• Shqip
  • English
  • E hënë, 18 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Kryesore Të gjitha Tv/Media

    Gazetat print nuk do të vdesin kurrë, por lexuesi duhet të luajë rolin e tij


    Në njëzetë vitet e fundit shumë gazeta amerikane kanë përdorur internetin për të shpërndarë lajmet, por kanë pasur sukses të limituar. Sipas Iris Chyi, pedagoge në shkollën e gazetarisë në Texas dhe Austin, gjithnjë e më shumë njerëz informohen përmes “bashkuesve” të lajmeve, siç mund të jenë Google dhe Facebook. Por sipas saj problemi qëndron që këto platforma vetëm riprodhojnë lajme të marra nga gazetat.

    “Disa botues e kanë quajtur Google-in si ‘vampir dixhital’. Me një numër të madh lexuesish dhe rritje eksponenciale të reklamave, Google dhe Facebook janë kthyer në kompani gjigante, ndërsa pjesa më e madhe e 1,300 gazetave amerikane nuk e kalojnë tirazhin prej 30,000 kopjesh. Në këtë kuptim, të konkurrosh me Google dhe Facebook duket e pamundur. Por faji është edhe i gazetave, të cilat i shpërndajnë falas artikujt e tyre”, shkruan Chyi në një artikull të gjatë për revistën shkencore të Texas University.

    “Kjo ka kushtëzuar të ardhurat nga publiciteti. Këto të ardhura për gazetat ishin 3,2 miliardë dollarë në vitin 2007 dhe u bënë 3,5 miliardë dollarë në vitin 2014. Nga ana tjetër, vetëm për vitin 2016 Google ka fituar 89,6 miliardë ndërsa Facebook 27,6 miliardë dollarë. Botuesit amerikanë e kanë humbur betejën dixhitale, por po mbijetojnë pasi botimet e tyre në letër ende arrijnë të jenë fitmiprurëse. Ligjvënësit duhet të thonë fjalën e tyre. Kompanitë shumë-kombëshe nuk mund të bashkojnë lajme, e t’ua servirin publikut. Por edhe konsumatori duhet të bëjë të tijën, duke mbështetur produktet cilësore, sepse në një treg të lirë, fjalën e fundit e thotë gjithnjë ai”, shkruan ajo.

    Pas vitit 2005 kur u masivizua interneti, shumë menduan se gazetat dhe revistat do të falimentonin për t’i lënë vendin shkrimeve online, por shpejt lexuesit vunë re se lajmet falas online nuk ishin të besueshme, duke iu rikthyer në masë leximeve në print./Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post