• Shqip
  • English
  • E hënë, 9 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    Gjykata Kushtetuese nuk e njeh Arta Vorpsin: Njohim vetëm 3 anëtaret e betuara te Presidenti


    Gjykata Kushtetuese nuk e njeh Arta Vorpsin si anëtare të saj, por vetëm emërimin e Marsida Xhaferllarit, e cila u betua një ditë më parë para Presidentit Ilir Meta, ndërkohë që Vorpsi u betua para noteres dhe ia dërgoi kreut të shtetit me postë betimin.

    Në një njoftim zyrtar shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit të Kushtetueses, thuhet se ‘kjo gjykatë ende nuk e ka kuorumin për vendimmarrje për të zgjidhur konfliktin e kompetencave midis pushteteve apo shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik’.

    Gjykata Kushtetuese njeh tre anëtarët e betuar mbrëmë tek Presidenti, Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllarin, duke i dhënë përgjigje kërkesës së Arta Vorpsit, e cila u kërkoi anëtarëve që t’i njihnin mandatin.

    Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

    Jemi njohur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sot, në datën 15.11.2019, për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.

    Në citim të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.

    Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj. Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik.

    Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës./ Tiranapost.al

    Arta Vorpsi i kërkon Gjykatës Kushtetuese t’i njohë mandatin

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post