Blogu i RërësLibraTe gjitha

Gjuetari i balonave, reflektim mbi fatalitetin e së shkuarës


Mbi librin “Gjuetari i Balonave”/ Kjo mund të jetë historia e gjithësecilit prej nesh, e mëkateve dhe pengjeve që na rëndojnë në kokë dhe që presin vetëm të zhduken një herë e përgjithmonë prej aty. Por, për t’i hequr, duhet kurajë dhe dashuri.

Nga Erjon Uka/ Kur flasim për Afganistanin, gjithmonë perceptojmë një tokë të përgjakur, ku luftërat kanë lodhur shpirtin e njerëzve ndërsa ekstremizmi fetar nuk i lejon gratë që të ngrenë krye. Në të vërtetë ky është vetëm imazhi i Afganistanit aktual, sepse nuk ka qenë gjithmonë kështu. “Gjuetari i Balonave” i Khaled Hosseini, një ndër librat më të shitur të shekulli XXI, na njeh me një vend krejt tjetër, ku fëmijët luajnë të lumtur, ku biznesi lulëzon, ku ka kinema dhe emancipim. Deri sa erdhi lufta, që shkatërroi gjithçka.

“Për gjuetarët e balonave, çmimi më ambicioz ishte balona e fundit e turneut të dimrit. Ishte një trofe nderi, diçka që duhej ekspozuar në dhomën e pritjes.”

Thuhet se koha shëron çdo plagë. Por, për Amirin e shkuara është një kuçedër me shtatë kokë, e gatshme për ta ndjekur nga pas edhe atëherë kur nuk e pret. Kanë kaluar shumë vite qëkur jeta e mikut të tij, Hasanit, djalit që gjëmonte balonat dhe që kishte një fytyrë vajzërore, ndryshoi përgjithmonë në një lagje të Kabulit. Atë ditë, Amiri bëri një faj të tmerrshëm. Kështu, kur një telefonatë e papritur i prishi qetësinë një pasdite në San Francisco, kuptoi se nuk kishte zgjidhje. Duhej të nisej, të kthehej në shtëpi, për të gjetur djalin e Hasanit dhe për të pastruar ndërgjegjen nga gabimet e së shkuarës.

Por në Kabul nuk e presin vetëm fantazmat e ndërgjegjes. Aty bëri një zbulim tronditës, në një botë të dhunshme, ku gratë janë të padukshme, bukuria është e jashtëligjshme dhe balonat nuk shihen më.

“Për ty dhe një mijë herë të tjera, thashë pa e kuptuar. Pastaj u ktheva dhe vrapoja. Ishte vetëm një buzëqeshje, asgjë më shumë. Nuk ndryshoi shumë gjëra. Vrapoja. Një burrë i rritur që vraponte i ndjekur nga një lumë fëmijësh që bërtisnin. Por nuk më interesonte. Vrapoja.”

Tridhjetë vite histori përshkruhen në më shumë se treqind faqe libër. “Gjuetari i Balonave” mund të jetë historia e gjithësecilit prej nesh, e mëkateve dhe pengjeve që na rëndojnë në kokë dhe që presin vetëm të zhduken një herë e përgjithmonë prej aty. Por, për t’i hequr, duhet kurajë dhe dashuri.

Është një libër i shkruar shumë mirë, që të mallëngjen, të intrigon, të habit, të informon dhe të bën të mendosh për jetën, për njerëzit, për të shkuarën e për të ardhmen dhe mbi të gjitha të bën të reflektosh për çdo gjë që kishe mundësi, por nuk e bëre kurrë./Tiranapost.al