25 rreshtat e Mirës Te gjitha

Gjiri në frëngji


Nga Mira Kazhani/ Sot postova këtë foto në Instagram.

(Postimi në Instagram)

Është një imazh, që kur e pashë për herë të parë, e ruajta për ta postuar në muajin e fushatës kundër kancerit të gjirit. Imazhi i artistit Masao Yamamoto të huton dhe të duket herë si sy, herë si gji i vockël nga ata të modeleve të holla, të holla. Një gji në frëngji, me një mesazh për tetorin, që i dedikohet shëndetit të gruas dhe sëmundjes të kancerit të gjirit, që po merr përmasa të frikshme duke ndalur jetën e grave aty nga ato ushqejnë jetën, tek gjiri.

Sa për kuriozitet: është fotoja që ka marrë më pak “like” se çdo postim tjetër në Instagramin tim personal dhe që për këtë nuk bëj me faj askënd. Trendy i pëlqimeve shkon drejt vajzave që iu ka shkuar syri tek tëmthi dhe gjoksi tek mjekra. Ndjekësit kërkojnë një gabim, një sherr, një histori dashurie dhe vdesin t’u kombinosh veshjet e Zarës. Ushqimet, rrobat, çantat, make up tutorial-ët dhe pjatat e bukura janë hit në ‘Social’. Jo vetëm në Shqipëri por dukshëm nëpër botë. Është një fenomen që kushedi, në të ardhmen do të na turpërojë, si ato fotot e Facebook-ut që iu dalin anëtarëve si ditar dhe askush, sado të lavdishme në të shkuarën, nuk i pëlqen, imagjino çfarë do ndodhë me tërbimin ndaj sipërfaqësores. Kur të shohin sesi janë jargosur pas boshit që promovon online-i bashkë me idiotët patetikë. S’ka armik më të keq se një injorant, sepse të mund edhe me eksperiencë. Turma (jo të gjithë, sepse ka një kategori cilësore që nuk bie në sy) do dhe ndjek boshin. Tek boshi, aty ku heronjtë e ditës janë shpesh disa kritikë divani shtëpie dhe jetojnë me duartrokitje të mjera anonimësh ose edhe realësh dështakë e parazitë, që ngushëllohen kur shohin sesi vriten e targetohen njerëz, nganjëherë të suksesshëm, nganjëherë krejt të zakonshëm, njerëz që i bëjnë të famshëm dramat ose njerëz që i bën të famshëm suksesi, ata janë në frëngji, në grykë të pushkës. Të famshmit prej kotësisë që prodhuan rrjetet sociale janë të ndjekur dhe të pëlqyer nga turma.

Është gjithashtu kohë e mirë për tallësit dhe talljen. Dhe për t’iu kthyer edhe një herë fotos që postova sot në mëngjes në Instagram, ajo është e bukur, pavarëisht indiferencës, sepse besoj që ka brishtësinë dhe gati frikën e dëshmisë së atij feminiliteti të pastër në një botë që të gjykon e peshon mbi ty me njëmijë të këqija e akuza, jo rrallë. Sot dikush ka vendosur që të bëjë lajm nga frëngjia e Facebook-ut, dikush tjetër me deklarata foltoresh, por të dy anët ngjajnë fiks më atë që pret hasmin me pushkë në frëngji.

Të marrësh përsipër të flasësh/postosh tema të “mërzitshme” si shëndeti, nuk merr pëlqimet e turmës, sepse të këtij soji nuk e kanë më stof. Edhe kjo super e folura për Xhisielën, qe vetëm argëtim poltiko-mediatiko-online-or. Historia e vajzës së Fushë-Krujës do fshihet sapo të vijë një vajzë, një grua tjetër, një bandit i ri, një skandal apo fejesë vipsash të tjerë.

Dhe Xhisiela na ndihmoi të shohim në sy dhunën e madhe që e kemi pjesë normale të komunikimit. Mes një sulmuesi dhe një mbrojtësi, gjykohet ai që po mbrohet dobët. Siç thotë Hannah Arendt: Viktimat e kampeve të nazizmit i fajësonin që nuk kishin rezistuar sa duhet! Të shfaqet kudo shtriga që po ndërtojmë si shoqëri e re: dhunë verbale dhe gjendje deri në eksitim për të gjykuar sa më rëndë tjetrin, që është ndryshe, që është edhe i njëjtë, pak rëndësi ka; i zgjuar e parimor je nëse po shan dikë!

Kishte edhe diçka absurde deri në banalitet në rastin e vajzës së dhunuar, kur rrjeti u ndez në akuza veçanërisht për gratë: Pse ju gra nuk mbroni gratë? Ou?! Pse kështu? Po burrat?

Pse jo edhe burrat? A nuk janë ata më të pushteshëm, të gjithë kryetarë?!

Burrat pse nuk paskan asnjë fije përgjegjësie? Apo burrat flasin për çështje të mëdha si pazare, trafik, miliarda?! Burrat duhet të jenë më lart, heronj bandash, partish, pushteti e paraje.

Nuk mund të akuzohen për gjëra të cekëta si dhuna, jeta e njerëzve të thjeshtë, pa gjini. Burra apo gra, ç’domethënë ky farë sulmi? As më shumë as më pak, dhunë dhe mentalitet i prapambetur. Merren me gratë e vajzat, se ato nuk dinë as të mbrohen!

Nuk thonë kot, djalli fshihet në detaje dhe mjafton një histori skandali province, një Xhisielë fatkeqe, një postim me gjirin e vogël në Instagram, të konfirmosh se dhuna nuk është markë Fushë-Kruje por marka jonë e përbashkët! Me të cilën na mësojnë të jetojmë çdo ditë dhe të na duket, si Xhisielës, tortura një shpullë e lehtë!

P.S. Ju ftoj edhe njëherë ta shihni foton që fola më lart – jo si gjirin në frëngji por si bukurinë në tytë të pushkës!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]