Qyteti

FOTOT/ Tirana, destinacioni i preferuar i turistëve skocezë, polakë dhe gjermanë

FOTOT/ Tirana, destinacioni i preferuar i turistëve skocezë,

Tirana, kryeqyteti i larmishëm po mirëpret përherë e më shumë turistë të huaj të cilët zgjedhin të shijojnë bukuritë dhe atraksionet turistike tashmë jo duke qëndruar vetëm një ditë, por edhe më shumë. Transformimet që ka pësuar Tirana e kanë bërë atë të jetë në listën e destinacioneve europiane.

Turistët e huaj që gjenden në Tiranën gjatë këtyre ditëve janë nga vende të largëta si Skocia, Polonia, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjë kjo e cila vërteton se tashmë kryeqyteti është një pikë kyçe e itenerareve turistike për këta turistë. Grupet e turistëve i gjen kryesisht tek sheshi “Skënderbej”, te “Kalaja e Tiranës” dhe te “Pazari i Ri” i cili tashmë është një vend mjaft i frekuentuar, pasi turistët e huaj aty mund të shijojnë dhe gatimet tradicionale shqiptare.

Grupet e turistëve në Tiranë i sheh me aparate fotografike në duar ku fokusojnë detaje interesante nga kryeqyteti, duke filluar nga objektet e kultit dhe muzetë që tregojnë të kaluarën tonë.

Turistët nga Skocia, Polonia, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara në përshtypjet e tyre veçojnë mikpritjen, si dhe vendet të cilat tregojnë historinë dhe vlerat e popullit tonë. Gjithashtu ata veçojnë dhe kuzhinën tonë tradicionale si mjaft të shijshme, natyrisht dhe çmimet e favorshme.

Ata gjithashtu shprehen të bindur se do rikthehen sërish pasi Shqipëria ofron shumë gjëra për t’u eksploruar dhe shijuar nga ana e tyre. Tirana është pa dyshim një nga qytetet më të gjalla e më në shndërrim të Europës Juglindore. Ajo është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Europa, por edhe më gjerë. Transformimi që po pëson Tirana po zë gjithashtu hapësira në revistat më të njohura të botës./Tiranapost/A.C