• Shqip
  • English
  • E hënë, 23 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • My Tirana Të gjitha

    Foto/ Rriten kërkesat e prindërve për të futur fëmijët në çerdhe e kopshte publike: “Pranverat” bëhet gati të përballojë fluksin


    Nisur nga puna në çerdhe dhe Kopshte, prindërit kanë shtuar kërkesat, për frekuentimin e institucioneve publike parashkollore. Dhe për t’ju përgjigjur kërkesës së tyre, Bashkia Tiranë nis investimin në godinat aktuale, që të përballohet një kapacitet me më shumë fëmijë, duke shtuar mjedise të reja. Veliaj bashkë me deputetin e njësisë 10 Fatmir Xhafaj shkuan pranë çerdhes ‘Pranverat’ për të parë nga afër punimet, që do rrisin kapacitetin e pranimit nga 150 në 250 fëmijë.

    Veliaj mes të tjerash tha se kërkesa e madhe për çerdhet dhe kopshtet publike është një vlerësim për punën e bërë deri më tani, por edhe një përgjegjësi më e madhe për t’iu përgjigjur kërkesës së qytetarëve.

    “Kemi pasur një dyndje të jashtëzakonshme në çerdhet e Tiranës, kemi marrë ndoshta komplimentin më të madh kur njerëzit të fusin mik edhe për t’u futur në çerdhe e kopshte. Besimi se këto çerdhe e kopshte publike kanë një cilësi kaq të lartë, duhet shpërblyer me investime”, tha Veliaj.

    Për të ulur fluksin e kërkesës për institucionet publike, ai tha se po punohet që të ngrihen çerdhe dhe kopshte pranë ndërmarrjeve apo kompanive të mëdha private. “Këtë vit do të sjellim një risi: Siç e kërkon ligji dhe siç është tradita në të gjitha vendet e BE-së, kompanitë që kanë një numër të caktuar punonjësish, mbi 100 punonjës, si kompanitë e telekomunikacionit, bankave, të fillojnë të instalojnë në mjediset e tyre çerdhe dhe kopshte. Është një mënyrë për t’u siguruar që prindi që punon e ka shumë të afërt vendin ku po rritet fëmija i tij, por edhe për t’i hequr një ngarkesë qytetit”, shtoi Veliaj.

    Ndërkohë, ai u bëri apel të gjithë prindërve që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat që janë më afër vendbanimit të tyre.

    Ndërsa Deputeti i PS në Njësinë 10, Fatmir Xhafaj tha:

    “Ka qenë jetike, unë kam pasur mundësinë ta ndjej nga kërkesat e banorëve, edhe si deputet i zonës, interesin e veçantë që kanë për kapacitete shumë më të zgjeruara në shërbimin në këtë fushë. Natyrisht, ky është një lajm shumë, shumë i mirë, fakti që nga 150 mundësi akomodimi, do të shkohet në 250 në këtë çerdhe. Ky është tregues edhe i interesit në rritje të njerëzve, por edhe i aftësisë së bashkisë për t’i menaxhuar më mirë fondet dhe taksat e qytetarëve, në funksion edhe të problematikave dhe të shqetësimeve që kanë ata”. / Tiranapost.al. 

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690