Aktualitet

Gjykata Kushtetuese në ngërç, palët debat nëse anëtarët e rinj duhet të kalojnë më parë vettingun

Gjykata Kushtetuese është në ngërç. Dhe kjo jo vetëm se s'ka kuorumin e nevojshëm të anëtarëve për të marrë vendime, por edhe për shkak se anëtarët e rinj para se të votohen duhet të kalojnë më parë procesin e vettingut. Dy institucionet kryesore, Presidenca dhe Kuvendi kanë hapur aplikimet për 3 vende, por siç bëhet e ditur të paktën te presidenti kanë paraqitur interes vetëm 6 persona. Ndërkohë që afati i fundit për të shprehur interesin në Presidencë është dita e nesërme. Gjithsesi 6 kandidatë janë të mjaftueshëm për dy vendet bosh që ka të drejtë të plotësojë presidenti, por problemi është nëse ata nuk plotësojnë kriteret dhe më pas nuk kalojnë as vettingun. Por ajo që pritet të hap debat për momentin është fakti nëse këta kandidatë para se të miratohen duhet të kalojnë apo jo procesin e vettingut. Ligji thotë që po, por emergjenca në të cilën ndodhet Gjykata Kushtetuese nuk e lejon një gjë të tillë. Ndaj palët politike janë të ndara në këtë debat. Mazhoranca kërkon që 3 anëtarët të zgjidhen sa më parë për të zhbllokuar situatën ne Gjykatën Kushtetuese dhe më pas atyre t'u bëhet vettingu. Një praktikë kjo e ndjekur edhe në rastin e zgjedhjes së kryeprokurores. Ndërkohë që opozita kundërshton duke theksuar se më parë kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese duhet të kalojnë vettingun, siç e përcakton edhe ligji. Deri sa palët t'i japin zgjidhje këtij problemi, Gjykata Kushtetuese do të qëndrojë e bllokuar pasi me numrin e anëtarëve aktual e ka të pamundur të marrë vendime. Kjo natyrisht bën që shumë çështjeve që janë për shqyrtim do t'u digjen afatet ligjore dhe subjekteve ankuese do t'u jepet e drejta që ta kërkojnë atë në gjykatat ndërkombëtare, çka pritet të sjellë dhe një kosto të madhe financiare për shtetin shqiptar.