Art & KulturëMy TiranaTe gjitha

Fundjava në Tiranë/ Ja çfarë do gjeni në kinematë dhe teatrot e kryeqytetit. Guida e Tiranapost


I rikthehemi sërish kinemasë dhe teatrit për këtë javë. Se ku më mirë se sa aty mund të kalohet Shën Valentini? Do thoni ju, po festa është në 14? Pikërisht, meqë ditën e mërkurë do jesh lodhur nga puna, shfrytëzo fundjavën. Në kinematë e Tiranës do të shfaqet fiks filmi i duhur: premiera e serisë së fundit të “Fifty Shades”, “Fifty Shades Freed”.

Fifty Shades Freed”, seria e fundit e “Fifty Shades” do të jepet premierë sot (më 8 shkurt) në kinematë Millenium, Imperial dhe Cineplexx.

Filmi do të vazhdojë të trajtojë historinë e Anastasia Steele dhe burrit të saj Christian Grey, ku ajo  duhet jo vetëm të përshtatet me jetën e saj të re si e martuar, por edhe me jetën luksoze dhe natyrën poseduese të bashkëshortit të saj.

 

Po nëse s`e ke me shumë qejf kinemanë, mund të shkosh edhe në teatër. Mund të qeshësh pafund me “Shirli Valentina”.

Komedia e suksesshme “Shirli Valentina” nga regjisorja Driada Dervishi, do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar në datat 8, 9, 10 e 11 shkurt, ora 19:00. “Shirli Valentina” është konceptuar në formën e një ‘one woman show’ , ku përmes humorit tregohet një udhëtim i jashtëzakonshëm i një gruaje të zakonshme. Rolin e ‘Shirli Valentina’ do ta luajë aktorja Olta Daku, e cila, përmes Shirlit, na fton për të besuar se nuk është asnjëherë shumë vonë për të realizuar ëndrrat.

Tragjedia greke “Medea” e autorit Euripidi do të shfaqet deri më 18 shkurt, në Teatrin Kombëtar Eksperimental.  Kjo tragjedi do të sjellë në rolin kryesor aktoren e njohur Luiza Xhuvani, e cila do të luajë Medean e tmerrshme. Tragjedia e lashtë greke “Medea” bazohet në mitin e Jasonit dhe Medeas. Subjekti përqëndrohet mbi veprimet e Medeas, dikur princeshë e mbretërisë “barbare” të Kolkias dhe bashkëshorte e Jasonit. Ajo sheh se pozita e saj në botën greke është e kërcënuar, kur Jasoni e braktis për t’u martuar me një princeshë greke të Korintit. Medea merr hak mbi Jasonin, duke vrarë bashkëshorten e tij të re, po ashtu edhe dy bijtë e vet, për t’u arratisur më pas në Athinë për një jetë të re.Kjo tragjedi është një tablo mjeshtërore e pasionit me nënshtresat dhe zgavrat e tij sekrete. Vuajtja dhe ndjeshmëria e dashurisë së vrarë vizatohen fuqishëm, deri sa kulmojnë me veprën e tmerrshme të hakmarrjes. Medea është kriminele, por jo pa shkak dhe jo pa forcë e dinjitet./ Tiranapost.al

 

 

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *