Aktualitet

Gjonaj me juristët e Fierit: Reforma në drejtësi dhe vettingu kanë marrë mbështetje të plotë nga buxheti i shtetit

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë një takimi të zhvilluar me avokatë, noterë dhe juristë të qytetit të Fierit ka folur në lidhje me reformën në drejtësi, krijimin e institucioneve të reja që janë ngarkuar me kryerjen e vettingut dhe efektet që do të ketë kjo reformë e shumëpërfolur për publikun dhe njerëzit që punojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Gjonaj është shprehur se qeveria ka ofruar të gjitha mjetet buxhetore tek komisionet me qëllim që reforma të jetë sa më e suksesshme dhe ka vlerësuar se pikërisht ky proces ka qenë kritik në marrjen e Rekomandimit pa kushte nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave.

“Qeveria shqiptare e ka mbështetur në mënyrë të jashtëzakonshme reformën në drejtësi dhe në një kohë shumë të shkurtër ka bërë gati të gjitha aktet nënligjore duke i miratuar ato, për sa i përket infrastrukturës dhe mbështetjes buxhetore. Është mbështetja buxhetore më e madhe që u është dhënë në një kohë kaq të shkurtër komisioneve, të cilët po kryejnë vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.”- ka thënë mes të tjerash ministrja Gjonaj. K.H/ tiranapost.al