Aktualitet

Frika bën që njerëzit të zgjedhin udhëheqës primitivë, Svetlana Aleksievic: Po përballemi me banalizimin e tejskajshëm

"Para syve tanë po ndodh rënia e kulturës, banalizimi i tejskajshëm. U gjendëm të papërgatitur përballë një historie të re, bijë e kulturës së urrejtjes, por e vështirë për t’u treguar."
Frika bën që njerëzit të zgjedhin udhëheqës

Svetlana Aleksievic nisi të tregojë tragjeditë e mëdha politike të shekullit të kaluar si gazetare, duke u munduar të japë një shpjegim për katastrofat “brenda kornizës së një gazete dhe duke u përpjekur të tregojë një histori”, siç vetë thotë. Për shkak të veprave të saj, ka kaluar më shumë se një dekadë larg vendlindjes, Bjellorusisë, e detyruar të emigrojë nën presionin e regjimit të Lukashenkos në vitin 2000. Tregimet e saj mbi gratë në Luftën e Dytë Botërore, luftën mes Bashkimit Sovjetik dhe Afganistanit, Çernobilin apo protestat anti-Putin, bënë që të fitonte Çmimin Nobel për letërsinë në vitin 2015, me motivacionin e një “shkrimi polifonik, një monument për vuajtjen dhe kurajën e kohës sonë”.

Në librat tuaj, historia jepet si një ndërthurje e jetëve të zakonshme. Një polifoni prej së cilës historia tregohet nga eksperienca personale, nga dhimbjet dhe humbjet.

Gjithmonë kam dashur që zërat në librat e mi të duken si një kor, por nga ana tjetër dëshiroj gjithmonë që të nxis dëgjimin e zërit njerëzor. Jetojmë në një kohë ku gjithçka përmblidhet në një lapidar, por njerëzit duan të njohin historitë e njerëzve të tjerë, përtej sipërfaqësores dhe asaj që tregon historia zyrtare. Gjithmonë jam interesuar për shpirtrat e veçantë të njerëzve, sepse pikërisht aty zhvillohet e gjithë ngjarja. Përmes historive të vogla arrij të shoh atë historinë e madhe dhe ajo çfarë mbetet nuk është zhurma, por e vërteta e qartë të cilën duhet ta kuptojmë. Ajo që ka rëndësi në fund të fundit është jeta njerëzore. Vetëm në rrugë jeta bëhet më interesante, më e frikshme, më e bukur dhe më njerëzore. Në rrugë kuptohen gjërat e vërteta, jo në hapësira ku gjithçka është e parashkruar, ku letërsia është letërsi dhe politika është thjesht politikë. Zhanrin tim e quaj një “roman zërash”, që mund ta përshkruaj si roman kolektiv, si një letërsi përbashkimi. Mbetet një përpjekje për të gjetur një formë të re tregimi.

"E keqja është bërë kaq dinake dhe kaq e plotë, sa çdo gjë që ndodh, ndodh në mënyrë krejt të ndryshme nga ç’kishim menduar. Prandaj mendoj se të qenit njerëzor po bëhet gjithmonë e më e vështirë."

Në një moment historik si ky që po përjetojmë, ku mbivendosen kodet letrare, ku është e vështirë të përgënjeshtrosh lajmet e manipuluara apo realitetet e shpikura, një letërsi si kjo e juaja, që ndërtohet përmes takimeve, intervistave përgjatë viteve dhe shënimeve, është akoma edhe më e rëndësishme.

Unë kam arritur ta ndërtoj besimin dhe historitë i mbledh duke nisur nga ky fakt. Qeniet njerëzore vështirë se u besojnë të tjerëve, kanë peshën e vetvetes, peshën e kohës, ndërsa intimiteti ndërtohet me durim. Shpesh herë i pyes njerëzit që takoj për gjëra që nuk duan të flasin dhe as që i mendojnë më. Më duket sikur nga historitë e tyre buron një dhimbje aq e madhe sa e shkatërron realitetin fals ku jetojmë, e zhduk.

Janë vite të vështira për gazetarinë dhe për letërsinë, shpesh herë duket sikur nuk e kemi më aftësinë për të parashikuar se çdo të ndodhë nesër.

Duket e pamundur të parashikosh të nesërmen. E keqja është bërë kaq dinake dhe kaq e plotë, sa çdo gjë që ndodh, ndodh në mënyrë krejt të ndryshme nga ç’kishim menduar. Prandaj mendoj se të qenit njerëzor po bëhet gjithmonë e më e vështirë. As nuk mund të çojmë nëpër mend se çfarë sfidash na presim, siç nuk dimë se si do t’i shkojë fundi marrëdhënieve të reja me teknologjinë, as për marrëdhëniet me njëri-tjetrin në këtë epokë nacionalizmash. Jemi në duart e disa budallenjve të vetmuar që një njeri i arsyeshëm nuk mund t’i kuptojë. Frika bën që njerëzit të zgjedhin udhëheqës primitivë, të cilët kanë gati përgjigje të thjeshta për pyetje të ndërlikuara. Para syve tanë po ndodh rënia e kulturës, banalizimi i tejskajshëm. U gjendëm të papërgatitur përballë një historie të re, bijë e kulturës së urrejtjes, por e vështirë për t’u treguar.

Përse shumë vende po zgjedhin figura politike autoritare, si Putin dhe Erdogan, si Trump apo Salvini? A ka sipas jush një përgjegjësi edhe bota intelektuale?

Mendoj se njerëzit kanë frikë, sepse mendojnë se bota po bëhet e pakuptueshme dhe e paparashikueshme. E djathta ka sukses sepse populizmi premton një të ardhme që sot nuk është e parashikueshme. Do të ketë gjithmonë e më shumë refugjatë, sepse refugjatëve të luftës do t’u shtohen edhe refugjatët e ndryshimeve klimatike. Prandaj është e rëndësishme për të gjithë ne të mësohemi të jetojmë me “tjetrin”, me të tjerët. Një burrë i vjetër, xhelat i vitit 1937, më ka thënë: “Sa kohë mund të rezistojë një njeri? Për sa kohë njeriu mund të mbetet njerëzor? Epo ja po jua them, një këmbë karrigeje vjeneze në anus apo një gozhdë në penis dhe njeriu nuk ekziston më”. Dhe ja pyetja që bëj unë, pasi kam dëgjuar për torturat nga një xhelat. Pse këmba e një karrigeje në anus apo qesja e plastmasit në kokën e një të burgosuri janë trashëguar si mënyra torture nga një brez në tjetrin? Pse nuk është trashëguar Dostojevski? Nuk e kam një përgjigje. Shpesh më cilësojnë si shkrimtare katastrofash. Por nuk shkruaj për katastrofa. Mbledh shpirtin njerëzor, mbledh gjithë sa mund ta ndihmojnë njeriun të mbetet njeri edhe në ferr./Svetlana Aleksievic është gazetare dhe shkrimtare bjelloruse, fituese e çmimit Nobel në vitin 2015. Intervista u përkthye nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al