• Shqip
  • English
  • E martë, 15 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Në rresht të parë Të gjitha TIP top

    Gëzuar festat dhe… me trashëgime!


     

    Dikur, të martoheshe gjatë festave të fundvitit tingëllonte çudi. Në ndryshim nga vitet e kaluara, ka një trend në rritje të dasmave në periudhën festive të fundvitit (dhe këtu nuk kam parasysh shqiptarët që jetojnë jashtë dhe përfitojnë nga pushimet për të festuar pranë familjes festat dhe dasmën, një rrugë e dy punë). Këtë fundvit trendi është në rritje edhe për një tjetër arsye, darka e Krishtlindjeve (data 24) dhe nata e ndërrimit të viteve (data 31) përkojnë me të dielat. E ku ka më bukur sesa të festosh dyfish për dasmën tënde;-). Pra, këtë fundvit kush vendosi të martohet nën festa pati rastin më të mirë për ta kthyer dasmën, vërtet në një festë për të gjithë.
    Unë do të isha shumë e lumtur të kisha dikë që martohej këtë fundvit, kështu do më zgjidhte pikëpyetjen e përvitshme “ç’do bëjmë këtë vit për festa???”.

    Me gjithë atmosferën festive duhet të kemi parasysh që sidoqoftë kemi të bëjmë me një dasmë dhe duhet të kemi kujdes që të mos e harrojmë këtë, duke vënë festat në plan të parë. Këtu kam parasysh që nga dekori e deri te zarfi që duhet të dorëzojnë të ftuarit :-).

    Për sa i përket dasmave të këtij fundviti, kryefjala ka qenë goldi kombinuar me lulet (kryesisht trëndafila) të kuq, të dyja detaje të përdorura dhe gjatë vitit, që për të qenë e sinqertë, në çdo dasmë ku janë përdorur së bashku këto dy ngjyra (goldi dhe e kuqja), më kanë kujtuar festat e fundvitit edhe kur dasma ka qenë në mes të korrikut. Megjithatë, italianët thonë “tutti i gusti sono giusti”.

     

    Gjithashtu, do pasur kujdes në ftesat që do t’u shpërndash të ftuarve. Për t’u evituar ftesa me disa flokë dëbore apo bredhin festiv, pasi rrezikoni ta ngatërrojnë ftesën e dasmës me një kartoline urimi. Por bredhi i dekoruar sigurisht që nuk do mungojë në lokacionin ku do të zhvillohet festa, ndaj një mënyrë tejet origjinale do të ishte të shfrytëzonit pemën për të varur në të listën e të ftuarve, për çdo sferë një emër dhe numrin e tavolinës në të.

     

    Ndalemi tek veshja e nusërisë. Për të gjitha vajzat që adhurojnë fustanet e nusërisë që propozohen në ngjyrë të kuqe, ku ka rast më të mirë se ky për ta veshur atë, por kujdes! Nëse nusja zgjedh fustanin e nusërisë ta ketë të kuq, do t’i duhet patjetër të përcaktojë kodin e veshjes në ftesë, pra të ftuarit duhet të zgjedhin një veshje larg të kuqes, që është ngjyra e parë që të vjen ndër mend kur të ftojnë për festat e fundvitit.

     

     

    Nëse fustanin e nusërisë në ngjyrë të kuqe nuk e ke konsideruar asnjëherë, minimalisht buqetën e dorës mund ta bësh të tillë. Një zgjedhje do të ishte lulja yll Krishtlindjesh, akoma më mirë për të qenë në harmoni me festën.
    Nëse nuk do të doje të guxoje as në buqetë, mos i thuaj jo sandaleve të kuqe. Mund të ishte një thyerje trendy me fustanin e nusërisë. Shpesh kemi parë nuse që kanë guxuar me sandalen në ngjyrë të fortë, pa lidhje me fustanin. Nëse zgjedh sandale apo këpucë të kuqe për Krishtlindje, do të ishte rasti ideal. Bëni kujdes me peliçen, që të mos jetë e bardhë, nëse fustani do të ishte i kuq, një nuse Santa nuk do të ishte zgjedhje e mirë ;-).

     

    Festat e fundvitit të gjithe zgjedhim t’i kalojmë me familjarët apo njerëzit më të dashur për ne. Eshtë periudha e vitit ku të gjithë ndihemi më të mirë dhe përcjellim këtë dhe tek të tjerët. Zgjedhja e të bërit dasmë në këtë atmosferë festash sjell vetëm mbarësi. Ndaj shijojeni dasmën tuaj, duke menduar se përveçse po filloni një vit të ri, po hidhni hapin e shumëpritur në një nga kapitujt më të rëndësishëm të jetës suaj!

    Festa të gëzuara!

    Lexohemi vitin tjeter 🙂

     

     

     

     

     

     

     

     

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]