Aktualitet

Franca kundër zgjerimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Franca kundër zgjerimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e

As Shqipëria, as Maqedonia e Veriut nuk çelin negociatat. Franca ka bllokuar të dy vendet. Ka patur një skenar për të ndarë Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria, Finlanda e ka pranuar që të kalonte të paktën Maqedonia e Veriut dhe të bëhej ndarja.

Presidenca finlandeze e Bashkimit Evropian propozoi zyrtarisht që të veçohet vendimi për Maqedoninë e Veriut, nga ai për Shqipërinë, në takimin e ministrave të Jashtëm të BE që po mbahet sot në Luksemburg.

Franca do që të vendoset një metodologji e re në procesin e zgjerimit, duke e bërë këtë proces më shumë gradual dhe të kthyeshëm. Kjo do të thotë se kur të mbyllen kapitujt e caktuar negociatorë, ato mund të hapen nëse shteti kandidat nuk vazhdon progresin. Franca dëshiron që Komisioni Evropian të dalë në pranverë me një propozim konkret për këtë, e pastaj, dikur gjatë vetës, të mund të merret vendimi për nisjen e negociatave.

Sipas burimeve të Radio Evropa e Lirë, Presidenca finlandeze së shpejti duhet të dalë me një draft të ri, që do të lejojë që së paku Maqedonia e Veriut të marrë një vendim pozitiv. Vendimi për të hapur negociatat e pranimit kërkon një miratim unanim të vendeve anëtare.

Megjithatë, nëse në takimin e sotëm do të ketë një vendim nga ana e ministrave të BE-së, ai duhet të konfirmohet më pas në një samit të shefave të shteteve ose qeverive, i cili do të zhvillohet në 17-18 tetor në Bruksel.

Para nisjes së takimit të ministrave të BE-së, ministrja e Finlandës, Tytti Tuppurainen, e cila njëherësh edhe kryeson takimin, u shpreh se nuk dëshiron të paragjykojë vendimin e sotëm, por tha se si kryesi në tërësi e mbështesin hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, megjithëse sipas saj, duhet pritur se çfarë do të thonë edhe shtetet e tjera anëtare, pasi që duhet të jetë vendim unanim.

Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok tha se shteti i tij mendon se Shkupi dhe Tirana zyrtare ende nuk kanë përmbushur kushtet, që t’u jepet data për nisjen e bisedimeve për anëtarësim më bllokun evropiane.

“Kur është në pyetje Maqedonia e Veriut, ne konsiderojmë se duhet të plotësohet edhe një kusht, miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike. Kur të përmbushet ky kusht, mund të nisin bisedimet për çështjen e anëtarësimit (në BE). Kurse sa i përket Shqipërisë, mendojmë se ende duhet të punojnë dhe nuk janë gati për nisjen e bisedimeve”, ka thënë ministri holandez, Blok./ Tiranapost.al