Parlamenti shqiptar është bërë pak paradë mode. Shumë flokë, shumë çanta, shumë këpucë me taka. Parlamenti është një vend pune, komod, modest. Atje duhet të jesh komod sepse është një ditë e gjatë pune. Është kaq ditë e gjatë, sa nuk e di se si mund të rrihet në majë të takave. Po i ekzagjeruar është, fare fare, madje dhe në disa raste gratë më dukeshin si pema e Vitit të ri, që i vihen xhingla, topa, fije, xixa, kuklla, edhe mbante e shkreta si pemë”. Uroj shumë që cilësia, jo vetëm e paraqitjes së jashtme, por edhe e ligjërimit publik dhe e peshës reale të përfaqësimit politik, të jetë ajo që duhet të na preokupojë më shumë në të ardhmen. A do të fillojë që ky aspekt thelbësor të ndryshojë cilësisht që në shtator? Druaj shumë dhe nuk vë dot bast, se do të jetë kështu.

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al