• Shqip
  • English
  • E hënë, 14 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Anti-Politika Opinion Të gjitha

    Gazetarët, jashtë listave!


    Nga Alfred Peza

    ANTIpolitika

    Në listat e kandidatëve për deputetë të 25 qershorit, mes qindra e mijëra emrave,- në dijeninë time,- nuk ka asnjë prurje të re nga radhët e medias. Nëse rezulton e vërtetë, kjo do të ishte për herë të parë (eh kjo hera e parë!) në 9 zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare të zhvilluara në 27 vitet e fundit. Ndërsa e konstatova këtë mungesë, mendja më shkoi tek ajo sallë ku edhe unë nuk do të jem i ulur më në shtator, e ku për 27 vjet me radhë kanë hyrë e kanë dalë dhjetra e dhjetra deputetë nga radhët e gazetarisë. Që nga Dritëro Agolli, Namik Dokle, Halil Lalaj, Mitro Çela, Hamdi Jupe, Teodor Keko, Ibrahim Baçi, Musa Ulqini, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj e Nikollë Lesi. E deri te Sokol Olldashi, Luan Rama, Astrit Patozi, Ben Blushi, Ilir Gjoni, Alfred Dalipi, Marko Bello, Edi Paloka, Erion Braçe, Majlinda Bregun, etj. Kontributi i tyre në atë sallë dhe jashtë saj, është i spikatur.

    Pa llogaritur këtu edhe të tjerë shkrimtarë e publicistë si Sabri Godo, Moikom Zeqo, Teodor Laço, Kiço Blushi, Natasha Lako, Diana Çuli, Faslli Haliti, Visar Zhiti, Bardhyl Londo, Vath Koreshi, Mesila Doda, Mark Marku, Edi Rama, etj. të cilët janë pjesë e kësaj aradhe. Të gjithë sëbashku, gazetarë, publicistë, poetë, shkrimtarë, mjeshtër të fjalës e penës, kanë qenë gjithnjë një vlerë e shtuar e politikës sonë. Si një traditë që i ka hedhur rrënjët në parlamentarizmin shqiptar në vitet ‘20- ’30 të shekullit të kaluar, për të rritur veç të tjerash edhe cilësinë dhe kulturën e debatit politik e publik. Një pjesë e tyre, na kanë lënë dhe me siguri do ti sjellin edhe në të ardhmen bibliotekës sonë, një kontribut të çmuar për letërsinë politike e dokumentare.

    Shqipëria nuk ka si të bëjë përjashtim nga kjo traditë e hershme e shoqërisë njerëzore, që lidh artin e qeverisjes me artin e qëmtimit të fakteve. Artin e të të shërbyerit, me artin e të të shpjeguarit. Artin e punës, me artin e fjalës. Nuk është e rastit që disa prej gojëtarëve më të shquar të historisë, kanë qenë pjesë e politikës. Sikundër, shumë gazetarë kanë dhënë kontributin e tyre në politikën lokale, kombëtare e ndërkombëtare. Një ndër më të shquari prej tyre, ish kryeministri britanik Winston Çurçill. Për të ardhur deri në fqinjin tonë lindor, në Maqedoninë e sotme. Ku Presidenti aq shumë i përfolur George Ivanov ka qenë gazetar, gjithashtu. E deri tek Presidenti i ri i Parlamentit Europian, Antonio Tajani që zëvendësoi në këtë detyrë gjermanin Martin Shulz, i ardhur nga radhët e gazetarisë italiane.

    Për ironi me listat e kandidatëve në Shqipëri, ajo e partive politike në Kosovë, ku do votohet 2 javë para nesh, janë të mbushura si kurrë më parë me emra gazetarësh. Madje nga më të njohurit në Prishtinë. Arbër Vllahiu, shefi i shërbimit të Radios Europa e Lirë për Kosovën kandidon për “AAK” e Ramush Haradinajt. Sikundër Halil Matoshi, ish Kryeredaktor i “Zëri”. Milaim Zeka i është bashkuar partisë “Nisma” e Kosovës, ndërkohë që Blerim Shala, ish gazetari i njohur i “Zëri”-t i është bashkuar PDK së Thaçit. Ish gazetari BIRN dhe “Koha Ditore” Kastriot Jahaj është bërë pjesë e “Alternativa”, ndërkohë që gazetari ekonomik Lumir Abdixhiku i është bashkuar LDK-së së Isa Mustafës, si edhe Driton Selmanaj, i njohur si analist politik.

    Edhe në Kosovë, në të shkuarën pjesë e Parlamentit kanë qenë botues e gazetarë, si Veton Surroi, Astrit Salihu, Dukagjin Gorani, Ylber Hysa të së përditshmes “Koha Ditore”. Margarita Kadriu e gazetës “Kosova Sot” dhe Berat Buzhala i të përditëshmes “Express”. Sot asnjë prej tyre nuk është më pjesë e politikës aktive. Ku me sa duket, mjedisi politik i mbushur më së shumti nga ish- luftëtarë të UÇK, ish- aparatçikë të vjetër të LDK dhe “revolucionarët” e rinj të “Vetëvendosjes”, nuk duket një ambjent shumë pjellor për lulëzimin politik të gazetarëve. Megjithatë, pritet të shihet se kush prej 8 gazetarëve që tashmë janë në garë për të qenë pjesë e Kuvendit të ri të Kosovës, do të arrijnë që të provohet pas 11 qershorit.

    Arbana Xharra, ish Kryeredaktore e gazetës “Zëri” ndër më të spikaturat e kësaj liste, është bërë pjesë e PDK, së Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Pak ditë pas zyrtarizimit të kalimit nga gazetaria në politikë, ajo u sulmua fizikisht duke u rrahur barbarisht. “Tri ditë pasi i gjithë facebook-u, e gjithë shoqëria civile dhe gazetarët, iu turrën, e kryqëzuan, ia bënë gjyqin, veç pse ajo zgjodhi me hy në politikë. Marrë duhet me ju ardh. Kapni shlyni ata statusa të turpit, o gardianë të mendimit të lirë. O hipokrita”,- shkruajti Berat Buzhala i cili është nga ata që iu rikthyen gazetari, pasi provoi shijen e hidhur të dështimit në politikë.

    Në Kosovë veç të tjerash, paska dukshëm xhelozi kolegësh për ata që lenë gazetarinë, për politikën. Ani pse historia pas 1999, flet në disfavor të atyre që kanë zgjedhur Parlamentin, përpara magjisë së redaksive mediale. Megjithatë, në listat e kandidatëve për deputetë këtë radhë, ka më shumë sasi e cilësi gazetarësh, si asnjëherë më parë. Shenjë e qartë se askush nuk është dekurajuar dhe se të qenurit deputet, vijon të jetë një “drogë” e parezistueshme. Në Shqipëri a thua e kanë kuptuar se e gjitha më së shumti është një kurth i bukur, ndaj dhe askush nuk tundohet më nga ajo sallë? Isha shumë kurioz të dija se kush do ta merte stafetën time. Por me sa duket, do të më duhet të pres edhe katër vjet, për ta mësuar këtë.

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690