• Shqip
  • English
  • E premte, 15 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Lexo Enver Robellin në TIP Të gjitha

    Fuqia e paragjykimit


    Një ‘BMW M3 Coupé’ me 420 kuaj fuqi, një shofer dhe një avokat: mbi paragjykimet dhe botën e përmbysur në një gjykatë zvicerane.

    Enver Robelli/

    Më 8 maj 2018 një shofer kaloi me 140 kilometra në orë nëpër një tunel në kantonin Aargau të Zvicrës. Shpejtësia e lejuar ishte 80 kilometra në orë. Shoferi është pronar i një «BMW M3 Coupé» – një veturë me 420 kuaj fuqi. Më 16 tetor 2019 gazeta «Aargauer Zeitung» njoftoi se shoferi kishte luftuar deri në Gjykatën Federale për të mbajtur patentën e tij. Instancat paraprake kishin vendosur t’ia marrin patentën për shkak të deliktit në trafik.

    Pas njoftimit të «Aargauer Zeitung» pasoi një ortek me komente nga lexuesit zviceranë. Një lexues shkroi: «Nuk njoh një zviceran të mirëfilltë që vozit BMW M3, këtë e bëjnë vetëm njerëzit nga ish-Jugosllavia». Në tjetër lexues shkroi se shoferi patjetër duhet të jetë nga Ballkani, sepse avokati i tij quhej Melunovic, jo Müller apo Meier.

    Këtë javë, siç shkruan «Aargauer Zeitung», shumë gjëra u përmbysën. Para Gjykatës së Qarkut në Aarau doli i dyshuari për delikt – një zviceran tipik nga rajoni, me emër tipik zviceran, me biografi pa delikte të mëhershme, mjeshtër i kualifikuar, i punësuar ende në po atë firmë ku kishte marrë zanatin. Domethënë: shoferi nuk ishte nga Ballkani.

    Pastaj bota u përmbys edhe njëherë, sepse avokat i zviceranit ishte Kenad Melunovic, njëri prej avokatëve më të njohur të lëndeve penale në kantonin Aargau. Melunovic e kishte këshilluar klientin e tij që para gjykatës mundësisht të heshtë. Zvicerani tha vetëm këtë: «Ato kanë qenë minutat e mia më të marra dhe më të shtrenjta të jetës sime». Kjo nuk i bëri punë. Patentën e shoferit ai nuk do ta ketë për një kohë të pacaktuar. Së shpejti duhet t’i nënshtrohet një kontrolli psikologjik mbi aftësinë e tij për të drejtuar automjetin në të ardhmen.

    Prokuroria kërkoi 14 muaj burg me kusht dhe një gjobë prej 3500 franga. Gjykata vendosi kështu: 14 muaj burg me kusht dhe 2500 franga gjobë. Avokati Melunovic kërkoi lirimin e plotë të klientit të tij me argumentin se regjistrimet e kamerës në tunel nuk duhet të merren parasysh si provë. Disa lexues zviceranë ndoshat do t’i trondit edhe ky fakt: avokati Kenad Melunovic ushtron funksionin e auditorit (prokurorit) të gjyqësisë ushtarake. Me gradë është major./ Dialogplus/ Tiranapost.al. 

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post