Aktualitet

Francezët vizitojnë Tiranën: Duam të investojmë këtu

Një grup prej 60 sipërmarrësish francezë nga krahina e Lionit kanë vizituar Tiranën dhe kanë shprehur dëshirën e tyre për të investuar këtu. Përshtypja e tyre është mjaft pozitive me realitetin që ata kanë parë. Ndërsa Tirana ka qënë destinacioni final i udhëtimit në Shqipëri, ata kanë vizituar edhe qytete të tjera si Vlora dhe Berati. Dje pasdite ata u pritën nga kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i cili i njohu me projektet, mundësitë e bashkëpunimit dhe lehtësirat që ofron kryeqyteti shqiptar për të investuar.

President i Klubit të Biznesit Francë-Shqipëri me qendër në Lyon Gazmend Toska, theksoi se qëllimi i vizitës është krijimi i sa më shumë marrëdhënieve ekonomike midis Francës dhe Shqipërisë, ndërsa u shpreh optimist për vijimin e këtij bashkëpunimi me investime konkrete.

Jemi këtu me 60 sipërmarrës për të njohur Shqipërinë. Përshtypja e tyre është tejet pozitive me realitetin që ata kanë parë. Kanë qenë në Vlorë, në Berat, në Tiranë dhe shpresojmë që një vizitë e tillë të shoqërohet me vizita të tjera këtë vit dhe vitin e ardhshëm që të jemi në gjendje të krijojmë sa më shumë ura mirënjohje dhe miqësie midis Francës dhe Shqipërisë”, tha Toska.

Gjatë këtij takimi Erion Veliaj i dorëzoi Gazmend Toskës në shenjë mirënjohje, simbolin e qytetit, Kullën e Sahatit të Tiranës.

Në fund ata mbollën edhe disa pemë në lulishtet e sheshit “Skëndërbej”, në shenjë të miqësisë mes dy vendeve. /Tiranapost.al