Aktualitet

Gjyqtari Shkëlqim Miri në spital prej 3 ditësh, por edhe Apeli e lë në burg

Gjykata e Apelit ka lënë masën e sigurisë “arrest me burg” për gjyqtarin Shkëlqim Miri, në shtëpinë e të cilit u gjetën mbi 300 milionë lekë.

Por teksa Apeli ka lënë në fuqi masën e arrestit për gjyqtarin, ky i fundit mësohet se prej 3 ditësh ndodhet i shtruar në spitalin e burgut, në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjyqtari Miri kishte kërkuar lirimin nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, duke thënë se paratë i ka marrë borxh për t’u kuruar, pasi vuan nga një sëmundje e rëndë. Të njëjtën gjë ka argumentuar edhe avokati i tij mbrojtës, por Apeli e ka lënë sërish në burg.

Gjyqtari i Apelit, Shkëlqim Miri u arrestua për korrupsion aktiv të funksionarëve të drejtësisë dhe mos justifikim pasurie në vlerën e 340 milion lekëve të vjetra. Ai akuzohet se përmes marrjes së një ryshfeti me vlerë 20 mijë euro, ai i ka ndryshuar akuzën të dënuarit për vrasje Gentian Doda, i cili falë vendimit të Mirit ka dalë nga burgu dhe tashmë ndodhet në arrati./ Copyright Tiranapost.al