Aktualitet

Fotografi pas fotografie, e kështu kujtesa shkatërrohet

Të dhënë pas shkrepjeve, hasim vështirësi për të kujtuar detajet reale të gjërave që shohim. Fotografitë nuk do të na rrëmbejnë shpirtin, siç kishin frikë amerikanët sipas antropologes Carolyn J. Marr, por me siguri diçka nga kujtesa e heqin.

Nëse doni të ruani në kujtesë mrekullitë që keni parë gjatë pushimeve, mbani sa më larg të jetë e mundur Snapchatin dhe Instagramin. Kjo sepse përdorimi i mediave sociale mund të pengojë formimin e kujtimeve. E thonë dy psikologë të Universitetit Santa Kruz të Kalofornisë që në lidhje me këtë temë kanë kryer një studim të publikuar në Journal of Applied Research in Memory and Cognition. Pikënisja e kërkuesve Julia Soares dhe Benjamin Storm ishte të hetonin se çfarë ndodhte kur dimë se mund të shmangim lodhjen për të memorizuar atë që shohim duke ia deleguar këtë funksion një suporti të përkohshëm siç mund të jetë fotografia. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin efekt shkarkues të kujtesës, ai për të cilin shumica e njerëzve nuk do të dinin të thoshin përmendësh as numrin e personit më të dashur duke pasur në dorë 24 orë në 24 rubrikën e celularit.

Në dy eksperimentet e para, 42 studentëve iu treguan disa vepra arti në tre gjendje të ndryshme: shikim pasiv i kuadrove, mundësi për t’i bërë një fotografi me celular dhe mundësi për t’i bërë një fotografi me Snapchat për t’ia dërguar një personi tjetër. Dhjetë minuta pas çdo prove, pjesëmarrësit plotësuan një formular me 30 pyetje mbi detajet e veprave të para, si për shembull “Në ‘Leksion anatomie’ të Rembrandt, çfarë po priste me gërshërë instruktori?” Rezultati: shikimi i thjeshtë i kuadrove i la shteg një performance më të mirë (60% e përgjigjeve të sakta), ndërsa kush kishte bërë foto me kamerën e celularit tregoi një kujtesë më pak të qëndrueshme (45% e përgjigjeve të sakta), ndërsa ata me Snapchat akoma edhe më dobët me vetëm 35% të përgjigjeve të sakta. Në eksperiementin e dytë, gjendja “Snapchat”, pra fotografi të përkohshme që fshihen nga vetë rrjeti social, u zëvendësua nga eliminimi manual nga vetë studentët të fotove të saposhkrepura. Edhe nga ky test u vu re një superioritet kujtese nga ata që kishin parë pikturat (55% e përgjigjeve të sakta) në krahasim me ata që i kishin fotografuar (më pak se gjysma).

Studimi tregoi se efekti i shkarkimit mund të ketë një rol të rëndësishëm, por i vetëm nuk mjafton për të shpjeguar gjithçka. Në fakt, si duke përdorur Snapchat si duke i hequr në mënyrë manuale fotot, jemi të vetëdijshëm se shkrepja në fjalë nuk do të jetë më e disponueshme në të ardhmen, ndaj edhe funksioni i suportit të jashtëm të kujtesës së celularit mungon.

“Hipoteza përfundimtare e studimit dhe më e rëndësishmja qëndron në faktin se është pikërisht vetë akti i shkrepjes së fotografive – pavarësisht nëse mund t’i ruajmë apo jo në të ardhmen – që  ndikon negativisht në krijimin e kujtimeve”, shpjegon Gabriella Bottini, kërkuese e neuropsikologjisë në Universitetin e Pavias. “Është e vërtetë se shpesh herë u besojmë instrumentave funksione të rëndësishme, jo vetëm kujtesën por edhe orientimin hapësinor për të cilin në vendin tonë mund të kujdeset Gps-i. Por gjithsesi prirem të mos e demonizoj fotografinë: t’i shkrepësh një fotografi një pikture në një muze është një avantazh, zgjatje e aftësive tona. Detajet e kuadrit nuk janë gjithçka, sepse rëndësi të veçantë kanë edhe aspektet emotive.” Dhe është pikërisht aspekti emotiv që mund të shpjegojë efektin “fotografi anti-kujtesë” të Snapchat.

Rrjetet sociale i referohen të gjitha aspekteve emotive që kanë të bëjnë me miqësinë dhe kjo përkthehet në shpërqëndrim më të madh dhe aftësi më të ulët për të memorizuar një stimul. Fotografitë nuk do të na rrëmbejnë shpirtin, siç kishin frikë amerikanët sipas antropologes Carolyn J. Marr, por me siguri diçka nga kujtesa e heqin./Përgatiti Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al